Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

INPO: Procesi zgjedhor për kryetarë të këshillave lokal në Ferizaj duhet të anulohet

Organizata INPO është thellësisht e zhgënjyer me këmbënguljen e ekzekutivit të komunës së Ferizajt që zgjedhjet e këshillave lokale të mbahen në mënyrë tinëzare, pa pjesëmarrje të qytetarëve dhe të nxirren përfaqësues jo legjitim.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se përkundër thirrjeve të Organizatës INPO, komuna e Ferizajt më 05 Qershor 2019 ka filluar procesin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarëve të këshillave lokale, fillimisht në fshatrat: Rahovicë, Mirosalë dhe Pojatë.

INPO nga burimet e saj prezente thotë se në këto lokacione pjesëmarrja e qytetarëve ishte shumë e ulët, kështu duke mos u plotësuar kriteret minimale që këto zgjedhje të jenë legjitime, transmeton Koha.net.

INPO në reagimin e saj të datës 03 Qershor 2019 ka theksuar që “një proces i kontestuar i zgjedhjeve lokale do të barte pasoja në gjithëpërfshirjen e qytetarëve në këtë proces zgjedhor, besueshmërinë e qytetarëve ndaj të zgjedhurve që dalin nga ky proces, dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor dhe pjesëmarrjes së ekzekutivit të komunës në organizimin e zgjedhjeve të këshillave lokale.”

Tendenca kryeneçe e komunës së Ferizajt që ky proces të lëndohet qysh në fillim, respektivisht pa një kohë të mjaftueshme të informimit të qytetarëve dhe pa transparencë, e ka si produkt të saj mospjesëmarrjen e qytetarëve, përkatësisht mos përfaqësim meritor të tyre. Një proces zgjedhor pa pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve, respektivisht pa u plotësuar kriteret minimale të pjesëmarrjes së qytetarëve është jo legjitim dhe jo demokratik. Një proces jo legjitim dhe jo demokratik shtron nevojën që i tërë procesi të anulohet.

Edhe INPO kërkon ndërprerjen e procesit zgjedhor për kryetar të fshatrave të Ferizajt Arbëri INPO kërkon ndërprerjen e procesit zgjedhor për kryetar të fshatrave të Ferizajt

Kryetarët e këshillave lokal që eventualisht do të dalin nga këto zgjedhje nuk do ta përfaqësojnë qytetarin e komunës së Ferizajt, sepse ky proces është jashtë çdo standardi demokratik, të njëjtit do të përfaqësojnë interesat e subjekteve politike, përkatësisht interesat e atyre që insistojnë që ky proces të vazhdoj dhe të përfundoj pa u zbatuar asnjë kriter që këto zgjedhje të jenë kredibile.

Organizata INPO, sikurse në kërkesën e datës 11 Tetor 2018, edhe sot shpreh vullnetin që ta ndihmoj komunën në këtë proces duke filluar nga faza e lajmërimit gjithëpërfshirës deri tek përfundimi i procesit duke zbatuar kriteret esenciale në mënyrë që ky proces të jetë demokratik, sepse ka vullnetin edhe përvojën në këtë fushë. E gjithë kjo bëhet për shkak të rëndësisë që kanë këto zgjedhje dhe të misionit që INPO ka në qeverisjen e mirë dhe rritjes së cilësisë së qeverisjes lokale.