Kulturë

Anulohet vendimi me të cilin u shkarkua drejtori i Qendrës Kinematografike

Komisioni për zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Ministrinë e Kulturës ka anuluar vendimin e Komisionit Disiplinor nëpërmjet të cilit ishte shkarkuar drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku.

Sipas vendimit të siguruar nga KOHA, procedura disiplinore ndaj Zharkut është kthyer për rishqyrtim dhe rivendosje.

Vendimi për shkarkimin e tij ishte marrë me 18 gusht, një muaj pasi ai ishte pezulluar nga detyra.

Ky vendim kishte ardhur si pasojë e një raporti të Këshillit Drejtues të QKK-së, i cili i është dorëzuar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Këshilli kishte kërkuar po ashtu shkarkimin e drejtorit Zharku.

Zharku ishte riemëruar në mandatin e dytë si drejtor i QKK-së në shkurt të vitit 2018.

Këshilli drejtues, i përbërë nga More Raça, Luan Daka, Bislim Bislimi, Besim Ugzmajli dhe Xhejlane Tërbunja, në muajin qershor ia kishte dërguar një raport ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Sipas raportit, QKK-ja është në detyrime të mëdha financiare si pasojë e keqmenaxhimit të drejtorit.

Për problemet financiare të këtij institucion KOHA ka raportuar ndër vite.

QKK-ja prej vitit 2018 përballet me vështirësi të mëdha financiare.

Një premtim i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, për dyfishim të buxhetit të QKK-së më 2018 kishte nisur t’ia jepte tatëpjetën financiare këtij institucioni. E kur ky premtim është përsëritur më 2019, veç e kishte thelluar krizën.

Vetëm në raport me vitet 2018 dhe 2019 ky institucion numëron të paktën mbi një milion euro borxhe. Sipas të dhënave zyrtare të QKK-së, në vitin 2019 janë përkrahur 28 projekte kinematografike në tetë kategori. Krejt bashkë peshojnë 1 milion e 282 mijë euro.

Por dokumenti i politikave kulturore të Ministrisë së Kulturës për atë vit sqaron se QKK-ja realisht kishte shpenzuar vetëm 620 mijë euro për projekte kinematografike. Për vitin 2018, QKK-së i ishin ndarë 766 mijë euro për subvencionimin e projekteve dhe për shpenzimet e tjera të institucionit. QKK-ja kishte hapur konkursin për subvencionim të projekteve kinematografike në fund të marsit. Kishte planifikuar që për këtë kategori të shpenzonte 666 mijë euro. Pas premtimeve për dyfishim buxheti, nga 17 projekte të përzgjedhura ishin bërë 25. Krejt bashkë peshonin 1 milion e 178 mijë euro. E bashkë me projektet pa mbulesë financiare të 2019-s, krijojnë shumën prej 2 milionë e 460 mijë eurosh. Por në realitet QKK-ja për këta dy vjet kishte 1.2 milionë euro buxhet për subvencionim të projekteve kinematografike.