“Abdyl Hamiti II, për qëllimet e tij kishte mbajtur shqiptarë të armatosur për breza të tërë, bile për shkak të besnikërisë së shqiptarëve ai edhe truprojën e tij e kishte zgjedhur nga mesi i tyre. Por edhe tani asnjë sasi e bakshisheve apo sqarimi me shumë elokuencë i ligjeve fetare rreth shkeljes së vullnetit të Zotit nga ana e tyre, nuk i bindnin shqiptarët që ata të pajtoheshin. Shqiptarët më nuk do të pushojnë së luftuari. Prandaj për sulltanin nuk ngeli rrugë tjetër pos largimit të shqiptarëve nga rrethet (mjediset) shqiptare dhe zëvendësimi i tyre me regjimente thjesht turke... Por Rusia po bënte presion të vazhdueshëm, duke kërcënuar me një demonstrim detar me flotën e Detit të Zi – prandaj edhe Sulltani detyrimisht e nisi luftën me miqtë e tij besnikë!”, shkruante gazetari anglez, Frederick Moore, në Mitrovicën e trazuar pas vrasjes së konsullit rus në pranverën e vitit 1903
Paraqitja e vrasjes së konsullit rus në Mitrovicë para opinionit ndërkombëtar
Fragmentet e shkëputura nga libri “The Balkan Trail” në të cilat është përshkruar gjendja në Mitrovicën e trazuar të pranverës së vitit 1903 i kemi sjellë para lexuesve, për të parë se si ishte paraqitur vrasja e konsullit rus në shtypin ndërkombëtar. Gazetari anglez Frederick Moore (1877-?) njëherësh autori i librit të sipërpërmendur, ka qëndruar në Ballkan në vitet 1900 – 1917. Tekstin e Moore e kemi sjellë (me nëntitujt tanë) pas shumë artikujve kushtuar kësaj ngjarjeje me qëllim që vetë lexuesit të shohin se çfarë në fakt i është hequr apo shtuar ngjarjes, apo që ata të ballafaqohen me ngjyrimet që Moore e ka paraqitur atë por dhe rrethanat e gjithmbarshme.
Lidhja “Besa – Besë” dhe moratoriumi mbi gjakmarrjen
“Kur do ta dëgjoni për të dytën herë zërin e tellallit Meço, mblidhuni të mëdhenj e të vegjël, të të gjitha moshave nga shtatë deri në shtatëdhjetë vjet dhe radhituni nën flamur. Ata që mes vete kanë gjaqe të palara nuk kanë pse të frikësohen, sepse Zoti dhe vendi do t’i falë. “Të Shtatë Mbretërit” janë unifikuar, por ne nuk kemi frikë prej tyre, e as nuk do të na frikësojnë nëse do të ishin shtatëdhjetë, e ndoshta edhe më tepër Klanet (fiset shqiptare S. L.) u pajtuan dhe e arritën marrëveshjen ‘Besa-Besë’ dhe menjëherë pasi u vendos moratorium mbi gjakmarrjen, atëherë shqiptarët e (G)Jakovës, Ipekut dhe rretheve të tjera fqinje me Mitrovicën u bashkuan, të mëdhenj e të vegjël, të të gjitha moshave, për të luftuar reformat e imponuara ndaj Sulltanit nga Fuqitë e Mëdha. Karakteristika e reformave që i ofendoi më së shumti shqiptarët, ishte xhandarmëria e përzier. Konsulli britanik në Shkup e kishte tërhequr vërejtjen me kohë, se krijimi i xhandarmerisë së krishterë mes shqiptarëve, do të jetë një rrezik vdekjeprurës. Por rusi (fjala është për konsullin rus që në atë kohë ishte vendosur në Mitrovicë) arrogant, i cili në atë kohë luante në violinën e parë në operën komike, e kundërshtoi këtë pikëpamje, ndoshta për asnjë arsye tjetër përveç se ajo (teksti i marrëveshjes) ishte në anglisht dhe turqit, që bëjnë lojën me metoda të çmendura, u pajtuan me kërkesat austro-ruse duke i dërguar gjashtë xhandarë serbë në Vushtrri. Dhe kur telalli e bëri thirrjen e tij të dytë, atëherë disa mijëra shqiptarë u tubuan dhe ‘e vizituan’ Vushtrrinë, por kur ata arritën atje e panë se kajmekami turk i kishte fshehur serbët ‘e keqardhur’ në një vend të sigurt. Ky nuk ishte një zhgënjim i tmerrshëm për shqiptarët, sepse ata e projektuan gjahun më të madh për ditën e nesërme dhe ruajtën qetësinë gjatë natës. Të nesërmen herët në mëngjes në një marshim të shkurtër, ata u nisën për në Mitrovicë, për të përmbushur një premtim të dhënë një vit më parë, për të shkatërruar Konsullatën Ruse të sapokrijuar.
