Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Uzbekistani në Botëror për herë të parë, investimi i Qeverisë jep rezultat

Uzbekistan

Kualifikimi i Uzbekistanit në Kupën e Botës për herë të parë shënon pikën kulmore të një ngjitjeje të qëndrueshme drejt niveleve të larta të lojës globale, gjatë 35 vjetëve që nga fitimi i pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Që nga janari i vitit të kaluar, Abdukodir Khusanov i Manchester Cityt është fytyra e njohur ndërkombëtarisht e vendit, pas transferimit në Premier League. Ai transferim ka ndikuar në rritjen e profilit të vendit aziatik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mbrojtësi 22-vjeçar mishëron ndikimin që një sërë iniciativash të mbështetura nga qeveria kanë pasur në sportin në vend, duke dhënë një grup gjithnjë në rritje të lojtarëve të talentuar, të gatshëm për të performuar në skenën më të madhe.

“Kualifikimi i Uzbekistanit në Kupën e Botës është një moment përcaktues jo vetëm për futbollin, por për sportin dhe identitetin kombëtar në gjithë vendin tonë”, thotë Otabek Umarov, nënkryetar i Komitetit Olimpik të Uzbekistanit.

“Si vendi i parë i Azisë Qendrore që arrin Kupën e Botës, ky sukses bashkon 38 milionë njerëz në krenari dhe gëzim të përbashkët”.

Khusanov dhe shokët e tij të ekipit të Uzbekistanit kanë përfituar ndjeshëm nga investimet qeveritare në infrastrukturën e futbollit, me minifusha të ndërtuara në të gjithë vendin. Janë plot 15 mijë fusha shkollore që po rinovohen.

Është krijuar edhe një rrjet shkollash të dedikuara për futboll, që mbështet zhvillimin e më shumë se 65 mijë lojtarëve të rinj. Po bëhen plane për një stadium të ri me kapacitet prej 55 mijë vendesh, që do të jetë më i madhi në Uzbekistan.

“Çdo para e shpenzuar ishte pjesë e një strategjie të qëndrueshme dhe afatgjatë. Rezultatet flasin vetë”, tha Umarov.

Ai ka përmendur kualifikimin në Botëror, kalimin e Khusanovit në Premier League dhe vendin e 13-të në Lojërat Olimpike të Parisit.

Fituesi i Kupës së Botës, italiani i famshëm, Fabio Cannavaro, është selektor i Uzbekistanit. Kjo përfaqësuese e fillon Botërorin ndaj Kolumbisë, përpara se të përballet me Kongon dhe Portugalinë.
Te përfaqësuesja presin që paraqitja në Kupë të Botës të frymëzojë miliona të rinj, jo vetëm në Uzbekistan por edhe në gjithë Azinë Qendrore. Dhe zhvillimi i futbollit në Uzbekistan pritet të jetë edhe më i hovshëm.