Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Rezistenca në Kosovë...” shfleton shtypin e fshehtë midis ideologjisë e lirisë

Rezistenca në Kosovë, ekspozita

Në ekspozitën “Rezistenca në Kosovë 1980–1999 përmes shtypit të fshehtë” lexohen rrymat që besonin se marksizëm-leninizmi do ta sillte lirinë. Pavarësisht bindjeve ideologjike, fokusi i tyre qe liria. Dhe nga kjo s’hoqën dorë deri më 1999 kur aktiviteti ushtarak i UÇK-së, politika paqësore e institucioneve paralele me prirje paqësore dhe ndihma e botës demokratike, bënë që Kosova të çlirohet

Qe periudha midis viteve 1980–1999. Organizatat ilegale për atë kohë po shtoheshin njësoj si platformat informative të tyre. Botoheshin edhe “letra nga burgu” që përfundonin me “përshëndetje revolucionare”. Besohej fort se liria do të fitohej bashkë me ndihmën e Shqipërisë socialiste të asaj kohe. “Rezistenca në Kosovë 1980–1999 përmes shtypit të fshehtë”, është titulli i ekspozitës që nxjerr prej arkivave disa gazeta e revista të asaj kohe, e të cilat për organizatorë të ekspozitës, qenë “një simbol i qëndresës dhe i aspiratës për liri, barazi dhe pavarësi”

Me flamurin kombëtar ku sipër shqiponjës është ylli pesëcepësh dhe krahas një ilustrim pushke “Liria”, diçka midis gazetës dhe revistës nisi të botohej fshehtas në Kosovën e vitit 1980 si organ i të vetidentifikuarve “Marksistë-Leninistët e Kosovës”.

“Kush janë luftëtarët e lirisë në Kosovë dhe ç’duan ata?”, është titulli i ballinës. Është veç një prej përmbajtjeve të shtypit të cilësuar ilegal asokohe që është ekspozuar në ekspozitën “Rezistenca  në  Kosovë 1980–1999 përmes shtypit të fshehtë” të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.  
Menjëherë pas demonstratave të marsit e prillit të vitit 1987, në maj të atij viti u shtyp numri i tretë i kësaj gazete me titullin “Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë”. Në mbititull bëhej thirrje për bashkim të proletarëve të popujve dhe vendeve të shtypura. Ilustrimet shpërfaqnin parulla të marksizmit e leninizmit përderisa flamurit s’i hiqej ylli. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me kalimin e kohës organizatat ilegale për atë kohë po shtoheshin dhe edhe platformat informative të tyre. Botoheshin edhe “letra nga burgu” që përfundonin me “përshëndetje revolucionare”. Besohej fort se liria do të fitohej bashkë me ndihmën e Shqipërisë socialiste të asaj kohe. Madje, udhëheqës të organizatave kishin edhe komunikim direkt me udhëheqësit e Shqipërisë.

Ekspozita e organizuar nga Instituti i Historisë, “Ali Hadri” bashkon shumë histori të asaj kohe. Sipas ekspozitës, “Zëri i Kosovës” nisi të botohej më 1981. Një botim i posaçëm në shtator të vitit 1988 në gazetën që identifikohej si organ i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, tregonte se “Populli ynë demonstron për drejtësi, gjuhë, flamur e liri”. Fotografia ilustruese e ballinës paraqet një pamje të protestës së 29 gushtit 1988 në Kumanovë. “Grushtbashkuar në luftë për liri!” shkruhet në legjendën sqaruese të fotografisë. 

Janë rrymat që besonin se marksizëm-leninizmi do ta sillte lirinë. Pavarësisht bindjeve ideologjike, fokusi i tyre qe liria. Dhe nga kjo s’hoqën dorë deri më 1999 kur aktiviteti ushtarak i UÇK-së, politika paqësore e institucioneve paralele me prirje paqësore dhe ndihma e botës demokratike, bënë që Kosova të çlirohet. 