Por, me vetëbesim të tepruar dhe me krenari, ata mburreshin hapur për atë që do të bënin, dhe kur erdhën në qytetin konsullor, i gjetën rrugët e bllokuara nga këmbësoria dhe të mbuluara me topa. Shqiptarët u ndalën dhe krerët shkuan përpara për të biseduar me komandantin turk: ata ishin ithtarë besnikë të Padishahut, që bënin vetëm atë që donte ai. Por, komandanti turk nuk mund të lëvizte dhe kërcënoi se do të qëllonte mbi ta nëse ata do të marshonin përpara. Megjithatë, shqiptarët nuk besuan se ushtarët e Sulltanit do të qëllonin mbi ‘besimtarët’ dhe kur të gjithë e mblodhën forcën e tyre, në të njëjtën kohë ata marshuan me guxim drejt qytetit nga dy rrugë. Mirëpo, u pritën me breshëri të shtënash nga trupat turke… Një grup prej tyre i zunë pozicionet na një mulli të vjetër përtej një përroi të vogël, që kufizohej me kazermat dhe qëlluan mbi garnizonin derisa u granatuan. Pastaj të gjithë shqiptarët e gjallë pasi i mblodhën të vdekurit e tyre – me lejen e heshtur të turqve – u tërhoqën në qytete prej nga kishin ardhur. Megjithatë konsulli rus nuk duhej të shpëtonte gjallë!
Garnizoni i Mitrovicës, i cili ishte kryesisht shqiptar, e simpatizoi plotësisht përpjekjen shqiptare… Qeveria kishte marrë më shumë sesa kishte bërë pazare. Ushtarët shqiptarë në këtë garnizon tashmë ndiheshin të lënduar keq dhe kjo vërehej në fytyrat e tyre të vrenjtura dhe kur ata mblidheshin në kafenetë e Mitrovicës në mbrëmje, e qanin punën e ditës duke spekuluar.... Kështu në njërën prej kafeneve mitrovicase, një dervish fanatik, pasi arriti që t’i bindë dëgjuesit e tij, bërtiti: ‘Dhe a nuk ka asnjë ‘mysliman’ që do të na shpëtojë nga ky kaur (konsulli rus S. L.)?’
‘Unë!’ – u dëgjua një zë djaloshi.
‘Ti ! Oh, jo, nuk do ta bësh!’ - tha dervishi me përbuzje.

‘Unë do ta bëj’ - përsëriti tjetri. Ai ishte një ushtar që më parë kishte qenë në luftë. Ishte një njeri i dobët në trup dhe shëndetlig. Më vonë unë pashë atë në gjyq në Shkup. Të nesërmen në mëngjes konsulli rus, z. Shçerbina, veshur me uniformë ruse, i ndjekur nga një kozak, dy gavazë të armatosur rëndë dhe një trupë ushtarësh, oficerësh dhe zyrtarësh – që duhej të organizoheshin prej vetë turqve dhe të cilët bënin nder dhe shërbim kundër bindjeve të tyre – doli për të inspektuar linjën e betejës, planin e së cilës, pretendohej se e kishin bërë vetë rusët! Ndërsa konsulli e bënte kontrollin, rojtarët i paraqitën armët – të cilat rusët ua kërkuan turqve. Një ‘mysliman’, i cili duhej ta degradonte veten, uli armën me shpejtësi, ndërsa konsulli kaloi para tij në një distancë prej tre hapash dhe papritur dhe pa e marrë fare në shenjë si duhet ushtari shqiptarë qëlloi me një plumb vdekjeprurës mbi trupin e ‘të pabesit’ (kaurit). Më pas, duke e hedhur armën, ushtari u nis me një vrap të çmendur poshtë shpatit, duke vrapuar mbi shkëmbinjtë drejt maleve të Shqipërisë. Shoqëruesit e konsullit, të befasuar për një çast, u vunë menjëherë në ndjekje të atentatorit, duke qëlluar me shpejtësi; por ai arriti të largohej afro njëqind metra para se të plagosej. Kozaku që ishte në përcjellje të konsullit rus, pretendoi duke mos dyshuar se e kishte qëlluar atentatorin shqiptar. Konsulli rus Shçerbina u vra më 10 prill të vitit 1903”, shkruante gazetari anglez Frederick Moore. Rrëfimi i tij vazhdon.
