Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
INTERAKTIV

Abrashi: Problemi në MPJ s’është te gradat, por te ligji

Hulumtuesi i politikës së jashtme, Emir Abrashi, ka thënë se Ligji për Shërbimin e Jashtëm do të sjellë vazhdimisht probleme në çështjen e gradimeve në diplomaci, nëse nuk i bëhen ndryshimet e shpejta.

“Kur flasim për gradimet në MPJ, janë gjithmonë problematike dhe s’është hera e parë që Kosova ballafaqohet me gradime që kontestohen. Gjithmonë është raportuar për shkelje në secilin proces. Duhet të kemi parasysh se problemi me gradimet e fundit s’është me procedurën. Procedura është bërë konform ligjit në fuqi për Shërbimin e Jashtëm, por problem ka qenë fakti që aplikimi për gradime ka qenë i hapur për të gjithë shërbyesit e MPJ-së, megjithatë vetëm tetë janë graduar. Është problematikë e cila do të thotë ngre pikëpyetje se a është fer i gjithë ky proces dhe pse janë vetëm tetë të graduar”, ka thënë fillimisht ai duke përmendur vetëm katër ngritje në grada në diplomaci viteve të fundit.