Ani pse synon që mandatin e dytë si drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ta çojë deri në fund, deri në marsin e vitit që vjen, Arben Zharku krejt episodin e dy muajve të fundit me pezullim, shkarkim, rikthim e sërish masa disiplinore, e përshkruan edhe si një betejë sulmesh ndaj tij prej atyre që këtë e kanë agjendë personale. “As ministri e as Ministria s’bën të bëhen pjesë e një loje ose sulmeve me agjendë personale”, thotë Zharku duke aluduar në anëtarët e Këshillit Drejtues të QKK-së. Thotë se si aktor e producent nuk mund të punojë pasi gjatë dy mandateve ka krijuar shumë armiq ngase jo krejt projektet kanë mundur të përkrahen nga QKK-ja. Mohon ta ketë futur institucionin në borxhe prej 1,8 milionë eurosh, rendit sukseset që ka arritur dhe përmend largimin prej vendit si opsion që i sillet ndër mend
Beteja midis Ministrisë së Kulturës dhe Arben Zharkut do të vazhdojë. Përderisa sipas Ministrisë ai ka bërë disa shkelje ligjore për të cilat duhet të shkarkohet, Zharku synon që mandatin e dytë si drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ta çojë deri në fund, deri në marsin e vitit që vjen.
Janë 1.8 milionë euro borxhe të QKK-së, financim i një projekti jashtëligjshëm, mosarkëtimi i mjeteve nga fitimi i filmave, ato që Komisioni Disiplinor i ka marrë për bazë për ta “përjashtuar nga shërbimi civil”. Por, Komisioni i Ankesave e ka kthyer si drejtor duke konstatuar se ata që kanë kontrolluar “disiplinën” e Zharkut nuk kanë pasur të drejtë ta shkarkojnë, por t’i rekomandojnë shkarkim ministrit të Kulturës. Pos kësaj, ata që trajtuan ankesën e Zharkut kanë konstatuar se Komisioni Disiplinor është vonuar në afat kohor derisa ka nxjerrë vendimin.
Në një intervistë të gjatë për KOHË-n të transmetuar të dielën mbrëma edhe në KTV, Arben Zharku është përgjigjur për krejt këtë proces dhe përtej kësaj. Ka folur edhe për të ardhmen e tij, të cilën planifikon ta nisë larg këtyre anëve.
“QKK-ja nuk ka borxhe”
Në qershor të këtij viti, përbërja e asokohshme e Këshillit Drejtues të QKK-së me More Raçën, kryesuese dhe anëtarët Luan Daka, Bislim Bislimi, Besim Ugzmajli dhe Xhejlane Tërbunja të emëruar në këtë pozitë nga ministri Hajrulla Çeku, i kishin dërguar eprorit të tyre një raport. Kërkonin shkarkimin e Arben Zharkut. Gjetjet e Këshillit ishin vërtetuar nga Komisioni Disiplinor dhe Zharku ishte shkarkuar e më pas qe kthyer. QKK-ja më 2018 kishte lidhur kontrata për subvencionim projektesh bazuar në premtime verbale pasi më 7 gusht të vitit 2018 do të jepej “lajmi i madh” për këtë institucion. Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, pas një vizite në QKK, kishte thënë se institucionit do t’i dyfishohej buxheti. E njëjta histori ishte përsëritur edhe më 2019. QKK-ja, sipas të dhënave të Këshillit Drejtues, ka 1.8 milionë euro borxhe.
Por, sipas Arben Zharkut, çka është thënë nga Këshilli është e paqëndrueshme.
“Ata qysh në takimin e parë kanë ardhur me pretendime dhe nuk kanë kërkuar raport nga ne. QKK-ja nuk është në borxhe, por ka obligime kontraktuale rreth 1.7 milionë që do të realizohen këtë vit dhe në vitet e ardhshme. Nuk janë keqpërdorur 1.7 milionë, por ka obligime kontraktuale. Fatmirësisht sivjet është rritur buxheti e sipas kryeministrit, vitin tjetër do të rritet prapë”, ka thënë ai. Sipas Zharkut, më 2018 QKK-ja ka shpenzuar 1.4 milionë në projekte. Më 2019 vetëm rreth 800 mijë pasi, sipas tij, ishin zgjedhjet dhe MKRS-ja nuk i realizoi zotimet.

“Ministri jep përgjegjësi për zotimet”
“Ministri jep përgjegjësi për zotimet. Këshilli Drejtues vendos për buxhetin pas propozimeve të drejtorit. Drejtori është i obliguar t’i zbatojë vendimet e Këshillit Drejtues. Përse ministri nuk e ka mbajtur zotimin, drejtori nuk mund të jap përgjegjësi”, ka thënë ai.
Zharku prapë është në Komision Disiplinor bazuar në raportin e Këshillit Drejtues. Sipas raportit dhe vendimit të parë të Komisionit, QKK-ja ka financuar film duke e klasifikuar në kategori që nuk i takon ligjërisht dhe në vend të tri kësteve, mjetet janë derdhur me një këst. Bëhet fjalë për “Exil” nën regji të Visar Morinës.
