Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

SHBA-ja nuk do të largohet nga NATO-ja, por kjo aleancë po dobësohet

Duket sikur tashmë aleatët evropianë e kanë kuptuar se derisa Trumpi të jetë në Shtëpinë e Bardhë, ai do të jetë i paparashikueshëm dhe do të vërë në dyshim përkushtimin amerikan ndaj NATO-s. Edhe nëse Trumpi nuk do t’i zbatojë kërcënimet e tij, ai me këtë sjellje tashmë e ka dëmtuar NATO-n, ani se deri vonë thoshte se e ka forcuar pasi i ka shtyrë vendet evropiane të rrisin në 5 për qind të bruto-prodhimit vendor investimet në mbrojtje. Forca ushtarake e NATO-s nuk do të ketë shumë vlerë nëse brenda saj nuk do të ketë unitet politik.

Aleatët evropianë në NATO edhe një herë u përballën me sfidën se a duhet ta kuptojnë seriozisht presidentin amerikan, Donald Trump, apo është më mirë që të injorojnë nganjëherë deklaratat e tij.

Trumpi përsëri kërcënoi me largimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i thënë gazetës britanike se ai është duke e shqyrtuar këtë mundësi. Për më tepër e quajti NATO-n si një “Tigër prej letre”, duke thënë se “edhe Putini e di këtë”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në të kaluarën kur ndonjë president amerikan do të thoshte se po shqyrton largimin nga NATO-ja kjo do të kuptohej si shok dhe realisht do të thoshte edhe fund i NATO-s. Kjo, pasi të gjithë presidentët amerikanë para Trumpit i kanë matur tepër mirë fjalët kur kanë folur për NATO-n. Sa herë që kanë kritikuar vendet evropiane se nuk po investojnë sa duhet në mbrojtje, e kanë thënë këtë në mënyrë të qartë, por pa e vënë në dyshim ekzistencën e aleancës. Dhe asnjë president para Trumpit nuk ka lënë pa thënë se NATO-ja është aleanca më e fortë ushtarake që ka njohur njerëzimi dhe se SHBA-ja asnjëherë nuk do ta kthejë shpinën nga aleatët e tyre.

Por Trumpi sa herë që hidhërohet me aleatët, apo me ndonjë nga aleatët, kërcënon me tërheqje amerikane, apo me mosgatishmëri për t’i mbrojtur aleatët e në dy raste, atë të Grenlandës dhe Kanadasë, ka kërcënuar edhe me okupimin e tyre.

Kësaj radhe, Trumpi u hidhërua keq me refuzimin e aleatëve evropianë që të angazhohen ushtarakisht në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, për të mundësuar kalimin e tankerëve me naftë që janë ngujuar në atë pjesë për shkak të luftimeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Është hidhëruar edhe për refuzimin e disa vendeve të NATO-s që të mos lejojnë shfrytëzimin e bazave në territorin e tyre për sulme ndaj Iranit. Trumpi këto i merr si dëshmi se “kur Amerika ka nevojë, NATO-ja nuk do ta ndihmojë”.

Por vendet evropiane të NATO-s pohojnë se lufta kundër Iranit nuk është e tyre, se ajo ndodh jashtë territorit të NATO-s, dhe nuk janë të obliguar të përfshihen sipas artikullit 5 të Traktatit të Atlantikut të veriut për mbrojtje kolektive. Dhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë kërkuar formalisht aktivizimin e artikullit 5 të NATO-s, sipas të cilit të gjitha vendet do të duhej t’i vijnë në ndihmë vendit që është sulmuar.

Duket sikur tashmë aleatët evropianë e kanë kuptuar se derisa Trumpi të jetë në Shtëpinë e Bardhë, ai do të jetë i paparashikueshëm dhe do të vijë në dyshim përkushtimin amerikan ndaj NATO-s. Edhe nëse Trumpi nuk do t’i zbatojë kërcënimet e tij, ai me këtë sjellje tashmë e ka dëmtuar NATO-n, ani se deri vonë thoshte se e ka forcuar, pasi i ka shtyrë vendet evropiane të rrisin në 5 për qind të brutoprodhimit vendor investimet në mbrojtje. Forca ushtarake e NATO-s nuk do të ketë shumë vlerë nëse brenda saj nuk do të ketë unitet politik.

Largimi amerikan nga NATO-ja do të ishte i dëmshëm për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo aleancë, e cila u themelua saktësisht para 77 vjetësh, vërtet mbrojti kryesisht Evropën gjatë Luftës së Ftohtë, ndërhyri në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, por ajo u shërbeu edhe interesave amerikane. Edhe pse në fuqinë ushtarake të NATO-s SHBA-ja përbën mbi 70 për qind të kësaj force, edhe ato 30 për qind të vendeve të tjera janë forcë e jashtëzakonshme.

Ndoshta në BE dhe NATO nuk i marrin kësaj radhe shumë seriozisht kërcënimet e Trumpit për dy arsye; e para - ai edhe sipas ligjeve amerikane e ka gati të pamundur të tërheqë vendin nga NATO-ja. Dhe së dyti nga rritja e investimeve në mbrojtje nga vendet evropiane do të përfitojë shumë edhe Amerika, e cila ka prodhimet superiore të pajisjeve ushtarake dhe armatimit që do t’ua shesë aleatëve.

Sipas një Ligji të miratuar në Kongres, e që për ironi ishte propozuar nga sekretari i tashëm i Shtetit, Marko Rubio, vetëm Senati dhe atë me votat prej 2/3, mund të autorizojë largimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga NATO-ja. Dhe këtë shumicë nuk e ka sot e vështirë se do ta ketë në të ardhmen. Madje, edhe sot ka shumë senatorë dhe kongresistë republikanë, të cilët në këtë pikë, pra kur është fjala për NATO-n, janë kundër Trumpit. Javën e shkuar bashkëkryesuesit e Grupit të senatit për mbikëqyrjen e NATO-s, Thom Tillis nga Republikanët dhe Jeanne Shahen nga Demokratët lëshuan një deklaratë dypartiake ku çdo ide për largimin e SHBA-së nga NATO-ja e hedhin poshtë dhe e quajnë “ëndërr të madhe të Putinit”. Ata rikujtuan se ushtarët nga vendet aleate luftuan dhe dhanë jetën bashkë me amerikanët, e po ashtu rikujtuan se vetëm Kongresi dhe populli amerikan kanë mandat për të vendosur për fatin e SHBA-së në NATO.

Test i rëndësishëm për NATO-n do të jetë sërish samiti i kësaj aleance, i cili në muajin korrik do të zhvillohet në Ankara të Turqisë. Deri atëherë, Trumpi mund të japë shumë deklarata të ndryshme. Ato ndoshta nuk do të pasohen me ndonjë veprim të largimit nga anëtarësia. Mund të ndodhë vetëm të vendosë për zvogëlimin e numrit të ushtarëve në Evropë. Por edhe pa veprime konkrete, këto deklarata do të vazhdojnë ta dëmtojnë aleancën transatlantike.