Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet në Tiranë 20-vjeçari nga Prishtina, po transportonte armë

Një 20-vjeçar nga Prishtina është arrestuar nga Policia në Shqipëri pasi dyshohet për trafikim armësh.

I riu është arrestuar në Tiranë, në afërsi të pallatit “Asllan Rusi”, pasi kishte sjellë nga Kosova në Shqipëri dy armë zjarri pistoleta, krehra e municion luftarak, me qëllim për t’i shitur te persona të tjerë.

Për rrjedhojë, i riu me inicialet L. B., është arrestuar. Ndërkohë, janë sekuestruar armët e zjarrit, makina tip BMW si dhe aparati celular.

“Gjatë kontrollit të automjetit tip ‘BMW’, që 20-vjeçari drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dy armë zjarri pistoleta, me krehër e municion luftarak, të cilat i kishte sjellë në Shqipëri për t’i shitur te persona të tjerë. Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe aparatin celular të 20-vjeçarit. Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, ka njoftuar Policia.