Kulturë

Episodi i radhës për shkarkimin e drejtorit të Qendrës Kinematografike

Ministria e Kulturës ia ka mësyrë që me çdo kusht, Arben Zharkun ta shkarkojë nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike. Duke shkelur procedurat e duke dalë jashtë kompetencave, dështoi ta bënte këtë në fund të verës, por tash Komisioni Disiplinor i MKRS-së tek e ka kuptuar që ministri i Kulturës është kompetent për shkarkim, ia ka rekomanduar atij që të bëjë një gjë të tillë, pasi “janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore largim nga shërbimi publik”. Për pesë muaj, Zharku është pezulluar, shkarkuar, kthyer dhe tash sërish në pritje të “certifikimit” të shkarkimit

Historia me largimin e kthimin e Arben Zharkut nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës vjen me episodin e radhës. Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës sërish ka vendosur se janë përmbushur kushtet që Zharku të shkarkohet nga pozita që e mbanë. Për dallim nga vendimi i gushtit, kur Komisioni kishte nxjerrë vendim për “largim nga shërbimi civil”, tash ky Komision ka vepruar pak më ndryshe. Ka nxjerrë vendim se janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore “largim nga shërbimi publik”.

Një tjetër dallim në raport me vendimin e verës është përcaktimi i autoritetit që e bën shkarkimin. Përderisa në vendimin paraprak vetë Komisioni kishte vendosur për këtë – dhe doli të ishte gabim – kësaj radhe në pikën e tretë të vendimit shkruhet se “për shqiptimin e kësaj mase disiplinore është kompetent ministri i Kulturës, por pas përfundimit të procedurës administrative”. Kësisoj, i bie që ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pas afatit të ankesave dhe shqyrtimit të tyre, në bazë të Ligjit për kinematografi mund të vendosë për shkarkimin e Arben Zharkut. Një gjë e tillë pritet të ndodhë, pasi tashmë janë bërë dy herë që ministri Çeku inicion procedurë disiplinore ndaj drejtorit Zharku. Në anën tjetër, janë paralajmëruar ankesat.

Arben Zharku, i cili është në fund të mandatit të dytë si drejtor i QKK-së, në korrik ishte pezulluar nga detyra. Në gusht qe shkarkuar e më pas një ankesë e tij kishte bërë që në shtator të kthehej. Por, ministri Çeku prapë e kishte dërguar në Komision Disiplinor. Krejt kjo histori zë fill në një Raport të përbërjes së Këshillit Drejtues që ishte emëruar nga ministri Çeku. Anëtarët e KD-së qysh në qershor i kishin rekomanduar ministrit Çeku se Zharku duhej shkarkuar për keqmenaxhim. Por, më vonë doli se jo krejt anëtarët e atij Këshilli Drejtues të emëruar nga ministri Çeku, kishin mundësi ligjore të qëndronin në ato pozita. Të paktën një prej tyre, ishte emëruar në këtë organ duke qenë potencialisht në konflikt interesi. Bëhet fjalë për More Raçën, e cila ka projekt të pambyllur me QKK-në.

Në vendimin e fundit, Komisioni Disiplinor, në fund të tetorit, ka konstatuar se tri pretendime të Këshillit Drejtues janë të bazuara, një jo, dhe një tjetër, pjesërisht i bazuar.

Sipas Komisionit, QKK-ja numëron 1.8 milion euro obligime, shkaku i tejkalimeve buxhetore në vitet 2018 dhe 2019.

KOHA ka raportuar se në ditën e 7-të të gushtit të vitit 2018 do të jepej “lajmi i madh” për QKK-në. Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, pas një vizite në QKK, kishte thënë se institucionit do t’i dyfishohej buxheti.

“Konfirmojmë edhe një herë mbështetjen tonë të madhe për QKK-në. Siç dihet, kjo Qendër ka pasur një buxhet rreth 600 mijë euro për mbështetjen e filmave dhe ne kemi vendosur që këtë buxhet ta rrisim për 100 për qind. QKK-ja do të ketë buxhet për filma rreth 1.2 milion, kurse buxhetin total rreth 1.4 milion”, kishte thënë ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Asokohe, gazeta kishte insistuar për të marrë informacione se nga do të vijë ky buxhet. I njëjti premtim ishte përsëritur edhe në vitin pasues.

“Drejtori i QKK-së për shkak të mosveprimit të tij në mbrojte të ligjshmërisë, ka hyrë në obligime kontraktuale, pa pasur të zotuar me shkrim buxhetin në shumën për të cilën ka nënshkruar kontrata me operatorët ekonomik. Si pasojë, QKK-ja ka hyrë në borxhe të paarsyetuara...”, shkruhet në vendim.

Sa i përket filmit “Exile” për të cilin Këshilli Drejtues pretendonte se është financuar në shumë më të madhe sesa që lejon legjislacioni, Komisioni këtë e ka konsideruar si pretendim pjesërisht të bazuar.

