1 perditesime
Kronikë e zezë

Me të dyshuarin për vrasjen në Mitrovicë ishte një polic jashtë detyrës

Me të dyshuarin për vrasjen në Mitrovicë ishte një polic jashtë detyrës
16:15

Me të dyshuarin për vrasjen në Mitrovicë ishte një polic jashtë detyrës

Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë dhënë detaje për rastin e vrasjes që ka ndodhur të shtunën paradite në Tregun e Gjelbër në këtë komunë. Sipas një njoftimi nga Prokuroria, bashkë me të dyshuarin për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve ishte edhe një zyrtar policor jashtë detyrës.

Një nga të plagosurit ka qenë kalimtar rasti.

Rasti ka ndodhur rreth orës 11:30. Si pasojë e konfliktit, u lënduan tre persona që u dërguan në Spital të Mitrovicës, ndërsa një nga ta nuk u rezistoi plagëve. Trupi i tij është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Policia ka bërë të ditur se i vrari është V.F., 27-vjeçar.

“Prokuroria njofton opinionin se me të dyshuarin ka qenë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, por sipas informacioneve të para i njëjti nuk është kryerësi i vrasjes. Rasti është kualifikuar ‘Vrasje e rëndë’, dhe është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit në koordinim me Njësitin e Hetimeve Rajonale të Policisë në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dy të plagosurit vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor. E i dyshuari është arrestuar dhe po ashtu po merr trajtim mjekësor. I arrestuari është Sh.A. 35-vjeçar. Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor.

13:20

Një i vrarë e dy të plagosur në Mitrovicë

Një person ka mbetur i vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë një përleshjeje me armë zjarri në Mitrovicë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 të së shtunës. Policia ka thënë se është arrestuar një person, i cili po ashtu është lënduar dhe po merr trajtimin mjekësor.

“Policia ka kuptuar se një person mashkull kosovar, ka shtënë në drejtim të tre personave të cilët janë të plagosur, të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Gjithashtu edhe i dyshuari është i lënduar, i njëjti është arrestuar nga njësitë policore dhe është dërguar për tretman mjekësor. Raportohet se një nga të plagosurit ka ndërruar jetë. Njësitet policore po vazhdojnë ta trajtojnë rastin”, ka thënë zëdhënësi i Policisë Avni Zahiti.