Zgjedhjet lokale

Ismaili premton parkingje nëntokësore, Tërnava sheshin më të madh në Kosovë

Ismajli premton parkingje nëntokësore, Tërnava sheshin më të madh në Kosovë

Kandidatët e PDK-së për kryetarë komunash javën e parë të fushatës e përmbyllën me premtime. Uran Ismaili në kryeqytet ka premtuar parkingje nëntokësore për lagjen “Bregu i Diellit”, në Viti Bekim Azizi e në Ferizaj, Agim Aliu kanë premtuar ndërtime të parqeve, ndërsa në Fushë-Kosovë, Rrahim Tërnava ka thënë se do të ndërtojë sheshin më të madh në Kosovë

Në përmbyllje të javës së parë të fushatës elektorale, kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka premtuar investime në lagjen “Bregu i Diellit” në kryeqytet, që përfshijnë lidhjen e disa pjesëve të kësaj lagjeje me ngrohtoren e qytetit, parkingje nëntokësore e investime në infrastrukturë sportive e rekreacion. Ismaili të premten mbajti edhe takim me qytetarë, ku prezantoi planin për lagjen.

“Këto janë zotimet e mia për ‘Bregun e Diellit’: Rregullimi i ngrohjes së qytetit te ‘Banesat e Bardha’; Renovimi i të gjitha ndërtesave me fasada të reja, izolim dhe panele solare; Rregullimi i të gjitha platove; revitalizimi i qendrës tregtare; Parkingje nëntokësore për ‘Bregun e Diellit’, që lirojnë hapësirat publike para ndërtesave; Qendër Multifunksionale me palestër sportive vertikale për banorët  e lagjes”, ka thënë ai.

Kryetari aktual i Ferizajt, Agim Aliu, që kandidon për mandatin e tretë me radhë ka njoftuar për nisjen e punimeve për rregullimin e një parku në pjesën jugore të qytetit.

“Nisën punimet për rregullimin e parkut në Varosh, hapësirë kjo prej mbi 1 hektar që do të shndërrohet plotësisht, me qindra drunj dekorativë, trotuare e shtigje ecjeje, hapësira rekreative për banorët e këtij fshati dhe zonave përreth - projekt ky i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit”, ka thënë Aliu.

E park më të madh se të Ferizajt ka premtuar Bekim Azizi, që është kandidati i PDK-së për kryetar të Vitisë.

“Parku dyhektarësh i qytetit, që do të ndërtohet në afërsi të shkollës ‘Dëshmorët e Vitisë’, do të jetë një nga projektet tona madhore, i cili do t’u ofrojë qytetarëve një hapësirë moderne rekreative. Brenda këtij parku do të përfshihen: hapësira të gjelbra, zona për rekreacion, kënd lojërash, fusha sportive dhe ambiente relaksuese”, ka deklaruar Azizi.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, njëherësh nënkryetar komune, premtoi renovim të plotë të tregut të qytetit.

“Ky është projekti im për modernizimin e tregut, i cili do të krijojë mundësi për rritjen e ekonomisë lokale. Krijimi i markës “Made in Mitrovica” do t’i mundësojë çdo biznesi të rritet dhe të arrijë potencialin maksimal. Bizneset, bujqit dhe blegtorët e Mitrovicës kanë shumë për të ofruar dhe “Made in Mitrovica” do të bëhet simbol krenarie për të gjithë ne”, ka theksuar ai.

Ndërkaq Shaqir Totaj, që synon mandatin e dytë në krye të Prizrenit, njoftoi se të premten ka ndarë mjete bujqësore për 155 fermerë.

“Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ndau sot mjete bujqësore për 155 fermerë, nga gjithsej 333 fermerë përfitues në kuadër të projektit ‘Furnizimi me mekanizëm bujqësor - me bashkëfinancim’. Fermerët përfituan motokultivatorë, pjatore me disqe, trina, mbjellëse misri dhe gruri, pllugje dhe atomizerë. Ky investim synon modernizimin e mekanizimit bujqësor, rritjen e cilësisë së punës në tokë dhe zvogëlimin e shpenzimeve. Komuna e Prizrenit, një prej prioriteteve kryesore ka mbështetjen e vazhdueshme të fermerëve”, ka njoftuar Totaj.

Ndërtimin e sheshit më të madh në Kosovë e ka premtuar Rrahim Tërnava, që kandidon për kryetar të Fushë-Kosovës nën siglën e PDK-së.

“Do ta ndërtojmë sheshin më të madh në Kosovë, 1.35 kilometra. Ai shesh do ta bashkojë qytetin, ai shesh do të jetë në shfrytëzim të çdo të riu, të çdo nëne, të çdo gruaje, të çdo plaku ku mund të ecim dhe të pushojmë”, ka thënë Tërnava gjatë një tubimi elektoral.

Në perëndim të Kosovës, Ali Nimanaj, që kandidon për kryetar të Istogut premtoi investime të shumta në sport.

“300 mijë euro në vit subvencionim trajnerëve të të gjitha klubeve sportive të mrekullueshme në Komunën tonë. Infrastrukturë sportive, ku përfshihen ndërtimi dhe renovimi i sallave, terreneve dhe fushave rekreative. Subvencione, pajisje, transport për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare për klubet sportive. Zhvillim të sportit, organizim i kampionateve komunale dhe mbështetje për talente”, ka premtuar ai.

Në Prishtinë, PDK-ja nuk ka udhëhequr asnjëherë. Ismaili në zgjedhjet lokale të 2021-tës doli i treti, por partia shënoi rezultatin më të mirë zgjedhor ndonjëherë. Aliu, kryetar i Ferizajt u bë në vitin 2017, pasi komuna ishte udhëhequr nga LDK për katër vjet. Ai ishte kryetar edhe një gjysmëmandati në vitet 2012-2013. Në Mitrovicë e Prizren, më 2021, PDK-ja u rikthye në pushtet. Të dy komunat ia mori LVV-së. E në Istog, ashtu si në Prishtinë, PDK-ja s’i ka fituar zgjedhjet lokale asnjëherë.

Lexo përditësimet tjera
Vota - zgjedhjet 2025

Dita e shtatë e fushatës