Financimi i projekteve pa e siguruar buxhetin për ato, financimi përtej shumave të parapara me ligj dhe mosaplikimi i Ligjit për kinematografinë, sa u përket të hyrave nga realizimi i të drejtave si bashkëproducentë, dalin të jenë gjetjet të cilat kanë bërë që Zharku të mos e mbajë më detyrën e drejtuesit të QKK-së. Komisioni disiplinor ka ardhur në përfundim se në total borxhet e QKK-së ndaj operatorëve ekonomikë arrijnë shumën prej 1 milion e 809 mijë eurosh
Një muaj pasi është pezulluar nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku ka pranuar edhe një tjetër shkresë: atë për “largim nga shërbimi civil”. Komisioni disiplinor ka vendosur që Zharku të mos e mbajë më pozitën e drejtorit të institucionit më të lartë kinematografik në vend. Megjithëse formalisht, drejtori i QKK-së emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Kulturës, vendimi i Komisionit disiplinor është i prerë sa i përket pozitës që Zharku ka mbajtur.
Financimi i projekteve pa e siguruar buxhetin për ato, financimi përtej shumave të parapara me ligj dhe mosaplikimi i Ligjit për kinematografinë sa u përket të hyrave nga realizimi i të drejtave si bashkëproducentë, dalin të jenë gjetjet të cilat kanë bërë që Zharku të mos e mbajë më detyrën e drejtuesit të QKK-së. Zharku ishte riemëruar në mandatin e dytë si drejtor i QKK-së në shkurt të vitit 2018.
Zhytja në borxhe
Komisioni disiplinor ka ardhur në përfundim se në total borxhet e QKK-së ndaj operatorëve ekonomikë arrijnë shumën prej 1 milion e 809 mijë eurosh.
Hapja e procedurës disiplinore ishte bërë pasi More Raça, kryesuese, dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të QKK-së, Luan Daka, Bislim Bislimi, Besim Ugzmajli dhe Xhejlane Tërbunja, të emëruar në këtë pozitë nga ministri Hajrulla Çeku, i janë drejtuar eprorit të tyre me një raport të protokolluar më 18 qershor. Aty renditen të gjitha gjetjet që, sipas pesëshes, janë material i mjaftueshëm për ta shkarkuar drejtorin Zharku. E Komisioni disiplinor i ka vërtetuar gjetjet e anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Sipas vendimit të Komisionit disiplinor, Arben Zharku, asokohe drejtor i QKK-së, kishte nënshkruar kontrata në vlerë prej 1 milion e 180 mijë eurosh. Buxheti i ndarë nga MKRS-ja në atë vit për QKK-në ishte 765 mijë e 995 euro. Nëpërmjet një shkrese elektronike ish-sekretari i MKRS-së, Veton Firzi, i kishte thënë QKK-së se ka rritje buxheti prej 300 mijë eurosh.
“Kur krahasohen vlerat totale të kontratave të nënshkruara nga QKK për vitin 2018 në shumën prej 1 milion e 180 mijë eurosh dhe zbritjet me shumën e buxhetit total për vitin 2018 që pas rritjes kishte arritur vlerën 1 milion e 65 mijë euro, konstatohet se kemi tejkalim të buxhetit të ndarë në vlerë prej 114 mijë eurosh.
KOHA ka raportuar se në ditën e 7-të të gushtit të vitit 2018 do të jepej “lajmi i madh” për QKK-në. Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, pas një vizite në QKK, kishte thënë se institucionit do t’i dyfishohej buxheti.
“Konfirmojmë edhe një herë mbështetjen tonë të madhe për QKK-në. Siç dihet, kjo qendër ka pasur një buxhet rreth 600 mijë euro për mbështetjen e filmave dhe ne kemi vendosur që këtë buxhet ta rrisim për 100 për qind. QKK-ja do të ketë buxhet për filma rreth 1.2 milionë, kurse buxhetin total rreth 1.4 milionë”, kishte thënë ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Asokohe gazeta kishte insistuar për të marrë informacione se nga do të vijë ky buxhet.
E në prill të vitit të kaluar Arben Zharku, si drejtor i QKK-së, kishte thënë se janë në probleme financiare.
“Në dy vjetët e fundit buxhetin e kemi pasur nga 1.4 milionë euro të deklaruara nga MKRS-ja, por nuk është arritur ai buxhet pavarësisht kërkesave tona”, kishte thënë ai. Kishte marrë shembull se një film zgjat tre e katër vjet për t’u realizuar. Duke pasur parasysh këtë, ai ka thënë se nëse një vit ka buxhet më të vogël, ata mund ta menaxhojnë situatën.
“Por dy vjet me radhë gjendja është rënduar. Nëse nuk kryhen këto obligime nga MKRS-ja, atëherë në fund të këtij viti ose vitin e ardhshëm do të kemi një kolaps financiar si institucion”, kishte thënë Zharku më 9 prill të 2020-s.
Komisioni disiplinor ka gjetur se për vitin 2019 QKK-ja kishte buxhet prej 805 mijë eurosh. Por QKK-ja në bazë të muhabeteve me gojë llogariste se kishte buxhet prej 1 milion e 400 mijë eurove.
