Kolumne

Një bullgar në Gazë: kush është Nikollai Mlladenov?

Ndërsa Donald Trump synon të merret me “probleme globale”, zyrtari që do të kryejë punët operative në Rripin e Gazës të shkatërruar pothuaj plotësisht nga Izraeli vjen nga Ballkani. Nikollai Mlladenov ka një karrierë impresive - dikur edhe si punëtor i armikut më të madh të Donald Trumpit

1.

Fjalimi i Donald Trumpit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës më 21 janar ishte një shou i madh. Për Grenlandën tha: ma jepni atë copë akull. Për islandezët tha se e quajnë “babë” (duket se këta të shkretë i ngatërroi me banorët e Grenlandës). Kanada, tha ai, jeton prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, andaj tregoi se nuk i ka pëlqyer fjalimi i bujshëm i kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney (“Mendo për këtë, Mark, kur të bësh deklarata të tilla herën tjetër”). Trump e talli pak presidentin e Francës, Emmanuel Macron, “me ato syzet e bukura të diellit”, i cili refuzon të ulë çmimet e ilaçeve.
Mandej i erdhi radha Zvicrës, vendit mikpritës dhe “të mrekullueshëm”, sipas Trumpit. Pa SHBA-në, tha Trump, Zvicra nuk do të ishte Zvicër, ajo shet, ne paguajmë, ky ishte mesazhi i Trumpit (natyrisht larg së vërtetës. Po, Zvicra shet, por ka produkte të mira, të cilat e lënë në hije konkurrencën në tregun botëror. Nëse ky është faji i Zvicrës…). Pa ia përmendur emrin, Trump e shpotiti ministren e Financave të Zvicrës, e cila në një bisedë telefonike e kishte lutur të mos vendoste tarifa të larta kundër Zvicrës. Trump tha se nuk e dinte si quhej politikania zvicerane dhe a ishte presidente apo kryeministre. (Zvicra nuk ka kryeministër; qeveria përbëhet nga 7 ministra; secili prej tyre për një vit ushtron edhe postin ceremonial të presidentit të Zvicrës).  Të nesërmen, më 22 janar, shou vazhdoi me prezantimin e të ashtuquajturit “Bord i Paqes”, ku prej 193 shteteve të botës vetëm 19 erdhën për t’i bërë temena të eturit për ligjërime egocentrike. Revista amerikane “Foreign Policy” e quajti “Bordin e Paqes” një “Bord të Përçarjes”, i cili nuk është as alternativë ndaj OKB-së, as projekt i padëmshëm prestigji, por një kërcënim për bashkëpunimin ndërkombëtar.

2.

Fillimisht ideja ishte që “Bordi i Paqes” të merret me rindërtimin e Gazës së shkatërruar nga sulmet joproporcionale izraelite. Por Trump nuk ka kohë të merret me këso detajesh. Ai e ka ndarë bordin në tri nivele. Niveli i parë: “Bordi i Paqes” i kryesuar nga Trumpi (e ka zgjedhur veten në atë post përjetësisht!), shoqëruar me familjarë të tij, këshilltarë të tij dhe miq nga biznesi i patundshmërive dhe ca pasanikë. Ky është bordi i themeluesve. Pas tij qëndrojnë shtetet që kanë pranuar të jenë pjesë e klubit të Trumpit (vetëm 35). Mandej - niveli i dytë - ekziston një bord i zgjeruar ekzekutiv, i cili do të merret me Gazën. As në këtë bord nuk ka palestinezë, për të ardhmen e të cilëve po vendoset. Përfaqësues i lartë për Gazën do të jetë diplomati bullgar, Nikollai Mlladenov. Ai do të bashkëpunojë e do të mbikëqyrë një komitet me palestinezë, të cilët do të merren me punë operative në terren. Pra, Mlladenov është njeriu ndërlidhës me qeverinë teknokrate palestineze nën udhëheqjen e Ali Shaath. Ky i fundit, inxhinier ndërtimi dhe ish-zëvendësministër i Autoritetit Palestinez, konsiderohet si ekspert me përvojë në administrim. Mlladenov sjell me vete rreth dy dekada përvojë në Lindjen e Mesme. Që në vitin 2006, ai këshilloi parlamentarët irakianë për çështje të mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Më vonë, nga viti 2013 deri më 2015, Mlladenov shërbeu si i dërguar special i OKB-së për Irakun, përpara se të ushtronte për pesë vjet detyrën e koordinatorit të OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

3.

