Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm për Edmond Lajçin, i akuzuar për vrasjen e gruas se tij, Gjyljeta Ukella.
Ai ishte dënuar nga Themelorja e Pejës në dhjetor të vitit të kaluar. Ndaj vendimit ishe ankuar mbrojtja e Lajçit.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit ë të akuzuarit Edmond Lajqi, av. Feim Alaj, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.74/2024, të dt.03.02.2025, vërtetohet”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Më 19 nëntor të vitit të kaluar Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj Lajçit, për vrasje të bashkëshortes së tij më 16 prill.
Sipas aktakuzës, vrasja është kryer me dashje brenda banesës ku jetonte çifti.
Sipas aktakuzës, këtë ditë rreth orës 08:00, në banesën e tij në Pejë, i pandehuri me dashje ka vrarë me pistoletë Ukellën. Në këtë dokument tregohet se paraprakisht viktima i ishte nënshtruar edhe dhunës psikike.
Avokatja e familjes Ukella, Fehmije Gashi Bytyqi e ka quajtur dënimin me burgim të përjetshëm të Lajçit satisfaksion moral për familjen.
“Gjykata e Apelit te Kosovës në Prishtinë vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë dhe E.L. dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gjyljeta Ukellës. Si përfaqësuese e fëmijëve të së ndjerës dhe e gjithë familjes Ukella, konsideroj se ky vendim do t’ju shërbejë të tjerëve që vrasja e anëtarit të familjes (në veçanti e gruas) ka ndëshkim të përjetshëm. Gjyljeta nuk kthehet më, por ky dënim është satisfaksion moral për familjen. Unë si çdoherë besoj në objektivitetin dhe ligjshmërinë e gjykatave të Kosovës”, ka shkruar në Facebook avokatja e familjes Ukella, Fehmije Gashi Bytyqi.
E Shpat Ukella, djali i axhës i së nderjës Gjyljeta Ukella, ka falënderuar organet e drejtësisë për vendimin e marrë.
“Sot Gjykata e Apelit e tha vendimin final e s’ka me si të jetë ndryshe përveç burgim i përjetshëm për njerëz që vrasin gruan. Për ne si familje, ky vendim na ka lehtësuar sadopak dhimbjen që e ndjejmë për motrën tonë dhe falënderojmë organet për vendimin e marrë. Ne si familje duam ta falënderojmë edhe njëherë avokaten Fehmie Gashi Bytyqi për punën e madhe të bërë deri më tash”, ka shkruar në Facebook, Shpat Ukella.