“Procesverbali i datës 31.5.2019, ku zonja Brikena Mulliqi i njofton anëtarët e Këshillit Drejtues se kabineti i ministrit ia ka konfirmuar asaj personalisht se shuma e ndarë për QKK-në për vitin 2019 është 1.4 milionë euro. Duhet theksuar faktin se në bazë të procesverbalit mund të konstatohet se lidhur me këtë shumë të buxhetit për QKK-në, përveç ndonjë konfirmimi verbal nga hierarkia e lartë e MKRS-së në adresë të Këshillit drejtues nuk është prezantuar ndonjë shkresë zyrtare.
Kësisoj, anëtarët e Komisionit kanë konstatuar se drejtori i QKK-së për shkak të mosveprimit të tij në mbrojtje të ligjshmërisë ka hyrë në obligime kontraktuale pa pasur zotim me shkrim për shumën e buxhetit për të cilën ka nënshkruar kontrata me operatorët ekonomikë.
“Si pasojë institucioni ka hyrë në borxhe të paarsyetuara dhe për të cilat edhe sot akoma nuk ka siguruar mundësi të pagesës së atyre borxheve. Në këtë proces ka dështuar i tërë zinxhiri i menaxhimit në kuadër të QKK-MKRS-së”, shkruhet në vendim.
Financimi në kundërshtim me ligjin
Problem më vete del të jetë subvencionimi i projektit kinematografik “Ekzil” në vitin 2018. Komisioni ka gjetur se ky projekt te “Testi i Kulturës” ka konfirmuar gjuhën shqipe si gjuhë kryesore të filmit përderisa në kontratën e lidhur me QKK-në është shkruar se gjuha kryesore e filmit është gjermanishtja. “Edhe te roli kryesor i filmit, operatori ekonomik në ‘Testin e Kulturës’ e ka shënuar rolin kryesor si vendës, ndërsa në film rolet kryesore i luajnë aktorët e huaj”, shkruhet në arsyetim të vendimit. Sipas Komisionit, me këto ndryshime projektit i është mundësuar që të aplikojë te kategoria e filmave të metrazhit të gjatë në vend se të mbështetej si koproduksion minor.
“Komisioni disiplinor pas kërkimit të provave shtesë nga Divizioni për buxhet dhe financa të MKRS-së ka vërejtur që pagesa në vlerën prej 150 mijë eurosh është transferuar në shumën totale përmes transferit të njëhershëm dhe atë në formë të pagesës avancë-paradhënie më datë 29.9.2018, në kundërshtim me Ligjin për kinematografi dhe Rregulloren për subvencionimin e projekteve filmike nga QKK-ja”, shkruhet në vendim. Sipas Komisionit, pagesa është dashur të bëhej me tri këste duke u bazuar në përcaktimin ligjor.
Mungesa e të hyrave
Sipas Ligjit për kinematografi, QKK-ja ka atributin e bashkëproducentit dhe merr pjesë në ndarjen përpjesëtimore të fitimit nga shfrytëzimi ekonomik i veprës filmike në përputhje me kushtet e përcaktuara në kontratë. Por sipas Komisionit, në bazë të dokumentacionit të prezantuar dhe në bazë të intervistës që ka dhënë ish-drejtori Arben Zharku, QKK-ja nuk ka realizuar ndonjëherë të hyra nga filmat që ka bashkëfinancuar.
Në raportin e vet për ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, Këshilli Drejtues është marrë edhe me lajmin e QKK-së: “Kosova në Kanë me filmin ‘Luaneshat e kodrës”. Sipas Këshillit Drejtues, filmi nuk ka qenë në konkurrencë zyrtare, por në një kategori “paralele e jozyrtare të Cannes”. Sipas Këshillit, ky lajm i QKK-së “ka vënë në lajthitje udhëheqësit më të lartë shtetërorë”, pasi ata kanë menduar se një film nga Kosova është pjesë e garës zyrtare në Festivalin e Cannes dhe janë deklaruar për këtë arritje. Por jo pak peshë ka edhe programi ku është shfaqur “Luaneshat...”, përderisa filmi “Pa Vend” i Samir Karahodës bëri histori duke e futur Kosovën për herë të parë në garë për “Palmën e Artë”. Por Komisioni disiplinor e ka hedhur poshtë këtë konstatim të KD-së së QKK-së.
Komisioni me anëtarë Fatmir Kabashin, Merita Augustini-Ndrecajn, Dafina Bacaliun, Vjollca Shabanin (e cila nuk e ka nënshkruar vendimin) dhe Drilona Belallarin i ka gjetur si të saktë dy konstatime të anëtarëve të Këshillit drejtues, një e ka hedhur poshtë dhe një tjetër e ka klasifikuar si të paqëndrueshme.
Më 17 korrik, kur ishte pezulluar nga detyra, Arben Zharku nuk kishte folur shumë për “KOHËN”.
“Ka qenë kërkesë e imja prej fillimit që të trajtohen të gjitha ankesat, përfshirë edhe raportin e Këshillit Drejtues, që është i përpiluar bazuar në këto ankesa. Kështu që derisa ta kryejë punën Komisioni disiplinor, s’kam çfarë të shtoj më shumë”, ka thënë ai. Por të mërkurën ai nuk ka folur fare. Nuk u është përgjigjur pyetjeve të “KOHËS”.