Varrosja e konsujve rusë
“Në gjyqin e tij të parë, vrasësi u dënua me burg në kohëzgjatje pesëmbëdhjetë vjet. E çuditshme të thuhet, se Abdyl Hamiti i II, nuk e donte dënimin me vdekje për vrasësin e konsullit rus. Por rusët nuk u mjaftuan me këtë dënim dhe kërkuan një gjyq të ri! Kështu në seancën e dytë, në Shkup (aferë tallëse me aktgjykimin e paracaktuar) atentatori u dënua me vdekje... Ndërsa disa muaj më vonë, jo vetëm vrasësi i Z. Rostovskit (Aleksandar Arakadleviç Rostovskii (Александр Аркадьевич Ростковский, 1860 – 1903) që po ashtu u vra nga shqiptar më 8 gusht të vitit 1903 në Manastir, por edhe një ushtar që qëndroi pranë dhe nuk e parandaloi vrasjen u varën nën komandën ruse. Mënyrat e dënimit si të rusëve por po ashtu edhe të turqve janë ‘të mrekullueshme’ dhe shumë të ngjashme mes vete! Mirëpo edhe varrimi i konsujve të vrarë me të vërtetë u bë në mënyrën ruse! Arkivoli me trupin e z. Stcherbina u vendos në një makinë mallrash, i veshur dhe i mbuluar plotësisht në të zeza, ndërsa në çdo skaj të arkivolit ishte vendosur nga një kryq i bardhë... Kjo katafalkë lëvizëse u tërhoq zvarrë nga Mitrovica deri në Selanik, dhe gjatë gjithë rrugës atë e takuan klerikët serbë e bullgarë dhe në çdo stacion u organizuan shërbesa fetare për konsullin e vrarë në Mitrovicë. Në Selanik kufoma u vendos në një kishë të re bullgare, ku më pas u organizua një paradë e madhe kushtuar një luftëtari të rënë rus, ndërsa të gjithë konsujt pjesëmarrës, ushtarë dhe zyrtarë turq bënë nderime para arkivolit.
Objektivi i këtyre procedurave dukej se e kishte për qëllim impresionimin e turqve, të krishterëve por edhe hebrenjve me fuqinë e Rusisë. Mjerisht! Për fuqinë e Rusisë, lufta japoneze pasoi shpejt dhe rezultati i saj kënaqi turqit, hebrenjtë dhe shumë të krishterë brenda Turqisë Evropiane”, shkruante ai.
Shqiptarët u zëvendësuan me anadollakë
Sipas Frederick Moore nga Kostandinopoja erdhi në tokat shqiptare një komision njerëzish të shenjt, personalitete fetare, me dhurata nga sulltani dhe njëherësh ata afruan mjaft argumente kuranore për t’i pajtuar ata shqiptarë që u mbijetuan ngjarjeve të fundit.
“Por ata e refuzuan pajtimin! Kështu Abdyl Hamiti II, për qëllimet e tij kishte mbajtur shqiptarë të armatosur për breza të tërë, bile për shkak të besnikërisë së shqiptarëve ai edhe truprojën e tij e kishte zgjedhur nga mesi i tyre. Por edhe tani asnjë sasi e bakshisheve apo sqarimi me shumë elokuencë i ligjeve fetare rreth shkeljes së vullnetit të Zotit nga ana e tyre, nuk i bindnin shqiptarët që ata të pajtoheshin. Shqiptarët më nuk do të pushojnë së luftuari. Prandaj për sulltanin nuk ngeli rrugë tjetër pos largimit të shqiptarëve nga rrethet (mjediset) shqiptare dhe zëvendësimi i tyre me regjimente thjesht turke! Shumë anadollakë u sollën nga Azia e Vogël dhe u mobilizuan në Ferizaj. Ata që e njihnin mirë qeverinë turke, dyshonin se do të ndodhnin armiqësi të vërteta kundër shqiptarëve. Por Rusia po bënte presion të vazhdueshëm, duke kërcënuar me një demonstrim detar me flotën e Detit të Zi – prandaj edhe Sulltani detyrimisht e nisi luftën me miqtë e tij besnikë! U bënë dy takime të vogla. Sigurisht që shqiptarët, të armatosur keq dhe pa organizim, u mundën lehtësisht. Krerët u burgosën dhe u dërguan në Kostandinopojë, ku u dekoruan, ndoshta u pensionuan përgjithmonë dhe u bënë krejtësisht më të mirë se sa ishin deri tani. Supozohet se sulltani përpara se të dërgonte një ushtri kundër ‘vëllezërve të tij’, ‘e rregulloi’ truprojën e tij shqiptare, sepse po të mos ishte siguruar atëherë qëndrimi dhe lufta kundër shqiptarëve rezultonte të ishte e unifikuar me luftën e 'Shtatë Mbretërve!”, shkruante Moore. Historia vazhdon.
