Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së për KOHËN.
Tutje thuhet se menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë – Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.
Nga QKUK-ja kanë thënë se duke pasur parasysh dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, siç thuhet, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.
“Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin. Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale”, thuhet në njoftim.
Aktualisht thuhet se fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla.
Ndërkohë drejtoresha e Qendrës për punë sociale në Lipjan, Makfire Shamolli, ka thënë se i kanë marrë në përkujdesje edhe 6 fëmijë të tjerë të kësaj familjeje.
Ajo ka thënë se me këtë familje janë marrë edhe më herët. “I kemi marr edhe 6 fëmijë të tjerë të familjes për të ju ofruar siguri”, ka thënë Shamolli.
Sipas Prokurorisë prindërit dyshohen për veprën penale “Shkelja e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
“Në këtë, drejtim Prokurori i rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Ndërkohe, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të ofrojmë detaje lidhur me këtë sepse mund te dëmtohet integriteti i hetimeve dhe mbarëvajtja e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Në raportin e Policisë rasti është cilësuar si “shkelja e detyrimeve familjare”.
“Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që shkel detyrimet e tij ligjore familjare, duke lënë në gjendje të rëndë anëtarin e familjes i cili nuk është në gjendje të kujdeset për vetën e tij, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet burgim.
Sipas Kodit Penal kur vepra penale ka të bëjë me fëmijën, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.