Ardian Hyseni ruan fotografitë që dëshmojnë plagët që djali i tij i ka marrë javën e shkuar në oborrin e shkollës ku vijon mësimin.
Shenjat në fytyrën dhe trupin e 14-vjeçarit, nxënës në shkollën “Dëshmorët e Kombit” në Livoq të Ulët të Gjilanit, janë pasojë e dhunës fizike që, sipas prindit, iu shkaktua nga një person i rritur me inicialet M. H.
Dhuna është ushtruar javën e kaluar në prezencë të nxënësve të tjerë, pas përfundimit të mësimit që organizohet paradite.
Prindi i të miturit që përjetoi dhunë ka thënë se plagët fizike janë shëruar, por gjendja psikike e djalit nuk është e mirë.
“I ka pasur disa mavijosje, ka pasë grithje, shqyerje të rrobave. Ka ndodhë dhunë shumë e madhe nga një person i rritur në një person të mitur”, ka thënë Hyseni. “Gjendja e emocionale nuk është e mirë. Ka frikë se prapë do të ndodhë kjo”.
Ejup Bllaca është drejtor i shkollës “Dëshmorët e Kombit”. Ai tregon se rrahja ndodhi në mes të dy ndërrimeve dhe në sy të 250 nxënësve.
“Motra e viktimës më ka ardhë dhe më ka thirrë: drejtor hajde se po ma rrahin vëllain. Në zyre ka ardhë. Unë me sekretarin kemi dalë menjëherë, u jemi afruar personit, jemi munduar ta ndalojmë. Prej momentit që jemi ardhë ne, nuk e kemi lënë me ushtru dhunë”, ka thënë drejtori Bllaca. “Pas kësaj veç kanë qenë të informuar edhe policia. Ata janë duke u marrë me rastin”.
Drejtori ka përshkruar edhe gjendjen e nxënësit, pas momentit kur i është nënshtruar sulmit fizik në prezencë të nxënësve.
“Ka qenë shumë i stresuar dhe nuk dalke prej zyrës. U frikësojke djali. Për atë edhe ka ardhur prindi, pastaj edhe policia”, ka treguar drejtori Bllaca. “Ngjarja ndodhi mes dy ndërrimeve, ndodhi para afër 250 nxënësve dhe u krijua një shqetësim te të gjithë”.
Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin, i cili është banor i fshatit Livoq i Ulët.
Por, babai i nxënësit që iu nënshtrua dhunës, tregoi për drojën se rasti mund të përsëritet.
“Tash veç ka filluar me inicimin tonë si prindër, ka filluar të shkojë në shkollë, mirëpo e ka frikën që do të ndodhë përsëri ky rast sepse ka dëgjuar prej shokëve se ka me u kthy prapë edhe ka me ndodhë dhuna fizike”, ka thënë Hyseni.
Një familjar i të dyshuarit mohoi se është ushtruar dhunë ndaj nxënësit, por refuzoi të identifikohet dhe ta japë versionin e tij.
E drejtori i shkollës thotë se i dyshuari ka justifikuar veprimin, duke thënë se viktima është kacafytur me nipin e tij.
Për motivin nuk kanë folur në Policinë e rajonit të Gjilanit. Por, në një përgjigje dhënë KOHËS bëhet e ditur se pas arrestimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe se ndaj tij është ngritur kallëzim penal për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.
E, prokuroria nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet për këtë rast.
Ky rast dhune nuk është i izoluar. Në gusht u publikua një video në të cilën shihet një 13-vjeçare në Gjilan tek i nënshtrohet dhunës nga disa bashkëmoshatare të saj.