Futboll

Zabaleta ëndërron kualifikimin në Botëror me Shqipërinë: Do të na bënin shtatore në Tiranë

Pablo Zabaleta

Ish-mbrojtësi i Manchester Cityt, Pablo Zabaleta, ka dhënë një intervistë të gjatë të enjten për “Flashscore”. Ka treguar momentet kryesore të karrierës së tij dhe ëndrrën që ka me Shqipërinë.

Zabaleta 40-vjeçar nga Argjentina punon si ndihmës i përzgjedhësit të Shqipërisë, brazilianit Sylvinho.

Në shkrimin e “Flashscore”, puna e përbashkët e një argjentinasi dhe një braziliani, është vlerësuar e rrallë. Zabaleta e Sylvinho kanë luajtur së bashku në edicionin 2009/2010 te Manchester City. Sylvinho ishte transferuar te City nga Barcelona, kurse Zabaleta nga Espanyoli.

“Një miqësi lindi atje dhe tre vjet më parë, ai më telefonoi për ta ndihmuar të stërviste  Shqipërinë. Ishte një mundësi që e shfrytëzova me shumë dëshirë”, ka thënë Zabaleta.

Zabaleta ka folur po ashtu edhe për ndeshjen vendimtare kundër Serbisë.

Federata e Futbollit e Serbisë kishte vendosur që ndeshjen kundër Shqipërisë ta organizojë në stadiumin e Cërvena Zvezdës në Beograd, njëjtë si atë ndaj Anglisë që u zhvillua këtë muaj. Por pas telasheve të shfaqura në ndeshjen ndaj Anglisë, të cilën serbët e humbën 5:0, u vendos që me Shqipërinë të luhet në Leskovc. Për këtë duhej pajtueshmëria e FSHF-së dhe vendimi i UEFA-s.

Sipas federatës serbe, vendimi u mor pas analizave të detajuara të të gjitha aspekteve lidhur me organizimin e ndeshjes së rrezikshmërisë së lartë.

Shqipëria është në vendin e dytë në grup, shtatë pikë pas Anglisë, por me një pikë më shumë se Serbia.

“Është një sfidë që duhet të merret me kujdesin e duhur, sepse në vitin 2014 pati probleme (disa përleshje midis lojtarëve pasi një dron fluturoi sipër me një flamur të Shqipërisë së Madhe, që përfshin shtetin e Kosovës v.j.). Është një ndeshje që mbart shumë rreziqe, por ne duam të shkojmë në Kupën e Botës”, ka thënë Zabaleta.

Në vitin 2014 në Beograd ndeshja mes Serbisë e Shqipërisë ishte ndërprerë që në pjesën e parë. Huliganët serbë por edhe lojtarët dhe pjesëtarët e sigurisë kishin sulmuar lojtarët e Shqipërisë, pas shfaqjes së flamurit të famshëm me dron. Në fund ndeshja ishte regjistruar me rezultat 3:0 në të mirë të Shqipërisë, pas një procesi të gjatë.

Zabaleta ka theksuar se është ëndërr e tij dhe Sylvinhos ta udhëheqin Shqipërinë në Botëror.

Por çfarë do të ndodhte nëse një komb me më pak se tre milionë banorë do të arrinte në Kupën e Botës? Përgjigje jep Zabaleta.

"Ah, do të na bënin një statujë në Tiranë!”, është shprehur Zabaleta.