Kronikë

Aktakuzë ndaj një personi, Policia e zuri duke shitur substanca narkotike

Prokuroria Themelore në Prizren

Foto-ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. 

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., me datë 24.01.2025, rreth orës 17:50 min, në fshatin Korishë të Prizrenit, pa autorizim shpërndanë, substanca narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes apo ofrimit për shitje. 

Sipas njoftimit ai u ka shitur substanca narkotike përdoruesve.

“Me datë 24.01.2025, policia pas marrjes së informatave lidhur me të pandehurin, se ishte duke bërë shitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve, vërejnë veturën e markës ‘Golf 2’ e cila  futet dhe del nga shtëpia e të pandehurit, të cilën veturë më pas e kontrollojnë, dhe aty arrijnë të gjejnë nën ulësen e shoferit një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit ‘marihuanë’, dhe më pas rreth orës 20:03 min, gjatë zhvillimit të kontrollit nga ana e policisë, i pandehuri merr një qese te substancës narkotike të cilën e fut nën xhaketë dhe arrin të largohet në pjesën malore afër shtëpisë”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit të shtëpisë, në dhomën e të pandehurit thuhet se janë gjetur një qese me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 15 gramë, një qese me substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 1.76 gram dhe një qese plastike ngjyrë e bardhë brenda saj e një qese ngjyre e zezë e mbushur me substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 663.73 gramë. 

“Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ sipas KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.