Kulturë

Kronika e një shkarkimi të paralajmëruar të drejtorit të QKK-së

Në ditën e dhjetë të nëntorit, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku do t’i referohej Arben Zharkut si ish-drejtori i Qendrës Kinematografike. Fiks një muaj pas atij takimi me kineastët, ka nënshkruar vendimin për shkarkim, që i jep fund një sage shkarkimesh, pezullimesh, paralajmërimesh për shkarkim e që në fakt ishte si një “kronikë e një shkarkimi të paralajmëruar”. Zharku ka falënderuar bashkëpunëtorët, ka akuzuar MKRS-në dhe ka lënë të hapur mundësinë që beteja e tij nëpër gjykata të vazhdojë. E ajo kishte nisur qysh në qershor

Se shkarkimi i Arben Zharkut nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës ishte çështje ditësh, ishte paralajmëruar tërthorazi në ditën e dhjetë të nëntorit. Në “Diskutimin e hapur me komunitetin e kinematografisë”, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, do t’i referohej Zharkut si ish-drejtori, ani pse ende me letra s’ishte punë e kryer. Fiks një muaj pas atij takimi me kineastët, ka nënshkruar vendimin për shkarkim. “Shkarkohet drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, z. Arben Zharku”, shkruhet në pikën e parë të vendimit, të cilin e ka parë KOHA. “Për zbatimin e këtij vendimi obligohen Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Divizioni i Personelit të MKRS-së”, është pika e dytë, pasuar nga e treta dhe e fundit se “Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”. Në vendim nuk jepet tjetër sqarim, por i jep fund një sage shkarkimesh, pezullimesh, paralajmërimesh për shkarkim e që në fakt ishte si një “kronikë shkarkimi të paralajmëruar”.

Pyetjeve të KOHËS nuk u është përgjigjur Zharku. Është mjaftuar me atë që ka shkruar në Facebook. Fillimisht ka falënderuar bashkëpunëtorët. Krejt në fund është marrë edhe me MKRS-në. “Para disa muajsh jam larguar nga puna në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Dua t’ju falënderoj nga thellësia e zemrës të gjithë juve me të cilët e kam ecur këtë dekadë fantastike të ngritjes së Kinematografisë të vendit tonë”, ka shkruar Zharku. Ka kujtuar se këta dhjetë vjet ishin të jashtëzakonshëm, “e sidomos ky vit”. Mandati i Zharkut, i dyti, siç e ka nënvizuar edhe ai, është dashur të përfundonte në marsin e vitit që vjen. “...mirëpo Ministria e Kulturës me arbitraritet dhe shkelje ligjore e shkëputi kontratën dhe për këtë çështje veç kam ndjekur hapat ligjor”, ka shkruar Zharku në fund të postimit, ku s’e përmend shkarkimin, por lë të hapur që beteja e tij me MKRS-në, tash nëpër gjykata, ende s’ka marrë fund. E ajo kishte nisur qysh në qershor.

Episodi i parafundit qe ai i fillimit të nëntorit, kur Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës sërish do të vendoste se ishin përmbushur kushtet që Zharku të shkarkohej nga pozita që e mbante. Për dallim nga vendimi i gushtit, kur Komisioni kishte nxjerrë vendim për “largim nga shërbimi civil”, tash ky komision kishte vepruar pak më ndryshe, duke nxjerrë vendim se janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore “largim nga shërbimi publik”. Me këtë, Ministria e Kulturës e kishte rikonfirmuar se ia kishte mësyrë që me çdo kusht Zharkun ta shkarkonte nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike. Duke shkelur procedurat e duke dalë jashtë kompetencave, dështoi ta bëjë këtë në fund të verës, por Komisioni Disiplinor i MKRS-së tek atëherë do ta kuptonte që ministri është kompetent për shkarkim. Do t’i rekomandonte atij që të bënte një gjë të tillë, pasi “janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore largim nga shërbimi publik”. Për gjashtë muaj, Zharku është pezulluar, shkarkuar, kthyer, për të ardhur deri te shkarkimi i tanishëm.

Në korrik ishte pezulluar nga detyra. Në gusht qe shkarkuar e më pas një ankesë e tij kishte bërë që në shtator të kthehej. Por ministri Çeku prapë e kishte dërguar në Komision Disiplinor. Krejt kjo histori zë fill në një Raport të përbërjes së Këshillit Drejtues që ishte emëruar nga ministri Çeku. Anëtarët e KD-së qysh në qershor i kishin rekomanduar ministrit se Zharku duhej shkarkuar për keqmenaxhim. Por më vonë doli se jo krejt anëtarët e atij Këshilli Drejtues, të emëruar nga ministri Çeku, kishin mundësi ligjore të qëndronin në ato pozita. Komisioni Disiplinor, në fund të tetorit, do të konstatonte se tri pretendime të Këshillit Drejtues janë të bazuara, një jo, dhe një tjetër pjesërisht i bazuar. Sipas Komisionit, QKK-ja numëron 1.8 milionë euro obligime shkaku i tejkalimeve buxhetore në vitet 2018 dhe 2019.

“Të gjithë hapat ligjorë për të kundërshtuar çfarëdo pretendimi ndaj meje”, kishte thënë Zharku në fillimnëntor, kur ishte pyetur nëse do të ankohet ndaj vendimit për shkarkimin e tij, që asokohe priste nënshkrimin e ministrit të cilin tashmë e ka. Nëse “episodi i radhës” do të ketë “shesh xhirimi” sallat e gjykatave, mbetet të shihet.