Drejtoresha e Institutit të Historisë, “Ali Hadri”, Teuta Shala-Peli ka thënë se në kohën kur liria e fjalës ishte e ndaluar, ekzistonte shtypi i fshehtë i cili u bë mjet i fuqishëm i informimit.

“Shtypi i fshehtë u bë një mjet i fuqishëm i organizimit, informimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar. Ai ishte jo vetëm burim informacioni, por edhe një simbol i qëndresës dhe i aspiratës për liri, barazi dhe pavarësi”, ka thënë Shala-Peli. 

Sipas saj, botuesit, shpërndarësit dhe autorët e këtyre materialeve vepronin në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme, duke rrezikuar lirinë dhe jetën e tyre.

“Falë guximit dhe përkushtimit të tyre, sot kemi mundësi të dokumentojmë dhe të kuptojmë një pjesë shumë të rëndësishme të historisë sonë më të re. Kjo ekspozitë na kujton se rezistenca nuk zhvillohet vetëm në rrugë e demonstrata, por edhe përmes fjalës së shkruar, përmes gazetave të shtypura fshehurazi dhe përmes ideve që nuk mund të mbyteshin”, ka thënë ajo. Sipas drejtoreshës Shala-Peli, kjo ekspozitë është vlerësim dhe mirënjohje për ata veprimtarë që kontribuuan në identitetin kombëtar.
“Njëkohësisht, kjo ekspozitë është dhe një vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë ata veprimtarë, intelektualë e patriotë që kontribuuan në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në udhëtimin drejt lirisë së Kosovës”, ka thënë ajo. 

Dorina Daiu studiuese në Institutin e Studimeve për Krime dhe Pasojat e Komunizmit, si bashkorganizatore, ka thënë se materialet e paraqitura në këtë ekspozitë dëshmojnë guximin dhe përkushtimin e veprimtarëve, të cilët kanë rrezikuar jetën për të pasur liri të shprehjes.

“Materialet e paraqitura në këtë ekspozitë dëshmojnë, përveç aftësive intelektuale, edhe guximin, përkushtimin dhe sakrificën e shumë veprimtarëve, të cilët, duke rrezikuar lirinë dhe jetët e tyre, kontribuuan në përhapjen e së vërtetës dhe të fjalës së lirë të një populli që nuk u dorëzua kurrë për aspiratat e tij për liri”, ka thënë ajo. Sipas Daiut, bëhet fjalë për një pjesë mjaft të çmuar të kujtesës historike dhe një dëshmi të qëndresës së popullit shqiptar të Kosovës gjatë viteve të errëta 1980–1999. 

“Më lejoni të shpreh konsideratat më të larta, respektin dhe mirënjohjen për të gjithë veprimtarët e kësaj periudhe, sakrificat dhe kontributi i të cilëve ndihmuan dhe mundësuan një Kosovë të lirë e të pavarur”, ka thënë Daiu. Ajo më pas ka marrë mikrofonin dhe me radhë ka dhënë sqarime për materialet e paraqitura në ekspozitë, njëfarë situate sa shpjeguese aq vetëreklamuese. 
Në ceremoni shkurt të pranishmëve u është drejtuar veprimtari Emrush Xhemajli, i cili ka thënë se aktivitetet e tilla janë të nevojshme. 

“Në kushtet e vështira që ishin, janë bërë përpjekje për të informuar drejt për atë që ndodhte në Kosovë. Jo veç kjo ekspozitë por edhe aktivitete të tjera që organizohen janë vlerë dhe nderim për historinë dhe ata që kanë dhënë kontribut”, ka thënë ai.

Ekspozita s’është aq e pasur me materiale dhe kurimi s’përkon fort me konceptet e sotme. Por është një bazë që i heq pak pluhurin aktivitetit ilegal prej para më shumë se katër dekadave. Shpërfaq entuziazmin për liri dhe mënyrën se si bëhej thirrje që ajo të arrihej.