Arbëri

Shoqata Sindikale e MPJD-së kërkon ndryshim legjislacioni, rritje pagash e gradim

Në deklaratë është kërkuar ndryshimi i legjislacionit të politikës së jashtme brenda gjashtë muajve të parë të mandatit, rritja e koeficientit të pagave dhe përmirësimi i skemës së trajtimit financiar, vendosja në pozita menaxheriale e kuadrove me profil diplomatik, si dhe pajisja me gradë e të gjithë punonjësve që plotësojnë kriteret, e të tjera

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës u ka bërë thirrje subjekteve politike që të mbështesin dhe të përfshijnë në programet e tyre zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit një “Deklaratë të Zotimeve”. 

Ky dokument me 10 pika përmban masa dhe angazhime të cilat, sipas sindikatës, janë të domosdoshme për forcimin e diplomacisë kosovare.

Sindikata ka nënvizuar se propozimet janë të natyrës institucionale dhe profesionale, pa adresuar kritika ndaj asnjë qeverie të kaluar apo aktuale.

Si pikë e parë, është kërkuar që brenda gjashtë muajve të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i legjislacionit primar në fushën e politikës së jashtme dhe organizimit ministror. 

Po ashtu, është kërkuar rritja e koeficientit të pagës për anëtarët e Shërbimit të Jashtëm dhe forcimi i skemës së trajtimit financiar. 

“Instalimi i parimit të pagesës afirmative, për të garantuar që anëtarët e Shërbimit të Jashtëm të gëzojnë trajtim të dinjitetshëm dhe meritor, pavarësisht pozitës së brendshme zyrtare apo administrative në kuadër të procesit të sistemimit, proces ky i lidhur pashkëputshëm me rotacionin. Njëkohësisht, afirmimi i praktikës që në pozitat menaxheriale të vendosen profilet me kapacitet diplomatik dhe menaxherial”, thuhet në deklaratë.  

Kërkesë tjetër e sindikalistëve është krijimi i partneritetit me ofrues ndërkombëtarë të sigurimeve shëndetësore dhe ndërtimi i një pakete të unifikuar shëndetësore ndërkombëtare – një praktikë standarde në shumicën e shërbimeve diplomatike të rajonit dhe më gjerë. 

Shqetësime të shumta gjatë katër viteve të fundit janë ngritur edhe sa i përket gradave të punonjësve të shërbimit të jashtëm. 

“Pajisja me gradë e të gjithë atyre punonjësve që për vite kanë mbetur pa të dhe sigurimi i ngritjeve në gradë për të gjithë ata që plotësojnë kriteret ligjore dhe të performancës”, është kërkesë tjetër e sindikatës. 

Sa i përket reformimit të skemës së emërimit të shefave të misioneve, është kërkuar që nga raporti aktual 50–50, të bëhet 30–70 për qind, në favor të diplomatëve të karrierës. 

Kryetari i Shoqatës Sindikale të MPJD-së, Fatmir Haxholli, ka treguar qëllimin e deklaratës së Zotimeve dhe pritjet që kanë prej partive politike. 

“Përmes deklaratës së zotimeve, shoqata sindikale e anëtarëve të shërbimit të jashtëm po synon që t'i shërbejë diskursit politik, publik dhe institucional në funksion të faktorizimit dhe fuqizimit të kapaciteteve diplomatike, në mënyrë që Kosova të shënojë arritje të reja në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë dhe kjo është e domosdoshme. Kjo fillon duke nisur nga përmirësimi i kushteve financiare, atyre të hapësirave ku stafi shërben por edhe i aspektit të trajtimit të barabartë dhe meritokracisë, gjithmonë duke plotësuar kuadrin ligjor, duke ofruar një trajtim siç e kërkon, të veçantë siç e kërkon legjislacioni, sepse kujtojmë se pas 17 vjetësh pos pavarësisë janë krijuar rrethana të reja, të cilat duhet të shoqërohen me plotësim-ndryshimin e legjislacionit, me aspektin e vendosjes në pozitat kyçe menaxheriale njerëz me bagazh dhe me kapacitet diplomatik dhe profesional”, ka thënë Haxholli. 

Është kërkuar po ashtu edhe themelimi i pozicionit të Inspektorit Diplomatik, një mekanizëm i njohur në shërbime diplomatike me traditë “(si ‘Inspector General’ në SHBA apo modelet e inspektorateve diplomatike në BE), për garantimin e mbikëqyrjes së brendshme dhe respektimit të standardeve profesionale në kuadër të menaxhimit me burime njerëzore profesionale, dhe në përgjithësi”. 

“Njëherësh, duke pasur parasysh kompleksitetin e rotacionit dhe sistemimit, të bëhet një ndërlidhje, në mënyrë që stafi apo anëtarët e shërbimit të jashtëm të kenë mundësi që të amortizojnë këtë lloj sistemimi përmes një qasje afirmative që të marrin pagën preferenciale në rast se shkalla e tyre ose grada e tyre diplomatike apo pozita ofrojnë një kompensim më të dinjitetshëm dhe më adekuat, po ashtu është e nevojshme gjithmonë në funksion të avancimit të proceseve të brendshme brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe shërbimit, të instalohet edhe praktika e inspektorit diplomatik i cili do të monitoronte efikasitetin, performancën, po edhe marrëdhëniet ndërnjerëzore e profesionale, por edhe ato që kanë të bëjnë me zbatimin efikas dhe të përpiktë të legjislacionit”, është shprehur Haxholli. 

Problem tjetër që ka ngritur Shoqata Sindikale janë hapësirat e punës brenda MPJD-së. 

“Sigurimi i hapësirave të reja dhe adekuate të punës, përfshirë ridizajnimin modern të hapësirave të brendshme të MPJD-së, në përputhje me praktikat bashkëkohore të vendeve perëndimore, të cilat plotësojnë edhe karakterin estetik dhe atë protokollar”, është kërkesa tjetër e shoqatës. 

“Afirmimi i skemave të ‘lifelong learning’, inovacionit, shkëputjes së përkohshme nga shërbimi me mundësi të garantuar ligjore rikthimi, inkurajimi i pjesëmarrjes në programe shkëmbimi, si dhe pjesëmarrja aktive në aktivitete të edukimit të hershëm me qëllim inkurajimin e të rinjve në fushën e ndjekjes së profesionit dhe artit të diplomacisë”. 

Haxholli ka shprehur gatishmërinë edhe të takimit me zyrtarët e partive për të shpjeguar më detajisht kërkesat e shoqatës.

“Mendoj se përgjatë viteve qeveri të ndryshme kanë shënuar arritje të ndryshme por është koha për një qasje më totale dhe për këtë qëllim i kemi propozuar gjitha subjekteve në këtë fushatë që të përfshijnë propozimet tona, ato të përmendura në deklaratën e zotimeve dhe njëherësh të konsiderojmë mundësinë që të takojnë anëtarët e Shoqatës Sindikale në mënyrë që më detajisht, më hollësisht, t'i trajtojmë këto bashkërisht, sepse po jetojmë në një ambient kompleks e dinamik, për të cilin ne duhet të jemi më të gatshëm dhe më të faktorizuar”, ka thënë Haxholli. 

Shoqata u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të marrin pjesë në diskutime të detajuara rreth “Deklaratës së Zotimeve”, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit të jashtëm dhe modernizimin e diplomacisë kosovare.