Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dënohet me burgim të përjetshëm burri që tentoi ta vriste Trumpin

ryan

Foto: Getty

Ryan Routh është dënuar me burgim të përjetshëm për tentim vrasjen e presidentit Donald Trump në një fushë golfi në Florida, në shtator të vitit 2024.

Routh, 59 vjeç, u shpall fajtor vitin e kaluar për përpjekje për vrasjen e Trumpit, i cili në atë kohë ishte ende kandidat për president, në klubin “Trump International Golf Club” në West Palm Beach.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një agjent i Shërbimit Sekret amerikan, që ndodhej në zonë, vuri re tytën e një pushke që dilte nga shkurret dhe hapi zjarr ndaj Routhit, i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Ai u arrestua pak më vonë në afërsi.

Avokati i Routhit, Martin Ross, njoftoi se do ta apelojnë vendimin.

Në fjalën përfundimtare gjatë gjykimit, Routh foli në vetën e tretë dhe preku një sërë temash të palidhura, përfshirë historinë e SHBA-së, luftën Rusi–Ukrainë dhe synimin e tij për të blerë një varkë — çka e detyroi gjyqtaren ta ndërpriste disa herë dhe ta largonte jurinë nga salla.

Prokurori kryesor i çështjes, John Shipley, deklaroi se gjatë gjykimit u paraqit “një mal provash” që tregojnë “sa afër ishte ai që ta realizonte këtë plan”.

Incidenti në Florida ishte tentativa e dytë për atentat ndaj Trumpit gjatë vitit 2024, pas një sulmi me armë zjarri në një tubim elektoral në Butler, Pennsylvania, në muajin korrik.

Në atë sulm, një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën, përfshirë edhe vetë Trumpin.

Sulmuesi, i identifikuar më vonë si 20-vjeçari Thomas Crooks, u vra nga oficerët në vendin e ngjarjes.