“Serialit” të Ministrisë së Kulturës që nisi me pezullim, shkarkim, kthim në detyrë, paralajmërim për shkarkim e më pas shkarkim të Arben Zharkut nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka dhënë një “episod” të ri. Katër vjet pas atij shkarkimi, e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin e Ministrisë së Kulturës. Anulohen pesë vendime të Ministrisë së Kulturës të marra brenda pesë muajsh deri në shkarkimin përfundimtar të Zharkut. Ministria do t’ia paguajë nja pesë mijë euro me kamatë, sikurse do t’i paguajë edhe shpenzimet gjyqësore prej një mijë eurosh
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se me rastin e shkarkimit të Arben Zharkut nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Ministria e Kulturës ka vepruar në kundërshtim me ligjet në fuqi. Kjo Gjykatë më shumë se katër vjet pas rastit, ka shfuqizuar vendimin e ish-ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, nëpërmjet të cilit është shkarkuar Zharku. Ministria e Kulturës detyrohet t’ia shpaguajë madje me kamatë pagat e mbetura deri në përfundim të rregullt të mandatit e po ashtu t’i paguajë shpenzimet administrative të Gjykatës. Arben Zharku qe shkarkuar në dhjetor të vitit 2021. “Seriali” i asokohshëm i Ministrisë së Kulturës nis me pezullim, shkarkim, kthim në detyrë, paralajmërim për shkarkim e më pas shkarkim.
“Aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditësit Arben Zharku ndaj të paditurës Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të cilën e përfaqëson Avokatura Shtetërore”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të shtypur në ditën e 16-të të këtij muaji. Në vendimin e nxjerrë nga gjyqtari Florian Krasniqi, anulohen pesë vendime të Ministrisë së Kulturës të marra brenda pesë muajsh deri në shkarkimin përfundimtar të Zharkut. E në pikën e tretë të vendimit, Gjykata ka vendosur që në emër të pagave, për periudhën 01.10.2021 deri më datë 15.03.2022, t’i paguhen Zharkut 5 mijë e 65 euro me kamatë ligjore prej 8 për qind në vit nga dita e paraqitjes së padisë në gjykatë më datë 04.10.2021. E në emër të kontributit pensional Ministria duhet të paguajë shumën prej 576 eurosh si dhe tatimin në pagë, 414 euro. Po ashtu Ministria e Kulturës duhet të paguajë një mijë e 80 euro për shpenzimet administrative të Gjykatës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoHistoria e shkarkimit të Arben Zharkut do të niste në qershor të vitit 2021 kur Këshilli Drejtues i QKK-së me asokohe More Raçën, kryesuese dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të QKK-së, Luan Daka, Bislim Bislimi, Besim Ugzmajli dhe Xhejlane Tërbunja të emëruar në këtë pozitë nga ish-ministri Hajrulla Çeku, i janë drejtuar eprorit të tyre me një raport ku konstatonin shkelje ligjore, keqmenaxhim dhe kërkohej shkarkimi i Zharkut. Në korrik Zharku u pezullua nga detyra. Më pas Komisioni Disiplinor, në gusht të atij viti mori vendim për “largim nga shërbimi civil” të Zharkut duke e shkarkuar atë. Por ia kishin huqur. Zharku u ankua dhe u kthye në punë pasi sipas Ligjit të asokohshëm të kinematografisë vetëm ministri i Kulturës mund ta shkarkonte. E ministri i asokohshëm Hajrulla Çeku prapë e dërgoi rastin në Komision Disiplinor përderisa pavarësisht se lënda ishte në shqyrtim, në takime publike i referohej si “drejtori i shkarkuar”. E në dhjetor, pasi mori rekomandim për shkarkim nga Komisioni Disiplinor, ish-ministri Hajrulla Çeku e shkarkoi Arben Zharkun. Ky vendim ishte marrë veç katër muaj para se Zharku ta përfundonte mandatin e dytë si drejtor. Mandatin ligjërisht do ta përfundonte më 15 mars të vitit 2022.
Gjykata Themelore në Prishtinë nuk i ka dhënë të drejtë MKRS-së në asnjërën pikë që kishte shërbyer për shkarkimin e Zharkut.
“Bazuar në vërtetimin e gjendjes faktike, Gjykata gjen se kërkesëpadia e paditësit është në tërësi e bazuar kjo për faktin se mospërcjellja në procedurë administrative nga e paditura nuk ka arritur të vërtetojë me prova përgjegjësinë e paditësit në raport me shkeljet e pretenduara për të cilat është zhvilluar procedura disiplinore ndaj të njëjtit”, shkruhet në arsyetimin e vendimit ku bëhet e ditur se janë shqyrtuar krejt provat. Në arsyetim shkruhet se siç rezulton nga gjetjet e Komisionit Disiplinor, njëra nga shkeljet e gjetura për shkak të të cilave Zharkut i është ndërprerë kontrata e punës ka qenë borxhi i Qendrës Kinematografike të Kosovës. MKRS-ja konstatonte se Zharku e kishte futur QKK-në në obligime kontraktuale pa pasur të zotuar me shkrim buxhetin dhe se borxhet e QKK-së për vitin 2018, 2019 dhe 2020 kishin arritur vlerën prej një milion e 710 mijë euro.
“Referuar këtij konstatimi të Komisionit Disiplinor, Gjykata gjen se me asnjë provë nuk është vërtetuar fakti se ka qenë përgjegjësi direkte e paditësit ngarkimi me borxhe i institucionit drejtor i të cilës ka qenë”, shkruhet në vendim. Aty ceket se asokohe me Ligjin për kinematografi, Këshilli Drejtues i QKK-së miratonte buxhetin vjetor dhe përcaktonte politikën financiare të institucionit.