Mitrovica, fushëbetejë seli e konsullatës ruse
“Duke qenë në hekurudhë, Mitrovica, ishte e qasshme, madje për ta vizituar atë nuk kishte nevojë për kërkim lejeje nga Hilmi Pasha (inspektor i përgjithshëm për zbatimin e reformave) dhe unë me një anglez, e një danez u ngjitëm për të parë vendin e betejës. Bile ne ishim ftuar të vizitonim Konsullatën Ruse dhe gjetëm një gavaz rus që të na priste me një truproje ushtarësh. Për të shkuar në këmbë nga stacioni deri në konsullatë nuk ishte shumë larg dhe ne e dalluam lehtë ndërtesën e konsullatës nga trengjyrëshi i jashtëzakonshëm rus që valonte në mënyrë madhështore nga ballkoni, duke u ulur vetëm gjashtë këmbë mbi rrugën ku kalohej më poshtë. Konsullata ndodhej midis kazermave dhe një kampi ushtarësh turq, ndërsa menjëherë afër ndërtesës, ndodheshin detashmente të vogla trupash të zgjedhur. I pari që na përshëndeti kur hymë në derë ishte kozaku, që mbante veshur një fustanellë të mbuluar me shkurre, ngjyrë blu të stolisur me njolla të mëdha të bardha, mëngë kafe, dollakë dhe shumë armë. Ai ishte një krijesë si molë, me flokë, mjekër dhe lëkurë të njëjtë të zbehtë të sëmurë dhe kishte sy blu të shurdhër. Gavazët – përgjithësisht janë njerëz të çuditshëm - dukeshin si dele! Ata ishin shqiptarë dhe në sytë e bashkatdhetarëve të tyre shiheshin si tradhtarë...
Njëkohësisht një telegram mbërriti në konsullatë vetëm disa minuta pas nesh, i cili përmbante një paralajmërim se Porta e Lartë e kishte pranuar një letër nga komitetet bullgare, duke informuar qeverinë turke për qëllimin e tyre për të vrarë një tjetër konsull rus. Objekti i këtij telegrami – nuk ishte i qartë dhe nuk mund të kuptohej, por paralajmërime të tilla për konsujt rusë vijnë vazhdimisht nga qeveria turke.
‘Ata e kanë vrarë z. Shçerbina’, tha Z. Mashkov (konsulli rus në Shkup – S. L.) ‘Mund të më vrasin edhe mua, por nuk mund ta vrasin konsullin rus!’ Danezi e pyeti konsullin nëse mendonte vërtet se do ta vrisnin, dhe z. Mashkov u përgjigj: ‘Edhe unë pres të largohem nga Turqia (tokat shqiptare) ashtu siç bëri z. Shçerbina. Nëse nuk më vrasin shqiptarët, atëherë do të më vrasin bullgarët!’ Por jam i lumtur ta dokumentoj se mikpritësi ynë argëtues dhe bujar – idetë dhe simpatitë e të cilit më vjen keq që nuk pajtoheshin me të miat – megjithatë shumë shpejt u transferua në Egjipt dhe u largua i gjallë nga Turqia! Ne kaluam nëpër fushën e betejës në të njëjtën mënyrë si konsulli i vrarë rus, nën përcjelljen e gavazëve dhe ushtarëve turq që ishin në mbrojtjen tonë, ndërsa një oficer turk që fliste frëngjisht në njëfarë mënyre ishte dirigjenti ynë. Por, gjatë vizitës në vendin e vrasjes së konsullit në Mitrovicë, ne në fakt i përngjanim një komisioni rus dhe rojet ngriheshin duke na përshëndetur dhe sa herë që kalonim pranë tyre në kujtesë më riktheheshin të gjitha mëkatet e jetës sime!”, shkruante Moore.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë