“Ministrja ka lëshuar vendime sporadike për përfundim mandati, ndërprerje mandati para afatit të përcaktuar ligjor apo transferim nga një mision në tjetrin pa asnjë bazë ligjore. Sipas shoqatës, në të njëjtën kohë, disa të tjerë i mban nëpër misione me dy e më shumë mandate apo ka dërguar në mision jashtë vendit pa e kaluar së paku periudhën kohore të përcaktuar me ligj të shërbimit në MPJD dhe pa gradë diplomatike”, thuhet në një komunikatë të sindikalistëve të Shërbimit të Jashtëm
Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ), nëpërmjet një komunikate ka shprehur shqetësimin të premten me veprimet brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) të cilat, sipas shoqatës, sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe mosdiskriminimit të anëtarëve të shërbimit të jashtëm.
Në komunikatë është ngre alarmi për shkelje të legjislacionit në fuqi – Kushtetutës, ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore – nga udhëheqësit kryesorë të MPJD-së: ministrja, zëvendësministrja dhe zëvendësuesi i sapoemëruar i sekretarit të përgjithshëm.
“Në përpjekje për t’i shmangur pasojat ligjore, para pak javësh ministrja e zhvendosi z. Behar Isma nga pozita e zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm – të cilën pozitë e mbajti si zëvendësues mbi dy vjet – në pozitën e zëvendësuesit të drejtorit të Departamentit Ligjor në MPJD. SHSASHJ ka kërkuar opinion nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK). Ndërkohë z. Ilir Muçaj u instalua në pozitën e zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm, zyrtar i sapotransferuar në MPJD në pozitën e udhëheqësit të Divizionit (një nivel më ulët se pozita e drejtorit të Departamentit) nga Zyra e Kryeministrit ku mbajti pozitën shef i Divizionit për Energji, Mjedis dhe Transport. Edhe paraardhësi z. Behar Isma kishte qenë shef i Divizionit në ish-Ministrinë e Diasporës para se të emërohej në pozitën e zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm në MPJD”, thuhet në komunikatë. “Z. Muçaj në aktivitetin e vet të parë zyrtar në pozitën e re e vërtetoi se nuk e ka problem mosrespektimin e legjislacionit. Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës si zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm, formoi një komision për t’i graduar në mënyrë të paligjshme, madje me disa grada përnjëherë, paraardhësin e tij z. Behar Isma dhe drejtorin e Departamentit të Financave, z. Mizbah Mustafa”.
Në komunikatë është thënë se i gjithë procesi është zhvilluar nën masa të rrepta fshehtësie dhe u është mohuar mundësia e barabartë zyrtarëve të MPJD-së, duke mos iu dhënë mundësia e shprehjes së interesimit për gradim.
“Komisioni për grada dhe disiplinë kërkohet që të mblidhet dy herë në vit, por nuk është thirrur për vite të tëra. Një numër i konsiderueshëm i diplomatëve janë në prag të përfundimit të mandatit të tyre në misione me grada të njëjta, disa janë pranë pensionimit e disa të tjerëve nuk iu është dhënë asnjëherë mundësia për të shërbyer jashtë vendit në mungesë të gradave”, theksohet në komunikatë.
SHSASHJ, sidomos në muajt e fundit, ministrja ka lëshuar vendime sporadike për përfundim mandati, ndërprerje mandati para afatit të përcaktuar ligjor apo transferim nga një mision në tjetrin pa asnjë bazë ligjore. Sipas shoqatës, në të njëjtën kohë, disa të tjerë i mban nëpër misione me dy e më shumë mandate apo ka dërguar në mision jashtë vendit pa e kaluar së paku periudhën kohore të përcaktuar me ligj të shërbimit në MPJD dhe pa gradë diplomatike.
“Këto ndërhyrje mikromenaxheriale të nivelit të ministres që vijnë edhe si rezultat i qëndrimit joprofesional karshi mbrojtjes së interesave të punëtorëve të MPJD-së në pozitën e sekretarit të përgjithshëm po dëmtojnë sistemin e diplomatëve të karrierës dhe të zyrtarëve që punojnë në MPJD”, thuhet në komunikatë. “Tanimë është bërë e pamundur të planifikohet jeta e një diplomati dhe familjarëve të tyre me të gjitha këto lëvizje dhe në kundërshtim të praktikave ndërkombëtare”.
Sipas shoqatës, në MPJD së paku katër departamente – Diplomaci Ekonomike, Diplomaci Publike, Diasporë, Akademia Diplomatike – faktikisht menaxhohen nga pozita politike e zëvendësministres dhe stafi i vet i kontraktuar përmes fondeve të siguruara nga donatorët e jashtëm, persona që paguhen 2-3 fish më shumë se paga e zyrtarëve publikë në MPJD, persona që kanë qasje në shumë dokumente, por që në shumicën e rasteve kanë mungesë të verifikimit paraprak nga AKI-ja.
“Si rezultat i mungesës së respektimit të parimeve të përcaktuara me ligj si për shërbyes civilë ashtu edhe për shërbimin e jashtëm, zyrtarët e MPJD-së po inkurajohen të kërkojnë forma tjera të karrierës duke përfshirë edhe dorëzimin e kërkesave për pushim pa pagesë. Ky fenomen po krijon vakum në cilësinë institucionale”, thuhet në komunikatë. “Së fundmi është përgatitur një draftprojektligj për Shërbimin e Jashtëm. I njëjti nuk dihet se nga kush është përgatitur, është mbajtur në fshehtësi absolute dhe pa dalë fare në konsultim me diplomatët apo zyrtarët e MPJD-së është dërguar për konsultime tek ministritë e tjera”.
Si shqetësim, në komunikatë shoqata e ka ngritur çështjen se menaxhmenti i MPJD-së po refuzon zbatimin e vendimeve të KPMSHCK-së dhe të gjykatave të Kosovës, duke përfshirë edhe vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Kushtetuese.