“Bazuar në faktin se Këshilli Drejtues i QKK-së kishte qenë përgjegjës për miratimin e buxhetit vjetor dhe shpërndarjen e mjeteve, e paditura nuk ka arritur të arsyetojë se cilat kanë qenë veprimet e paditësit të ndërmarra në cilësi të drejtorit të QKK-së e që kanë ndikuar në rritjen e borxhit të institucionit”, shkruhet në vendim.
Arsye tjetër për shkarkim ishin edhe “shkeljet” e evidentuara në subvencionimin e projektit filmik “Ekzil”, me pretendimin se nuk janë kontrolluar të dhënat e deklaruara nga aplikuesi në testin e kulturës dhe pagesa e subvencionimit është bërë si shumë e tërësishme e jo në pajtim me Ligjin për kinematografinë, që përcaktonte se pagesa duhet të realizohet në tri faza.
“Rrjedhimisht sa i përket pretendimeve të komisionit disiplinor se projekti filmik fillimisht është dashur të realizohet në gjuhën shqipe, e pastaj ka rezultuar se është realizuar në gjuhën gjermane, sa i përket këtij ndryshimi paditësi ka arsyetuar se ndryshimi është bërë përmes një njoftimi zyrtar nga realizuesi i projektit, kjo konform Rregullores për Subvencionim të QKK-së, dhe si provë për këtë ka dorëzuar edhe njoftimin e datës 15.08.2018”, shkruhet në arsyetim. Në këtë rast si provë për t’i dhënë të drejtë Zharkut ka shërbyer edhe raporti i punës ku komisioni për shqyrtimin e aplikimeve nuk kishte konstatuar se projekti i filmit “Ekzil” kishte pasur ndonjë mangësi. Gjykata ka konstatuar se asnjë nga këto prova nuk janë shqyrtuar nga Komisioni Disiplinor.
“Po ashtu edhe sa i përket pretendimit për shkelje të detyrave të punës kur pagesa për projektin filmik ‘Ekzil’ është kryer në shumën e tërësishme prej 150 mijë eurove e jo në tre faza siç përcaktohet me ligjin në fuqi, Gjykata gjen se nuk është vërtetuar me asnjë provë ky pretendim, e po ashtu as Komisioni Disiplinor nuk i është referuar asnjë prove përkatëse me rastin e arsyetimit të këtij pretendimi”, shkruhet në arsyetim.
Shkelje tjetër e cila asokohe qe konstatuar nga ana e Komisionit Disiplinor është se Zharku në cilësi të drejtorit të QKK-së nuk ka zhvilluar ndonjë mekanizëm përmes të cilit operatorët ekonomikë do të paraqisnin fitimin e realizuar nga shfrytëzimi i veprës filmike.
“Megjithatë edhe pretendimi i tillë nuk është arsyetuar nga Komisioni Disiplinor. Thënë këtë, Gjykata gjen se në arsyetim të vendimit nr. 02/2021 të datës 22.10.2021 Komisioni Disiplinor vetëm i është referuar mungesës së krijimit të mekanizmave, ndërsa nuk është sqaruar nëse fillimisht fondi për kinematografi është krijuar (kjo ngase ka qenë pretendim i paditësit se ky fond nuk është krijuar asnjëherë), nëse është përgjegjësi e paditësit krijimi i mekanizmave përmes të cilit operatorët ekonomikë do të paraqisnin fitimin e realizuar”, shkruhet në arsyetim.
Nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësor, saktësisht nga formularët e vlerësimit të performancës, rezulton se Arben Zharku ka pasur vlerësim të shkëlqyeshëm të performancës dhe se atij asnjëherë nuk i janë adresuar vërejtje sa i përket menaxhimit jo të duhur të institucionit. Gjykata ka konstatuar edhe një varg shkeljesh të tjeratë procedurave gjatë procesit të shkarkimit të Zharkut.
KOHA pasi ka marrë vendimin e Gjykatës të enjten vonë, ka provuar që të marrë edhe nga një qëndrim nga ish-ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku – aktualisht ministër i Arsimit – i cili e ka shkarkuar Zharkun e po ashtu nga ish-kryesuesja e Këshillit Drejtues të QKK-së, More Raça. Por deri në kohën e publikimit të këtij teksti asnjëri nuk është përgjigjur.
Ish-drejtori i QKK-së, Arben Zharku, ka thënë se periudha kur pati nderin ta udhëheqë këtë institucion përkoi me një moment të jashtëzakonshëm për kinematografinë e Kosovës. Sipas tij, sidomos viti 2021 ishte kulmor. Ka përmendur se filmat e Kosovës ishin në “Oscars”, Sundance, Cannes, Berlin, Rotterdam, Venecie, Sarajevë, Karlovy Vary e shumë vende të tjera duke sjellë çmime e suksese të jashtëzakonshme.
“Besoj se suksesi i kinematografisë së Kosovës është dhe duhet të mbetet një projekt i përbashkët, mbi çdo rrethanë. Goditja që iu bë në atë kohë QKK-së ishte e padrejtë dhe e turpshme. Drejtësia në Kosovë vonon, por prapëseprapë mbetet balanca më e mirë ndaj vendimeve të padrejta të politikanëve dhe politikave të gabuara”, ka thënë ai.
LEXO EDHE: