Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pezullohet drejtori i një shkolle në Gjakovë pas dyshimeve për ngacmim seksual ndaj një të miture

Shkolla

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka njoftuar se e ka pezulluar nga detyra drejtorin e shkollës fillore “Pjetër Bogdani” në fshatin Demjan, N.P., pas dyshimeve për ngacmim seksual ndaj një 17-vjeçare. 

Rasti u bë publik gjatë emisionit “Piranjat” ditën e djeshme, ku u publikuan pretendime dhe materiale që lidhen me këtë çështje. KOHA ka kontaktuar me Policinë për të mësuar më shumë, por ende s’ka marrë përgjigje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E në një reagim, Gjini, që është edhe kandidat për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se ky akt është i papranueshëm dhe thellësisht i rëndë.

“Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm, i cili bie ndesh me moralin njerëzor dhe misionin e shenjtë të arsimit. Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor”, ka deklaruar Gjini.

Gjatë emisionit është përmendur se i dyshuari është pjesë e AAK-së, duke i publikuar një fotografi me Gjinin. Por kryetari i Gjakovës ka thënë se se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021.

“Dua të sqaroj opinionin publik se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021. Megjithatë, si kandidat për Kryeministër dhe nënkryetar i Aleancës, kam kërkuar menjëherë konfirmimin zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të siguruar se ky individ nuk ka asnjë lloj lidhjeje apo angazhimi me ne”, ka shtuar ai.

Gjini ka thënë se institucionet arsimore në Gjakovë do të mbeten të sigurta për fëmijët dhe se çdo shkelje e tillë do të përballet me ligjin.

“Dua të siguroj të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet një mjedis i sigurt për fëmijët tanë, dhe kushdo që tenton ta cenojë këtë siguri do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit dhe me largim të menjëhershëm nga institucionet tona”, ka përfunduar Gjini.

KOMF kërkon masa ndaj drejtorit në Gjakovë për ngacmim seksual ndaj një 17-vjeçareje

Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, KOMF, përmes një reagimi në Facebook u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë të marrin masat e nevojshme që rasti të trajtohet me prioritet.

Tutje thuhet se KOMF kërkon llogaridhënie të plotë dhe transparencë në trajtimin e rastit, në mënyrë që raste të tilla të mos mbeten pa ndëshkim.

“KOMF kërkon forcimin e mekanizmave për verifikim të personelit arsimor, përmes vlerësimit të integritetit profesional, respektimit të standardeve etike dhe mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve në institucionet arsimore, si dhe zbatimin e trajnimeve të detyrueshme dhe të vazhdueshme për stafin mbi mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e abuzimit. KOMF rithekson nevojën për zbatim të plotë dhe efektiv të Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në institucione arsimore, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt, mbrojtës dhe gjithëpërfshirës për çdo fëmijë, duke garantuar gjithashtu mekanizma të sigurt dhe të besueshëm raportimi për fëmijët brenda shkollave”, thuhet në reagim.

Njëkohësisht, KOMF u ka bërë thirrje prindërve, profesionistëve dhe gjithë komunitetit që të tregojnë kujdes të shtuar për mbrojtjen e fëmijëve, të raportojnë dhe reagojnë ndaj çdo dyshimi apo veprimi që cenon sigurinë, integritetin dhe mirëqenien e tyre.

KOMF u ka bërë thirrje edhe fëmijëve dhe bashkëmoshatarëve që të raportojnë çdo sjellje, veprim apo situatë që cenon integritetin, dinjitetin dhe sigurinë e tyre.

“Rastet e tilla po krijojnë një mjedis të pasigurt dhe jo mbrojtës për fëmijët, duke dëmtuar mirëqenien e tyre fizike, emocionale e psikologjike, duke ulur motivimin për ndjekjen e shkollës dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në performancën dhe zhvillimin e tyre arsimor”, thuhet tutje në reagim.

Ministria për rastin e drejtorit të dyshuar për ngacmim seksual: Të trajtohet me prioritet

1 muaj më parë / 20 maj 2026 20:24
Mashti

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shprehur shqetësim lidhur me rastin e raportuar në komunën e Gjakovës për ngacmim seksual nga ana e drejtorit të një institucioni arsimor. 

Ministria përmes një komunikate ka deklaruar se menjëherë pas informacionit, Inspektorati i Arsimit ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë për të siguruar informacionet relevante lidhur me veprimet institucionale të ndërmarra. 

Komisioni disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e drejtorit nga marrëdhënia e punës të mërkurën. I dyshuari ishte drejtor në shkollën fillore “Pjetër Bogdani” në Demjan të Gjakovës. 

“Çdo formë e ngacmimit seksual dhe dhunës dhe abuzimit e keqpërdorimit të pozitës zyrtare në institucionet arsimore është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Institucionet arsimore duhet të jenë mjedise të sigurta dhe mbrojtëse për çdo fëmijë dhe nxënës, ndërsa çdo veprim i dyshuar që cenon integritetin dhe dinjitetin e të miturve duhet të trajtohet me seriozitet më të lartë nga organet kompetente”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria ka shtuar se pret nga të gjitha institucionet përgjegjëse që rasti të trajtohet me prioritet, profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi deri në një dënim meritor, duke garantuar mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të secilit nxënës në institucionet arsimore dhe besimin në institucionet publike. 

“Ministria do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me këtë rast dhe do të ofrojë mbështetjen e nevojshme institucionale në kuadër të kompetencave të saj”, thuhet në fund. 

Drejtori dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 17-vjeçare.