Një zyrtar i administratës lokale në Gjakovë është arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Sipas njoftimit për media nga Policia, pasi marrjes së raporteve, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, është zbatuar një masë e veçantë e hetimit me urdhër të Gjykatës kompetente.
Gjatë realizimit të masës janë siguruar prova materiale që lidhen me veprën penale. Paratë që ishin objekt i simulimit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Njoftohet se personi i dyshuar është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, ku ka vendosur të ushtrojë të drejtën për të mbetur në heshtje. Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin kompetent.
Pas intervistimit, prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh ndaj të dyshuarit.
“Hetimet janë në fazë fillestare dhe do të vazhdojnë në drejtim të ndriçimit të plotë të rastit”, thuhet në njoftim.