INPO shpreh shqetësim lidhur me tendencën e komunës së Ferizajt që zgjedhjet e kryetarëve të këshillave lokale t’i organizojë në mënyrë të ngutshme dhe jo transparente.
Komuna e Ferizajt në bazë të njoftimit të datës 31 maj 2019, planifikon që përgjatë periudhës 5 qershor 2019 deri më 23 qershor 2019 t’i organizojë zgjedhjet e kryetarëve të këshillave lokale, proces ky që nuk është bërë për më shumë se katër vjet. INPO vlerëson që përkundër rëndësisë së jashtëzakonshme që ka funksionalizimi i këshillave lokale, i barasvlershëm është edhe moslëndimi i këtij procesi, respektivisht transparenca institucionale në organizimin e këtyre zgjedhjeve.
INPO qysh më 11 tetor 2018 ka parashtruar kërkesë dhe ka shprehur interesim për monitorimin e zgjedhjeve për kryetarë të fshatrave dhe lagjeve urbane në komunën e Ferizajt, mirëpo nuk ka marrë asnjëherë përgjigje lidhur me kërkesën në fjalë. Mbyllja, respektivisht jo transparenca lidhur me këtë proces lë të besohet se ky proces do të jetë i politizuar, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. Po ashtu, mos prezenca e shoqërisë civile dhe shmangia nga kontributi monitorues i tyre, siguron që nuk do të ketë informata se a janë plotësuar kriteret minimale të pjesëmarrjes së qytetarëve në këto zgjedhje.
Tendenca e komunës që zgjedhjet të organizohen pas një periudhe lajmërimi prej pesë ditësh është e papranueshme. Komuna do të duhej që këtë periudhë lajmërimi ta kishte së paku pesëmbëdhjetë ditë, në mënyrë që të informohen sa më shumë qytetarë për këtë proces shumë të rëndësishëm për interesat e tyre.
Komuna nuk ka pasur durim të pret hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ nr.01/2019 për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunave me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane, të përpiluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili pritet të hyjë në fuqi brenda muajit qershor. Udhëzimi në fjalë sjell shumë rregullativa të reja lidhur me këtë çështje të cilat do të ndikonin në mirëfunksionimin e këshillave lokale, sidomos atë se kryetarët e këshillave parashihet të marrin kompensim nga komuna, e cila vlerësohet si promotor i angazhimit të tyre. Vlerësojmë se komuna duhet të presë edhe pak ditë, meqë ka pritur për këtë proces më shumë se katër vite, në mënyrë që këto zgjedhje të organizohen me udhëzim të ri.