Policia e Kosovës ka publikuar videon kur grabitësit kanë gjuajtur me armë ndaj tyre në Ferizaj gjatë orëve të para të së premtes. Siç ka thënë Policia, cak i grabitësve ishin tre bankomatet që ishin skaj rrugës ku ndodhi incidenti, por sipas autoriteteve, falë intervenimit të shpejtë është parandaluar grabitja.
Policia ka thënë se me të arritur në vendngjarje, të dyshuarit kanë filluar të gjuajnë me armë të gjata ndaj tyre. Policia u kundërpërgjigj, por siç thuhet në njoftim, të dyshuarit arritën të iknin me një veturë karavan në drejtim të panjohur. Dyshohet se në veturë ishin katër persona, që ishin të pajisur me armë të gjata.
Grabitësit kishin arritur që njërin bankomat ta shpërthenin me eksploziv, por pa arritur qëllimin final.
Rasti është cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Grabitje e armatosur e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Policia ka kërkuar ndihmë nëse dikush ka informacion për personat e dyshuar duke njoftuar në aplikacionin “Lajmëro Policinë”, apo në numrat 192, 0290/326-250 & 0290/322-406.
Edhe
Tentohet të grabiten tri bankomate, grabitësit gjuajnë me armë Policinë
Njoftimi i plotë:
Me datën 03.11.2023 rreth orës 04:50 kemi pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë në afërsi të pikës së karburantit "Hib Petrol" në Ferizaj ishte një grabitje e armatosur në proces nga persona të panjohur.
Patrulla e policisë me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë, duke dëmtuar në masë të madhe veturën zyrtare, mirëpo dy policët që ishin në veturë nuk kanë pësuar ndonjë lëndim trupor, ndërsa në shkëmbim të armëve të zjarrit i janë përgjigjur edhe zyrtarët policor dhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë karavan, ngjyrë e zezë, në drejtim të panjohur dhe në veturë dyshohet se ishin 4 persona me armë të gjata.
Ekipe të policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes në asistim të patrullës së policisë, e më pas në vend të ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët rajonal, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar, i cili edhe ai ka dalë në vendin e ngjarjes, i kanë nisur hetimet.
Gjithashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Njësia e Deminimit e Policisë së Kosovës.
Edhe
Arrestohen tre persona në Ferizaj, dyshohen se me AK-47 grabitën një market
Nga hetimet e para hetuesit rajonal kanë mësuar se cak i personave të maskuar ishin 3 bankomatet që gjenden skaj rrugës magjistrale në parkingun e qendrës tregtare " Superviva" në Ferizaj.
Personat e maskuar fillimisht me një mjet plasës kanë shpërthyer njërin bankomat, ndërsa kanë dëmtuar edhe dy bankomatët tjerë, mirëpo falë intervenimit të shpejtë të policisë, posa arrinë patrulla e parë policore, të dyshuarit fillojnë të shtënë në drejtim të veturës së policisë dhe të largohen nga vendi i ngjarjes.
Nga të dyshuarit në këtë rast janë përdorur mjet eksplozivi në bankomat dhe pushkë automatike në drejtim të policëve në veturën e policisë.
Hetuesit rajonal pasi kanë kryer egzaminimet në vendin e ngjarjes, në bashkëpunim edhe me njësitet tjera të policisë rajonale janë në kërkim të personave të dyshuar.
Edhe
Vrasje në tentativë në magjistralen Prishtinë-Ferizaj
Rasti është cilësuar " Vrasje e mbetur në tentativë, grabitje e armatosur e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë.