Për 60 ditë, Arben Zharku është pezulluar, më pas shkarkuar e tash është rikthyer në pozitën e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Kjo, pasi Ministria e Kulturës, siç ka konstatuar vetë organi i saj, s’i ka respektuar procedurat. Ankesa e Zharkut është pranuar pjesërisht. Por “telenovela” me këtë rast s’ka përfunduar ende. Zharku do të dërgohet sërish para Komisionit Disiplinor
Për dy muaj Ministria e Kulturës ka nxjerrë tri vendime sa u përket masave që merren ndaj drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku. Pezullimi, shkarkimi e kthimi në pozitë përbëjnë zallamahinë e vendimeve të komisioneve të organeve të tjera të institucionit më të lartë kulturor në vend. Tash del se Ministria ia ka huq procedurave të shkarkimit. Por kjo çështje nuk do të përfundojë me kaq.
Së fundmi, nëpërmjet një vendimi të Komisionit për Zgjidhjen e Ankesave dhe Kontesteve, Zharku ngelet drejtor i QKK-së. Ky komision ka rrëzuar vendimin e Komisionit Disiplinor që më 18 gusht kishte vendosur ta ndëshkonte Zharkun me masën disiplinore “largim nga shërbimi civil”. Por sipas Komisionit të Ankesave, kolegët e tyre që janë marrë me padisiplinën e Zharkut si drejtor, nuk kanë pasur të drejtë ta shkarkojnë atë. Ata që kanë trajtuar ankesën e Zhurkut i kanë dhënë pjesërisht të drejtë asaj dhe e kanë kthyer “topin” prapa.
KOHA ka marrë vesh se ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në bazë të kompetencave të tij ligjore në raport me drejtuesin e QKK-së, ka vendosur që Komisioni Disiplinor ta trajtojë prapë çështjen e Zharkut.
“Kthehet për rishqyrtim dhe rivendosje procedura disiplinore nga momenti i inicimit të së njëjtës nga ana e organit epror të pozitës së drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës”, shkruhet në pikën e 3-të të vendimit të nxjerrë nga Komisioni i Ankesave që është protokolluar më 21 shtator.
Shkarkimi i Zharkut kishte ndodhur si pasojë e një raporti të Këshillit Drejtues të QKK-së, i cili i ishte dorëzuar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Këshilli kishte kërkuar po ashtu shkarkimin e drejtorit. Zharku ishte riemëruar në mandatin e dytë si drejtor i QKK-së në shkurt të vitit 2018.
Financimi i projekteve pa e siguruar buxhetin për to, financimi përtej shumave të parapara me ligj dhe mosaplikimi i Ligjit për kinematografinë sa u përket të hyrave nga realizimi i të drejtave si bashkëproducentë, dalin të jenë gjetjet të cilat kanë bërë që Komisioni Disiplinor të vendosë për shkarkimin e Zharkut.
Por tash del që në disa raste nuk kanë pasur të drejtë. Midis të tjerash, Arben Zharku në ankesën e tij kishte pretenduar se vendimi për shkarkimin e tij është nxjerrë nga një organ jokompetent, si dhe jashtë afatit ligjor. Komisioni i Ankesave i kryesuar nga Milot Mustafa me anëtarë Jehona Bashotën dhe Gentiana Kryeziun ka konstatuar se ky pretendim është pjesërisht i bazuar.
“Duke u bazuar se Komisioni Disiplinor ka pasur për detyrë vetëm të shqyrtojë, të analizojë dhe të konstatojë ekzistimin ose jo të përgjegjësisë disiplinore të drejtorit, përkitazi me shkeljet e pretenduara, rrjedhimisht nuk ka pasur përgjegjësi të ndërmarrë aktin përfundimtar të shkarkimit”, shkruhet në vendim. Sipas vendimit, shkarkimi është përgjegjësi e ministrit të Kulturës bazuar në Ligjin për kinematografi. Me Ligjit, ministri emëron dhe shkarkon drejtorin e QKK-së.
“Andaj Komisioni konstaton se pika 2 e vendimit është formuluar në mënyrë të gabuar”, shkruhet në vendim. Sipas Komisionit, shkarkimi si akt i takon ministrit të Kulturës pas zhvillimit të procedurave disiplinore. Komisioni Disiplinor i ka dhënë të drejtë Arben Zharkut në pretendimin se vendimi për shkarkimin e tij është bërë pas afatit ligjor. Nuk ishte nxjerrë brenda 30 ditëve, por pas afro dy muajsh.
Sipas vendimit, në ankesën e tij Arben Zharku ka pretenduar se drejtori i QKK-së nuk është përgjegjës dhe nuk është detyrë e tij planifikimi i buxhetit dhe menaxhimi i QKK-së. Por sipas Komisionit drejtori së bashku me Këshillin Drejtues janë përgjegjës dhe kanë për detyrë menaxhimin financiar të QKK-së. Zharku ka pretenduar se QKK-ja nuk ka borxhe, por zotime.