Por, sipas Arben Zharkut, projektet aplikuese janë vlerësuar me pikë sipas të dhënave që kanë ofruar.
“Nuk kemi pasur asnjëherë ndonjë vërejtje a ankesë për këtë.Edhe tash nëse kemi, e shqyrtojmë. Mund tëkërkojmë edhe kthimin e krejt mjeteve”, ka thënë ai. Sipas tij, nuk e di se përse MKRS-ja e ka bërëtransferimin e të gjitha mjeteve nëpërmjet një kësti. Në atë periudhë ka thënë të mos ketë qenë në punë dhe është zëvendësuar nga dikush tjetër.
Sipas Ligjit për kinematografi, filmat që gjenerojnë fitime, një pjesë të tyre duhet t’ia kthejnë fondit të filmit. Sipas Këshillit Drejtues dhe Komisionit Disiplinor, QKK-ja nuk ka arkëtuar asnjë cent dhe për këtë është përgjegjës edhe drejtori. Prej se ekziston QKK-ja, asnjëherë nuk është respektuar neni për kthimin e fitimit.
Sa i përket kësaj, Arben Zharku ka thënë se asnjë producent nuk ka deklaruar fitime. Bile, sipas tij, as që mund të ketë fitime.
“A ka dikush një dëshmi që një projekt filmik ka fituar? Jo për Kosovë, por as në Evropë nuk fitojnë pasi janë filma artistikë që mbështeten nga shteti. Te ne askush nuk ka deklaruar fitim. Secili producent e ka për obligim ta njoftojë QKK-në për kontratat që nënshkruan. Mjafton një njoftim te ne se dikush ka fituar dhe janë organet që e hetojnë”, ka thënë ai.
“Komisioni ka qenë nën presion”
Meqenëse se Zharku është prapë në Komision Disiplinor ka thënë se nuk pret asgjë nga Ministria e Kulturës. Sipas tij, Komisioni Disiplinor më 30 korrik i ka bërë rekomandimet, por ka pasur presion që rekomandimi të kthehet në vendim.
“Presion nga zyrtarët e lartë të MKRS-së, kabineti, sekretari, ministri, nuk e di. Nga dikush që është në nivel më të lartë se ata”, ka thënë Zharku. Sipas tij, anëtarët e Komisionit i kanë treguar se u kanë thënë eprorëve të tyre qëvendimi është i kundërligjshëm pasi është pas afatit, por janë detyruar për ta marrë atë vendim. “Pse ka nevojë dikush të bëjë presion. Aty janë dy adresa: sekretari ose kabineti i Ministrit”, ka thënë ai.
Sipas tij, muajve të fundit MKRS-ja e ka dëmtuar shumë. Ka rrëfyer se ishte marrë vesh me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, se në rast të rekomandimit negativ do të jepte dorëheqje. Por, sipas tij, më pas nuk i ishte dhënë mundësia.
“As ministri e as Ministria s’bën të bëhen pjesë e një loje ose sulmeve me agjendë personale”, ka thënë ai, duke aluduar se anëtarët e Këshillit kanë pasur agjendë personale ndaj tij.
Anëtarësimi në ”Academy Awards”, ndër arritjet më të mëdha
Sa i përket periudhës që ka drejtuar QKK-në, Arben Zharku, ka thënë se sukseset e viteve të fundit janë të pakontestueshme. Ka përmendur se revista të njohura botërore kanëraportuar për sukseset e kinematografisë kosovare.
“Unë ndihem krenar për barazi gjinore, për edukim dhe promovim. Sikur të mos kishim bashkëpunim me FAMU-n, mos të kishim investuar në edukim tëtë gjithë brezave me festivalet më të mira nuk e kishim pasur këtë edukim të resurseve humane në vend. Për anëtarësimin në‘Oscars’ ndihem shumë krenar”, ka thënë ai. Angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e skenarëve që përkrahen nga QKK-ja, sipas tij, ka ndikuar shumë mirë. “Ka ndikuar që një sy i huaj pa pikë emocioni dhe me eksperiencë të vlerësojë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë ai.

“Mendoj të largohem nga vendi”
Ai ka treguar se kur ka filluar punën në QKK e ka ndërprerë angazhimin si producent dhe aktor. E ka lënë punën si drejtor në “Skena UP” e po ashtu edhe si menaxher në Qendrën “Multimedia”. Tash nuk llogarit të punojë në profesion e as si producent.
“Edhe me dashtë të kthehem si aktor, nuk kam vend se tash e dhjetë vjet nuk kam qenë në teatër ose në film. Si producent, shteti nuk të lejon dy vjet pas mandatit të punosh”, ka thënë ai. Sipas tij, askush nuk dëshiron të punojë me të pasi gjatë dy mandateve ka krijuar shumë armiq pasi jo krejt projektet kanë mundur të përkrahen nga QKK-ja.
“I vetmi mendim që e kam në këtë kohë është të largohem jashtë. Nuk po shoh asnjë shenjë ose mundësi që të mund tëvazhdoj të punoj diçka këtu. Aq është ngulfatur ky vend sa nuk shoh mundësi të punoj këtu”, ka thënë ai.