Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër J.Th., I.Th., A.Th., të cilët gjenden në paraburgim nga 2 tetori për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, si dhe ndaj L.G., dhe D.G., të cilët gjenden në paraburgim nga 25 shkurti po ashtu për fajde, dhe secili veç e veç ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërsa, ndaj Gj.Th. u ngrit aktakuzë për “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, J.Th., nga muaji maj 2023, e në vazhdimësi deri me datë 02.10.2024, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontraktoi një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit J.A., ku me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëroi se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 euro kamatë.
Në aktakuzë thuhet se deri më 2 tetor 2024, kamatat tek i pandehuri kishin arritur vlerën prej 20.000 euro.
“Me datë 02.10.2024 i pandehuri takohet me të dëmtuarin i cili e njofton se ia ka sjellë shumën prej 5.000 (pesëmijë euro) në emër të kamatës, me ç’rast arrestohet në flagrancë nga policia. Me këto veprime J.Th., ka kryer veprën penale ‘Fajdeja’ sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të pandehurit I.Th., dhe A.Th., duke vepruar në bashkëveprim, ishin takuar me të dëmtuarin, të cilin e paralajmërojnë se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 euro kamata mujore, ndërsa më pas kamata javore 50 euro e më pastaj janë ndryshuar, duke u rritur në kamata në shumë prej 100 euro.
“Si rezultat i këtyre tek të pandehurit e lartpërmendur kamatat kishin arritur rreth 11,000 euro. Me këto veprime, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Fajdeja” sipas KPRK-së’, thuhet tutje.
Të pandehurit D.G., dhe L.G., në bashkëveprim, pasi fillimisht i japin të holla me interes të dëmtuarit J.A., i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare duke mos pasur mundësi kthimi të të hollave, në muajin qershor 2024, në lokalin e të pandehurit D.G., takohet me të njëjtin të cilit në emër të shumës prej 2,500 euro në të cilin përfshihet edhe interesi, të pandehurit D.G., ia jep automjetin e markës VË UP i vitit 2018 i cili automjet në çmim është dukshëm më i lartë, për shumën prej 2,500 euro sa ka pasur t’i jap të pandehurve.
Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja”
Po ashtu, D.G. dhe L.G., secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Aktakuza thotë se i pandehuri Gj.Th., nga nëntori 2024 e deri në shkurt 2025, në lokacione të ndryshme në Prizren, ka nxitur dëshmitarin J.A., që të jap deklaratë të rreme, me qëllim të lehtësimit të procesit gjyqësor të familjarëve të tij - të pandehurve J.Th., I.Th.,dhe A.Th., dhe lirimit të tyre nga masa e paraburgimit, ashtu që i pandehuri në vazhdimësi ka kërkuar nga i dëmtuari që të ndryshojë deklaratën e tij të dhënë më herët kundër të pandehurve, dhe në këmbim të ndryshimit të deklaratës do të hiqet borxhi në tërësi, e duke i premtuar se nuk do të ketë probleme me të pandehurit e lartpërmendur.
Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Prokurori i rastit ka propozuar të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjetit dhe objektit me të cilën është kryer vepra penale si dhe të konfiskohen sendet të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me veprën penale “Fajdeja”.
U konfiskuan automjeti i markës “Daimler Chrysler”, automjeti i markës “Citroën”, Mercedes-Benz, E 220d4 MATIC, BMËX5 xhip, telefona, 2.400 euro, 330 fr. zvicerane, 50 dirhamas (kartëmonedha arabe).