Në atdheun e tij, ish-ministri i Jashtëm dhe i Mbrojtjes konsiderohet si specialist për misione të pamundura, menaxher krizash dhe fytyra ndërkombëtare e Bullgarisë. Fakti që ai e përfundoi mandatin e tij si i dërguar special i OKB-së për Izraelin dhe territoret palestineze në vitin 2020 pa ndonjë sukses të rëndësishëm nuk e dëmtoi reputacionin e tij.

Mirënjohja për punën e tij shtrihej përtej Lindjes së Mesme. Në qarqet diplomatike thuhej se Mlladenov kishte vepruar në prapaskenë si një teknokrat dhe pa patos. Gjithsesi, gjatë mandatit të tij, ai kontribuoi në parandalimin e një eskalimi të mëtejshëm midis Hamasit dhe Izraelit.

Në një bilanc të punës së tij, “New York Times” citoi politikanë palestinezë dhe izraelitë që e përshkruanin Mlladenovin si “një ndërmjetësues shumë të ndershëm”, tek i cili mund të mbështetesh.

4.

Mlladenov rrjedh nga një familje që i përkiste nomenklaturës së privilegjuar të sistemit komunist. Babai i tij punonte për shërbimin sekret të diktaturës bullgare - ekuivalenti i KGB-së sovjetike - ndërsa xhaxhai i tij bëri karrierë si ambasador. Edhe pas kthesës demokratike në fund të vitit 1989, statusi i elitës së vjetër u ruajt: pasuria e grumbulluar gjatë sundimit komunist u hapi rrugën shumë fëmijëve të funksionarëve drejt universiteteve perëndimore.

Kështu ndodhi edhe me Mlladenovin: Pas studimeve për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Sofje, në mes të viteve ‘90 ai u zhvendos në Londër për të kryer një master në të mirënjohurin King’s College.
Ideologjikisht, Mlladenov u tregua fleksibil. Në fund të viteve ‘90, ai punoi në Sofje për fondacionin liberal “Soros” - një rrjet i themeluar nga filantropi amerikan George Soros për promovimin e demokracisë në botë. Trump e cilëson Sorosin si armik dhe si financues të demokratëve amerikanë, si dhe të lëvizjes globale “woke”.

5.

Karrierën e tij aktive politike Mlladenov e filloi në partinë konservatore Gerb të kryeministrit Bojko Borisov. Në vitin 2001, Mlladenov u zgjodh në Parlamentin bullgar, ndërsa më 2007, pas anëtarësimit të vendit në BE, ai hyri në Parlamentin Evropian.

Si ministër i Jashtëm, Mlladenov organizoi në vitin 2012 takimin e parë të opozitës siriane në Bullgari. Ndonëse dështoi t’i bashkonte kundërshtarët e pushtetmbajtësit të atëhershëm Bashar al-Asad, diplomati nga Bullgaria u profilizua si ndërmjetës në konflikte të bllokuara.

Në të njëjtin vit, ai bashkëpunoi ngushtë me shërbimet e sigurisë izraelite, pasi një atentator vetëvrasës kreu një sulm ndaj turistëve izraelitë në bregdetin e Detit të Zi. Bullgaria dhe Izraeli bënë përgjegjëse milicinë terroriste libaneze Hezbollah për këtë akt gjakatar.

Pavarësisht reputacionit të tij të mirë si “zjarrfikës” diskret në rajone konflikti, biografia e Mlladenovit nuk është krejtësisht e patëmetë. Në vitin 2021, emri i tij u shfaq në “Pandora Papers”, të cilat demaskuan qindra politikanë në lidhje me biznese të dyshimta “offshore” dhe manipulime tatimore.
Diplomati pranoi se, me ndihmën e konsulentëve zviceranë të ndërmarrjeve, kishte themeluar një shoqëri offshore në Ishujt Sejshell. Megjithatë, ai tha se kompania nuk kishte qenë “asnjëherë aktive” dhe nuk kishte kryer transaksione parash.

Është herët të parashikohet nëse Mlladenov do ta çojë drejt suksesit misionin e pamundur në Gazë. Ai e sheh origjinën e tij si avantazh. “Unë vij nga Ballkani”, i tha ai “New York Times” në vitin 2021. “Ne kemi zhvendosur kufij. Kemi luftuar për vende të shenjta, gjuhë dhe kisha. Kemi shkëmbyer popullsi për mbi njëqind vjet, nëse jo më gjatë. Dhe kur e mbart këtë barrë me vete, kjo të ndihmon t’i shohësh gjërat pak më ndryshe. Ky nuk është një konflikt ku thjesht mund të hysh dhe të vizatosh një vijë. Ai është emocional.” Kësaj radhe Mlladenov nuk e kishte fjalën për Ballkanin, por për konfliktin e përhershëm në Lindjen e Mesme.