Shtojca për Kulturë

“Shqiptarët janë evropianë të pastër, pavetëdijshëm kundër Perëndimit”

“Shqiptarët janë evropianë të pastër, pavetëdijshëm kundër Perëndimit”

“Rekrutët shqiptarë”, 1906 (Foto: Frederick Moore)

“Është në fuqinë e turqve që t’i nënshtrojnë dhe qeverisin ata (shqiptarët); por sulltanët kanë preferuar t’u japin të drejtë shqiptarëve që vetë ata ta mbajnë nën kontroll ‘autonom’ rripin e tokës së Adriatikut dhe kështu në mënyrë të pavetëdijshme ata janë shndërruar në barrierë të paligjshme të pozicionuar kundër Perëndimit!...Ndonëse turku proteston se nuk mund të përballojë pasaportën evropiane të sigurt në të gjithë Shqipërinë, në anën tjetër shqiptari është mësuar të dyshojë se çdo evropian është spiun! Disa burra nga qytetërimi (perëndimor S. L.) kanë qëndruar në zemër të këtij vendi romantik”, shkruante gazetari anglez Frederick Moore, i cili ka qëndruar në Ballkan në vitet 1900 – 1917

Në librin “The Balkan Trail” në të cilin është përshkruar edhe gjendja në Mitrovicën e trazuar të pranverës së vitit 1903, gazetari anglez Frederick Moore (1877-?) i cili ka qëndruar në Ballkan në vitet 1900 – 1917, vazhdon me rrëfimin e tij.

“Shqipëria është vendi më romantik në Evropë, ndoshta në të gjithë botën. Është një tokë e paligjshme ku fuqia bën të drejtën (drejtësinë), dhe në disa pjesë të asaj drejtësie vendore ka edhe ndalesa të caktuara për të huajt… Në zonat përreth Ipekut, Gjakovës dhe Prizrenit, madje edhe Kalkandeles (Tetovës), shtëpitë janë fortesa të ndërtuara prej guri, pa dritare në katet përdhesë dhe me frëngjitë e vendosura në katet e sipërme. Në cepat e një fshati apo prone janë të ngritura kullat e mbrojtjes, prej të cilave përcjellja e lëvizjeve të armiku poshtë rrugës mund të bëhet pa ndonjë pengesë të veçantë. Ligji i parë i vendit është ligji i armës, ashtu siç dikur ishte ‘në Perëndimin e Egër’. Por vendi është më i populluar sesa që ishte kufiri amerikan në kohët e vjetra dhe burrat janë të bashkuar në fise për qëllime sulmuese dhe mbrojtëse. Në Shqipëri nuk ka arsimim –  turqit e kanë mbajtur vendin analfabet –  dhe premtimet e pushtetit janë vetëm obligime të ngelura në letër…Zakonet shqiptare janë të rrezikshme për t’u shkelur dhe ato u janë dorëzuar brezave shqiptare ashtu të pashkruara por janë po aq të shenjta sa edhe vetë feudet”, shkruan Moore. Ai ndalet edhe te zakonet.

“Të komplimentosh një grua të pamartuar, është provokim për vdekje”

“Ekzistojnë disa zakone të çuditshme. Të komplimentosh një grua të pamartuar, për shembull, është provokim për vdekje. Një armik (gjaku) është nën amnisti nëse është në shoqërinë e një gruaje. Një grua mund të qëllojë një të fejuar që prish fejesën ose të thërrasë babanë e të riut që ta vrasë atë…”, shkruan ai. Shkrimi i tij vazhdon me përshkrime e konstatime. 

