Arbëri

Nxënës 13-vjeçarë demolojnë klasën në Gjilan, alarm për shtim të rasteve të dhunës

demolim

Një video ku një grup nxënësish 13-vjeçarë demolojnë bankat dhe karriget e klasës, ka çuar në suspendimin e pesë prej tyre, ndërkohë që ka alarmuar Këshillin e Prindërve dhe sociologët. Sipas tyre, këto sjellje brenda ambienteve të mësimit po shtohen me të madhe

Me aq sa kishin fuqi, nxënës të shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan dëmtuan bankat dhe karriget brenda klasës së tyre.

Si pasojë e incidentit, pesë nxënës të kësaj klase janë suspenduar për tre muaj, me masën e ndërrimit të shkollës.

Drejtori i shkollës ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur javën e kaluar, ndërsa videoja e incidentit është publikuar të martën.

“Ngjarja ka ndodhur më datë 22.1.2026, gjatë pushimit të gjatë. Nxënësit kanë zhvilluar një lojë të rrezikshme dhe janë incizuar nga një nxënëse. Rasti është trajtuar menjëherë nga stafi shkollor, janë mbajtur takime me prindërit më datë 27.1.2026 dhe janë marrë masa disiplinore sipas rregullores shkollore. Për fat të mirë, nuk ka pasur lëndime fizike dhe inventari i shkollës nuk është dëmtuar. Pas publikimit të videos, drejtoria ka vendosur masa shtesë disiplinore dhe ka ndërmarrë hapa për forcimin e masave parandaluese dhe rritjen e përgjegjshmërisë në ambientet shkollore”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së shkollës.

Sjelljet e shfaqura nga nxënësit 13-vjeçarë janë shqetësuese për Linda Dula-Halilabazin, nënkryetare e Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Sipas saj, sjelljet agresive, rrahjet mes nxënësve dhe bullizimi janë dukuri në rritje brenda shkollave në Kosovë.

“Po të ishin trajtuar më kujdes, po të ishin trajtuar me shpejtësi apo me një përkushtim të shtuar, atëherë nuk do të ndodhnin këto raste më.  Ne e shohim që këto raste ndodhin dhe kanë tendencë të rritjes edhe jo vetëm këto por edhe dukuri tjera negative. Edukata e parë vjen nga familja, shkolla mundohet ta mirëmbajë atë edukatë normal që e kultivon por edukata fillestare vjen nga prindërit dhe familja”, ka theksuar Dula-Halilabazi.

E sociologia Erisa Hajrizi vlerëson se rrjetet sociale po luajnë rol kyç në përhapjen dhe përshkallëzimin e këtyre problemeve.

“Heshtja e bashkëmoshatareve, minimizimi i rasteve nga institucionet e forcojnë këtë fenomen sidomos mosprezenca sociologëve edhe psikologëve nëpër shkolla por njëkohësisht edhe mungesa e pedagogjisë prindërore tek fëmijët e tyre i internalizojnë hala më shumë këto probleme. Zgjedhja për këtë problem kërkon edukim socio-emocional, prani reale të psikologëve në shkolla dhe mekanizma të sigurt raportimi. Të njëjtën kohë duhet që sa më parë të intervenojmë më shpejtë në rrethana të tilla ku rrjetet sociale janë ato të cilat po ‘gufojnë’ këto probleme”, ka deklaruar Hajrizi.

Policia të mërkurën nuk ka ofruar të dhëna, por bazuar në ato të mëhershme, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 287 raste të dhunës nëpër shkolla apo në afërsi të tyre. E në vitin 2025, deri në muajin gusht, policia ka evidentuar 183 raste.

Nxënësit nga Prishtina, të pasuar nga Prizreni, Peja dhe Ferizaj prijnë me këtë dukuri.