Sipas vendimit të Komisionit Disiplinor, Zharku, si drejtor i QKK-së, kishte nënshkruar kontrata në vlerë prej 1 milion e 180 mijë eurosh. Buxheti i ndarë nga MKRS-ja për vitin 2018 për QKK-në ishte 765 mijë e 995 euro. Nëpërmjet një shkrese elektronike ish-sekretari i MKRS-së, Veton Firzi, i kishte thënë QKK-së se ka rritje buxheti prej 300 mijë eurosh.
“Kur krahasohen vlerat totale të kontratave të nënshkruara nga QKK-ja për vitin 2018 në shumën prej 1 milion e 180 mijë eurosh dhe zbritjet me shumën e buxhetit total për vitin 2018 që pas rritjes kishte arritur vlerën 1 milion e 65 mijë eurosh, konstatohet se kemi tejkalim të buxhetit të ndarë në vlerë prej 114 mijë eurosh”, shkruhej në vendim. QKK-ja kishte vepruar kësisoj pasi ditën e 7-të të gushtit të vitit 2018 do të jepej “lajmi i madh” për këtë institucion. Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, pas një vizite në QKK, kishte thënë se institucionit do t’i dyfishohej buxheti. E njëjta histori ishte përsëritur edhe më 2019. QKK-ja sipas të dhënave të Këshillit Drejtues ka 1.8 milionë euro borxhe. Shumë kohë para konstatimit të Këshillit Drejtues, KOHA kishte raportuar për zhytjen e QKK-së në borxhe. Zharku në prillin e vitit 2020 vetë kishte deklaruar se janë para kolapsit financiar.

Komisioni i ankesave ka hedhur poshtë pretendimin e Zharkut se bëhet fjalë për zotime e jo për borxhe. Sipas Komisionit, nënshkrimi i kontratave midis QKK-së dhe palëve nënkupton obligime financiare, rrjedhimisht borxhe. Sipas Komisionit, fjala publike e ministrit të Kulturës nuk mund të merret si zyrtare por dokumentet janë zyrtare. Në këtë rast anëtarët e Komisionit u janë referuar dokumenteve me të cilat QKK-ja është njoftuar për buxhetin që i është ndarë.
Për shkarkimin e Zharkut rol të madh kishte luajtur edhe subvencionimi i projektit kinematografik “Exil” në vitin 2018. Komisioni ka gjetur se ky projekt te “Testi i kulturës” ka konfirmuar gjuhën shqipe si gjuhë kryesore të filmit, përderisa në kontratën e lidhur me QKK-në është shkruar se gjuha kryesore e filmit është gjermanishtja. “Edhe te roli kryesor i filmit, operatori ekonomik në ‘Testin e kulturës’ e ka shënuar rolin kryesor si vendës, ndërsa në film rolet kryesore i luajnë aktorët e huaj”, shkruhet në arsyetim të vendimit. Sipas Komisionit, me këto ndryshime projektit i është mundësuar që të aplikojë te kategoria e filmave të metrazhit të gjatë në vend se të mbështetej si koproduksion minor.
Por Komisioni disiplinor këtë konstatim e ka ranguar si pjesërisht të bazuar.
Sipas Ligjit për kinematografi, QKK-ja ka atributin e bashkëproducentit dhe merr pjesë në ndarjen përpjesëtimore të fitimit nga shfrytëzimi ekonomik i veprës filmike në përputhje me kushtet e përcaktuara në kontratë. Por sipas Komisionit Disiplinor, në bazë të dokumentacionit të prezantuar dhe në bazë të intervistës që ka dhënë ish-drejtori Arben Zharku, QKK-ja nuk ka realizuar ndonjëherë të hyra nga filmat që ka bashkëfinancuar. Këtë Zharku është munduar ta hedhë poshtë nëpërmjet ankesës. Por sipas Komisionit Disiplinor, drejtori i QKK-së në këtë rast nuk ka të drejtë.
Sipas vendimit, kundër këtij akti administrativ palët kanë të drejtë ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil brenda 30 ditëve.
Arben Zharku të mërkurën ka thënë se në ditët në vazhdim do ta shikojë se si do të veprojë. “Fillimisht jam duke e shikuar vendimin me avokatin e pastaj e shoh”, ka thënë ai. KOHA gjatë ditës së mërkurë nuk ka mundur të marrë ndonjë qëndrim nga anëtarët e Këshilli Drejtues të QKK-së, të cilët e kanë nisur krejt këtë proces nëpërmjet një raporti që i ishte dorëzuar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.