Ligjit për kinematografi, QKK-ja ka atributin e bashkëproducentit dhe merr pjesë në ndarjen përpjesëtimore të fitimit nga shfrytëzimi ekonomik i veprës filmike në përputhje me kushtet e përcaktuara në kontratë. Por, sipas Komisionit, në bazë të dokumentacionit të prezantuar QKK-ja nuk ka realizuar ndonjëherë të hyra nga filmat që ka bashkëfinancuar. Këtë pretendim të KD-së, Komisioni e ka kualifikuar si të bazuar. Kurse sa i përket një komunikate të QKK-së të cilën Këshilli Drejtues e konsideronte si informatë të rrejshme, Komisioni nuk i ka dhënë të drejtë KD-së. “Kosova në Kanë me ‘Luaneshat e kodrës’”, është titulli i komunikatës që sipas Këshillit Drejtues, “ka vënë në lajthitje krerët e shtetit”. Filmi i Luana Bajramit, ishte dhënë premierë në festivalin e madh, e siç ka raportuar KOHA, është mirëpritur nga kritika, ani pse ishte dhënë jo në programin kryesor, por në atë “Director’s Fortnight”. Se ku është shfaqur, Komisioni e nënvizon në vendim, tek e cilëson të pabazuar pretendimin e Këshillit Drejtues.

Shkarkimin e parë Arben Zharku e kishte hedhur poshtë me ankesë në MKRS. Komisioni i ankesave kishte konstatuar se Komisioni Disiplinor nuk është ai që vendos për drejtor të QKK-së, por duhet t’i japë rekomandim ministrit të Kulturës. Tjetër pikë ku Zharku kishte të drejtë ishte nxjerrja e vendimit jashtë afateve ligjore. Pos asaj ankese, ai ka dorëzuar një tjetër në Inspektoratin e Punës.

Sa i përket vendimit të ri të MKRS-së, ka thënë se nuk do të qëndrojë duarkryq. Në pyetjen nëse do të ankohet prapë ka paralajmëruar hapa ligjorë.

“Të gjithë hapat ligjor për të kundërshtuar çfarëdo pretendimi ndaj meje”, ka thënë ai të martën. Mandati i dytë katërvjeçar i Zharkut është deri në mars të vitit që vjen.

Në një intervistë për KTV-në në fund të shtatorit, ai kishte thënë se QKK-ja nuk ka borxhe por obligime kontraktuale. “Ministri jep përgjegjësi për zotimet. Këshilli Drejtues vendos për buxhetin pas propozimeve të drejtorit. Drejtori është i obliguar t’i zbatojë vendimet e Këshillit Drejtues. Përse ministri nuk e ka mbajtur zotimin, drejtori nuk mund të japë përgjegjësi”, kishte thënë ai duke arsyetuar kontratat e lidhura.

Image

Sa i përket mosrealizimit të të hyrave, ai kishte thënë se asnjë producent nuk ka deklaruar fitime. Bile, sipas tij, as që mund të ketë fitime.

“A ka dikush një dëshmi që një projekt filmik ka fituar? Jo për Kosovë, por as në Evropë nuk fitojnë pasi janë filma artistikë që mbështeten nga shteti. Te ne askush nuk ka deklaruar fitim. Secili producent e ka për obligim ta njoftojë QKK-në për kontratat që nënshkruan. Mjafton një njoftim te ne se dikush ka fituar dhe janë organet që e hetojnë”, kishte thënë ai.

Meqenëse asokohe ishte prapë në Komision Disiplinor, Zharku kishte thënë se nuk pret asgjë nga Ministria e Kulturës. Sipas tij, Komisioni Disiplinor më 30 korrik i ka bërë rekomandimet, por ka pasur presion që rekomandimi të kthehet në vendim.

“Presion nga zyrtarët e lartë të MKRS-së, kabineti, sekretari, ministri, nuk e di. Nga dikush që është në nivel më të lartë se ata”, kishte thënë Zharku. Sipas tij, anëtarët e Komisionit i kanë treguar se u kanë thënë eprorëve të tyre që vendimi është i kundërligjshëm, pasi është pas afatit, por janë detyruar për ta marrë atë vendim.

“Pse ka nevojë dikush të bëjë presion. Aty janë dy adresa: sekretari ose kabineti i Ministrit”, kishte thënë ai. Zharku kishte treguar se kur ka filluar punën në QKK e ka ndërprerë angazhimin si producent dhe aktor. E ka lënë punën si drejtor në “Skena UP” e po ashtu edhe si menaxher në Qendrën “Multimedia”. Tash nuk llogarit të punojë në profesion e as si producent.

“Edhe me dashtë të kthehem si aktor, nuk kam vend se tash e dhjetë vjet nuk kam qenë në teatër ose në film. Si producent, shteti nuk të lejon dy vjet pas mandatit të punosh”, kishte thënë ai. Sipas tij, askush nuk dëshiron të punojë me të pasi gjatë dy mandateve ka krijuar shumë armiq pasi jo krejt projektet kanë mundur të përkrahen nga QKK-ja.

“I vetmi mendim që e kam në këtë kohë është të largohem jashtë. Nuk po shoh asnjë shenjë ose mundësi që të mund të vazhdoj të punoj diçka këtu. Aq është ngulfatur ky vend sa nuk shoh mundësi të punoj këtu”, kishte thënë ai.