Prishtinë– Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 20 vjet burgim Orges Zhugollin, i akuzuar për vrasjen në Gllamnik të Podujevës.
I akuzuari Orges Zhugolli, ngarkohet se më 12 shtator 2023 në Gllamnik të Podujevës, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh për shkak të një konflikti që kishin pasur në komunikacion.
Aktgykimi u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Ertan Sejfulla.
Sipas gjykatësit, ky dënim shqiptohet pas vlerësimit të rrethanave lehtësuese dhe rënduese. Tha se vendimi është marrë me shumicë votash nga trupi gjykues.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.
Kurse, pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në konstest të rregullt juridiko-civil.
Në shpallje mungoi i akuzuari dhe prokurori i shtetit, kurse i pranishëm ishte avokati Naim Rudari.
Gjykatësi Sejfulla në seancën e 27 majit 2025 e shpalli fajtor Zhugollin për veprën penale të “Vrasjes”, ndërsa e liroi nga akuza për “Armëmbajtje pa leje”, për shkak se nuk është provuar se ka kryer veprën penale.
Ndërkaq, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion. /BetimipërDrejtësi