Kronikë

Policia jep detaje për vrasjen e mbrëmshme në Klinë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person ka vdekur ndërkaq dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në parkingun e një restoranti, në fshatin Volljakë të Klinës, mbrëmjen e së enjtes.

Në njoftimin e lëshuar të premten, Policia ka thënë se pesë persona janë arrestuar lidhur me rastin.

“Policia menjëherë i është përgjigjur vendit të ngjarjes, dhe është kuptuar se tre (3) persona kanë pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe mjete të forta. Viktimat fillimisht janë dërguar në QKMF-Klinë, e më pas në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e njërit nga të lënduarit. Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, prokurori i shtetit, pas një pune intensive operative dhe hetimore është arritur të identifikohen dhe arrestohen pesë të dyshuar në rast: A.G. lindur më 1980, N.G. i lindur më 1992, A.G., i lindur më 1998, B.G., lindur më 1985, dhe B.G., i lindur më 1974

Pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh. Ndërkaq, trupi i pa jetë i viktimës me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore për obduksion.

KOHA ka raportuar më herët të premten se pesë të arrestuarit janë katër vellëzër dhe axha i tyre. Katër prej tyre janë arrestuar për kryerjen e vrasjes, ndërkaq tjetri për dhënien e ndihmës pas kryerjes së vrasjes.