“Shqiptarët janë me origjinë të pastër evropiane. Ata janë burra të gjatë, shpatullgjerë, me fytyra të bukura dhe nuk ngjajnë me asnjë nga pjesëtarë të përkatësive tjera të Maqedonisë, madje flasin një gjuhë krejtësisht të ndryshme. Por, edhe pse rreth origjinës së tyre nuk dihet asgjë e saktë, ka shumë gjasa që ata janë pasardhës të ilirëve të lashtë, të cilët dikur pushtuan të gjithë anën perëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe ndër shekuj u dëbuan gradualisht në malet e Shqipërisë nga pushtimet e njëpasnjëshme të grekëve, romakëve, sllavëve dhe turqve. Shqipëria nuk ka qenë kurrë plotësisht e nënshtruar apo e qytetëruar. Shumica e shqiptarëve janë konvertuar në myslimanë kryesisht për shkak se feja ua garantonte atyre të drejtën e mbajtjes së armëve dhe privilegje të tjera. Lidhur me konvertimin e shqiptarëve në ‘Turqinë Evropiane’ rrëfehet një histori interesante. Rreth njëqind vjet më parë, banorët e një grupi të vogël fshatrash në Shqipërinë e Jugut kishin ruajtur krishterimin e tyre.

Duke qenë të paaftë për të zmbrapsur sulmet e vazhdueshme të një popullsie myslimane fqinje, ata u takuan në një kishë, u betuan solemnisht se do të agjëronin deri në Pashkë dhe iu lutën të gjithë shenjtorëve që brenda asaj periudhe të bënin ndonjë mrekulli që do ta përmirësonte gjendjen e tyre të mjerë. Nëse kjo kërkesë e arsyeshme nuk do të pranohej, atëherë ata do të konvertoheshin në myslimanë. Mirëpo, erdhi dita e Pashkëve, dhe nga shenjtorët apo engjëjt nuk u shfaq asnjë shenjë, prandaj e gjithë popullata u konvertua në myslimanë. Menjëherë pas kësaj, ndryshimi i besimit u shpërblye, ata morën armët që dëshironin, dhe patën kënaqësinë të masakronin kundërshtarët e tyre të vjetër dhe të pushtonin tokat e tyre! Shqiptarët e veriut dhe të jugut janë krejtësisht të ndryshëm mes vete. Toskët janë më pak të trazuar se vëllezërit e tyre veriorë. Ata drejtohen nga bejlerët, ose pronarët e trashëguar, në mënyrë feudale. Këta bejlerë i detyrohen me besnikëri Sulltanit. Ata i marrin titujt nga turku dhe nëse sulltani nuk e bën dekretin e bejlerit të caktuar shqiptar, në masën modeste që ai kërkon, atëherë gjendet një mjet për t'i hequr qafe sulltanët! Në veri gjendja është ndryshe pasi një propagandë katolike mbrohet nga Austria dhe me përjashtim të një fisi, i cili është i tëri katolik, çdo fis tjetër është i përbërë prej myslimanëve por edhe të krishterëve. Ky fakt dëshmon se midis tyre ka pak fanatizëm (fetar) dhe përkatësia fisnore është më e fuqishme se ndjenja fetare”, shkruan ai.

“Shqiptari e sheh turkun me përbuzje”

Gazetari anglez Moore shkruan se “shqiptari e sheh turkun me përbuzje”. 
“Ti e ofendon një shqiptar nëse e komplimenton turkun dhe kështu e barazon atë me shqiptarin! Shqiptari e vendos fesin turk rrallëherë në kokë. Edhe në ushtrinë turke plisi i bardhë është mbulesa e kokës së tij. Ndonjëherë shqiptarët tregojnë shumë pak respekt për oficerët e tyre turq. Një herë në Selanik e pashë një grup shqiptarësh që refuzonin të hipnin në tren, sepse zyrtarët e monopolit të huaj që ekzistonte në Turqi iu kishin marrë atyre pak duhan kontrabandë. Por, turku është ndryshe ai është i nënshtruar me fanatizëm. Në disa raste kam parë ushtarë turq që qëndrojnë si gjësende të pajetë, ndërsa oficerët e tyre ua tërhiqnin veshët, i godisnin me grushte në kokë apo i shqelmonin. Ndërsa shqiptarët gjithmonë iu kanë rezistuar reformave, pasi me zbatimin e tyre njëherësh do të ndërhyhej në privilegjet e tyre!”, shkruan Moore. Rrëfimi vazhdon.

