Kronikë

Dy shtetas të Kolumbisë arrestohen në Prishtinë nën dyshimin për mashtrim

Para të sekuestruara nga Policia në rastin e mashtrimit

Dy shtetas të Kolumbisë janë arrestuar të enjten në Prishtinë, nën dyshimin se kanë kryer disa vepra të mashtrimit. 

Policia ka njoftuar se personat e dyshuar janë një 47-vjeçar dhe një 28-vjeçare, të cilët janë dërguar në mbajtje për 48 orë. 

Në njoftimin e Policisë thuhet se gjithashtu janë sekuestruar edhe një sasi e parave që dyshohet se janë përfituar gjatë kryerjes së veprave të mashtrimit. 

“Personat e arrestuar dyshohet të kenë marrë nga ankuesit (punëtorë të këmbimoreve) shuma të ndryshme parash duke i mashtruar (gjatë ri-numërimit kanë fshehur një shumë parash derisa kanë qenë duke i konvertuar)”, thuhet në njoftim.

Policia ka thënë tutje se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi edhe jashtë rajonit të Prishtinës dhe se numri i personave të mashtruar nga të dyshuarit mund të jetë më i madh sesa që është raportuar.