1 perditesime
21:19

Vdes i plagosuri sot në Repë të Podujevës

I plagosuri në Repë të Podujevës, ka vdekur. Lajmin e ka bërë të ditur zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Bajram Krasniqi, përcjell KP-ja.

Gjatë ditës së sotme, pas një mosmarrëveshje, ishte vrarë një person, ndërkohë që një tjetër është plagosur. Tash edhe i plagosuri ka vdekur, pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të mara.

“I plagosuri në fshatin Repë, i cili ishte sjellë në QKUK, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë, ai është 41-vjeçar”, ka thënë Krasniqi.

Të dy viktimat janë vëllezër, teksa dyshohet se u vranë nga fqinji i tyre 65 vjeçar.

Sipas KP-së, dyshohet se deri te vrasja erdhi për çështje pronësie.

Dorasi ende është në arrati.

16:00

Një i vrarë dhe një i plagosur në Repë të Podujevës

Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur të shtunën në fshatin Repë të Podujevës. Këtë e ka bërë të ditur për KP, zëdhënësi në Policinë e Kosovës, Bajram Krasniqi.

Sipas tij, rreth orës 13:00 policia mori informatën se në Repë ka pasur të shtëna me armë.

“Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Repë të Podujevës. Menjëherë në vendngjarje janë nisur njësitë policore. Është njoftuar edhe ekipi mjekësor emergjent. Nga përdorimi i armëve të zjarrit një person ka humbur jetën. Kjo është konstatuar nga ekipi mjekësor. Një person tjetër është plagosur. Policia në këto momente është duke e trajtuar rastin”, ka thënë Krasniqi.