Çarmatosja e shqiptarëve

“Çarmatosja e shqiptarëve është e domosdoshme për reformat në Maqedoni. Krijimi i gjykatave në Shqipëri ishte një nga shtesat e Hilmi Pashës në skemën e reformave austro-ruse! Por, nëse kjo reformë zbatohet ndonjëherë, atëherë para gjyqit me gjithë armët e tyre do të paraqiten palët kontestuese, por pavarësisht se në cilin drejtim do të shkojë zgjidhja që e ka sjellë gjykata, rezultati përfundimtar i zgjidhjes së konteksteve mes palëve do të jetë i sigurt dhe ai është vrasja e gjyqtarit, që në fakt e ka sjellë vendimin! Vitet e fundit janë bërë përpjekje nga shqiptarë të arsimuar me banim në Bukuresht dhe në Itali për të krijuar një agjitacion për autonominë shqiptare, mirëpo por këto lëvizje nuk kanë ndikuar ende te shqiptarët, pasi turqit janë shumë të zgjuar në kontrollin e tyre. Nëse ndodh që në mesin e shqiptarëve të shfaqet ndonjë udhëheqës që kërcënon organizimin ose qytetërimin osman, atëherë po në atë mes sulltani e dërgon një emisar i cili vjen aty me plot dhurata e dekorata. Nëse udhëheqësi shqiptar i propagandës për realizimin e autonomisë dhe të progresit të shqiptarëve nuk është i dhunshëm, atëherë ai joshet ose merret fshehurazi me force e dërgohet në Konstandinopojë dhe atje atij mund t'i jepet autoriteti mbi një rreth ose krahinë që do ta kompensonte më shumë humbjen e tij dhe në të ardhmen ai mund të vihet në shërbim të perandorisë pa e pësuar asnjë dëm. Në rrethimin e tokave shqiptare nuk ekziston asnjë shtet i lirë, dhe realiteti është se grekët, bullgarët, serbët, dhe turqit gjithnjë janë në gjendje që ta pengojnë shkollimin e shqiptarëve! Ekzistojnë shkolla katolike në Shqipërinë e Veriut dhe greke ortodokse në Shqipërinë e Jugut, por turqit e mohojnë vetë ekzistencën e gjuhës shqipe, kështu që botimi i librave shqip dhe shtypja mbi shkollat shqipe ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Disa vite më parë, disa nga banorët më të pasur të një qyteti të caktuar e hapën një shkollë për t’u mësuar fëmijëve gjuhën amtare. Një mbrëmje profesori që e nisi punën aty u zhduk pa nishan. Ai u kindapua nga ushtarët turq, u deportua dhe u burgos...”, shkruan Moore.

“Shqiptari dyshon se çdo evropian që vjen në vendin tyre është spiun!”

“Është në fuqinë e turqve që t’i nënshtrojnë dhe qeverisin ata (shqiptarët); por sulltanët kanë preferuar t’u japin të drejtë shqiptarëve që vetë ata ta mbajnë nën kontroll ‘autonom’ rripin e tokës së Adriatikut dhe kështu në mënyrë të pavetëdijshme ata janë shndërruar në barrierë të paligjshme të pozicionuar kundër Perëndimit! Në të gjithë Shqipërinë nuk ka hekurudhë, ka vetëm një vend përgjatë bregdetit ku ankorojnë anijet dhe aty i huaji ndalohet si prej shqiptarëve po ashtu edhe prej turqve. Ndonëse turku proteston se nuk mund të përballojë pasaportën evropiane të sigurt në të gjithë Shqipërinë në anën tjetër shqiptari është mësuar të dyshojë se çdo evropian është spiun! Disa burra nga qytetërimi (perëndimor S. L.) kanë qëndruar në zemër të këtij vendi romantik. Për të arritur atje të sigurt, është e nevojshme të fitoni miqësinë dhe besimin e shefit të një fisi dhe kjo njëherësh do të thotë se ju e keni marrë një premtim për pasaportë të sigurt! Flitet se deri më tani ka ndodhur vetëm një rast kur dikush e ka humbur jetën edhe pse ka qenë i vënë nën besën e kryeprijësit shqiptar. Dhe me gjithë përcjelljen e tij ai burrë u vra nga anëtarët e një fisi armiqësor dhe si pasojë sot e kësaj dite vazhdon gjakmarrja mes këtyre dy fiseve shqiptare të hasmuara mes veti!”, ka shkruar Frederick Moore.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

LEXO EDHE: