Arbëri

Drejtoritë komunale pa drejtorë

Dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, shumica e komunave të mëdha në vend nuk i kanë emëruar të gjithë drejtorët e departamenteve. Nga shtatë komunat më të mëdha, vetëm Ferizaj ka arritur ta kompletojë përbërjen e plotë të qeverisjes komunale

Nga shtatë komunat më të mëdha në vend, vetëm Ferizaj e ka kompletuar përbërjen e qeverisjes komunale, dy të tjera e kanë nisur këtë procedurë e në katër nuk është bërë e ditur për ndonjë emërim.

Më 12 tetor dhe 9 nëntor të vitit të shkuar janë mbajtur dy raundet e zgjedhjeve lokale. Mirëpo qysh atëherë, një pjesë e madhe e komunave nuk e kanë kompletuar ekipin qeverisës.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, 11 drejtorët komunalë i ka emëruar më5 dhjetor, dy ditë pas seancës inauguruese të asamblesë.

“Më datën 5 dhjetor 2025, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka emëruar drejtorët e drejtorive komunale, gjersa kryesuesi i Kuvendit të Komunës është zgjedhur më 3 dhjetor 2025 në seancën inauguruese të Kuvendit të Komunës dhe kryetarit të Komunës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Ferizajt.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj deri tash, në Facebook ka njoftuar për emërimin e pesë drejtorëve komunalë.

Komuna e Mitrovicës së Jugut tek të dielën ka zgjedhur kryesuesin e Kuvendit Komunal, me ç‘rast ka shmangur shkuarjen në zgjedhje për asamble. Kryetari Faton Peci nuk ka njoftuar për emërime të drejtorëve.

Edhe Komuna e Gjilanit kryesuesin e Kuvendit Komunal e ka zgjedhur më 2026, e për emërime të drejtorëve nuk ka publikuar njoftime.

As Komuna e Prishtinës nuk e ka kompletuar ekipin qeverisës.

E kryetarët e Gjakovës e Pejës nuk kanë njoftuar për emërime në drejtoritë komunale. Këto dy komuna, e as e Prizrenit, e Mitrovicës së Jugut dhe Gjilanit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë temë.

Ndërkohë kompletimin e kabinetit qeverisës e kanë konfirmuar kryetarë të disa komunave më të vogla.

Ferit Idrizi i Vushtrrisë ka thënë se të hënën ka mbajtur takim njoftues me drejtorët e departamenteve. 

“Po, i kemi kompletuar të gjitha organet. Kryesuesi i Kuvendit Komunal është zgjedhur atë ditë që e kemi dhënë betimin anëtarët e Kuvendit, po atë ditë është zgjedhur, ndërkaq drejtorët e drejtorive janë emëruar të gjithë”, ka thënë Idrizi. 

Halil Thaçi i Obiliqit ka deklaruar se ka mbetur vetëm një drejtori pa udhëheqës, të cilin, siç ka thënë, do ta emërojë së shpejti.

“Është zgjedhur kryesuesi i Kuvendit dhe janë emëruar drejtorët, përveç në bujqësi ende s’e kam emëruar”, ka thënë Thaçi.

Në një përgjigje nga Komuna e Podujevës thuhet se kryetari Shpejtim Bulliqi ka emëruar gjashtë nga 11 drejtorët.

Në Komunën e Malishevës kanë thënë se kryetari Ekrem Kastrati nuk ka zgjedhur ende kabinetin qeverisës, mirëpo në përgjigje theksohet se kjo nuk paraqet problem, pasi kryetari është i njëjti.

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale është mbajtur më 12 tetor, kurse i dyti më 9 nëntor.