Kronikë

Refuzohen kërkesat e mbrojtjes për lirimin e të akuzuarve për vrasjen në “Bon Vivant”

Kërkesa e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, të akuzuar për vrasjen e vitit 2014 në lokalin “Bon Vivant”, është refuzuar nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gërdovci dhe Krasniqi akuzohen nga Prokuroria për bashkëkryerje në rastin e vrasjes së Rrahman Ukës, i cili ishte punëtor i sigurimit në “Bon Vivant”. Gjykimi për rastin po zhvillohet për herë të tretë, si rrjedhojë e vendimit për kthim në rigjykim.

Avokatët e të akuzuarve të martën pretenduan se mbajtja e tyre për një kohë të gjatë në paraburgim përbën mospërputhje nga standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të udhëzuesve të Gjykatës Supreme që lidhen me procedurën penale.

“Ta ndërprejë masën e paraburgimit ndaj Masar Gërdovcit apo eventualisht të njëjtën ta zëvendësojë me një masë tjetër, duke marrë për bazë se i njëjti për tetë vjet gjendet me masën e paraburgimit”, tha avokati i Gërdovcit, Naim Rudari.

“Afro gjashtë vjet është me këtë masë. Dispozitat e Kodit (të Procedurës Penale) dhe të Konventës Evropiane duke mos dashur t’i citoj nenet përkatëse, por vetëm nenin 185/2 të Kodit të Procedurës së ligjit tonë, i cili është shumë decidiv dhe thotë: në çdo kohë duhet me u reduktu kjo masë”, ta avokati i Krasniqit, Haxhi Millaku.

Kundër pretendimeve të tyre doli prokurori Armend Hamiti, duke thënë se masa e paraburgimit është në përputhje me nivelin e krimit që u ngarkohet. Trupi gjykues vendosi në favor të pretendimit të prokurorit.


“Duke pasur parasysh veprën, peshën e kësaj vepre penale, e po ashtu është fakt se vetë kjo lëndë ka zgjatur shumë me kthim në rigjykim, mirëpo fatkeqësisht gjykata e shkallës së parë e kryen punën e vet dhe besojmë që me këto seanca që po i cakton do ta marrë një epilog përfundimtar. Andaj mendoj se masa e paraburgimit, si masë më e rëndë është për shkak të veprës penale dhe duhet të mbetet në fuqi ende”, tha prokurori Armend Hamiti.

“Refuzohen kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, të propozuara nga mbrojtësit e tyre, avokat Naim Rudari dhe avokat Haxhi Millaku, për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarve, pasi që vlerëson që ndaj të akuzuarve ende nuk kanë ndryshuar shkaqet ligjore për të cilat është vazhduar kjo masë”, tha kryetari i trupit gjykues të rastit, Avni Syla.

Para kësaj, trupi gjykues dëgjoi dëshmitë e Ismet Shabanit e të Rrustem Berishës, që të dy zyrtarë policorë që morën pjesë në vendshikimin dhe hetimin fillestar në ditën e vrasjes. Ata thanë se u qëndrojnë deklarimeve paraprake në raportet e përpiluara, e në pyetjet e shumta që iu shtruan pretenduan shpesh se nuk i kujtojnë hollësitë shkaku i kalimit të një kohe të gjatë që nga vrasja.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prishtinës cek se dy të akuzuarit, në ditën e vrasjes ishin ulur në njërën prej tryezave të lokalit “Bon Vivant” në Prishtinë dhe pasi që menaxheri e udhëzoi Ukën që të merrej me ta, Gërdovci dhe Sherifi, në bashkëkryerje, kanë shtënë me dy fishekë nga arma e zjarrit ndaj të ndjerit.

Seancat e radhës lidhur me rastin janë caktuar të mbahen më 18 nëntor dhe 5 dhjetor, kur dhe pritet të dëgjohen tre dëshmitarë të tjerë.