(KD) – Menjëherë pas ndeshjes Granit Xhaka pranoi se fishkëllimat e shikuesve në “Fadil Vokrri” e kishin befasuar. Ai kishte pranuar se ishte ndier keq, se fishëllimat i sollën “dhembje”. Më pak emocional foli në konferencë për shtyp pas ndeshjes.
Xhaka udhëhoqi të martën mbrëma Zvicrën në fushë si kapiten, në barazimin 1:1 me Kosovën. Barazimi i mjaftoi Zvicrës për kualifikim të gjashtë rresht në Kupën e Botës në futboll. Kosova më herët kishte siguruar plejofin.
Por e gjithë vëmendja ishte te fishkëllimat e shikuesve sa herë që 33-vjeçari ishte në kontakt me topin.
Në pjesën e dytë, në një moment, ka pasur thirrje “Xhaka, Xhaka” nga një pjesë e shikuesve. Por fishkëllimat ndaj tij kanë dominuar gjatë gjithë ndeshjes, deri në momentin kur u zëvendësua.
“I njoh këta njerëz, janë shumë emocional”, ka shpjeguar Xhaka në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Ai mund t’i përballojë këto fishkëllima. Nuk është hera e parë që përballet me momente të vështira në karrierë.
“Është në rregull për mua”, ka shtuar Xhaka, duke kthyer kujtesën te koha sa ishte lojtar i Arsenalit.
“Jam fishkëllyer edhe nga 60 mijë njerëz dhe jam kthyer”.
Xhaka tani po luan te Sunderlandi dhe po shkëlqen. Ka pasur periudha të shkëlqyera edhe te Bayer Leverkuseni dhe Arsenali. Për shumicën e shqiptarëve të Kosovës, Xhaka është hero, sidomos për mënyrën se si ka luajtur në ndeshjet me Serbinë. Ai vazhdimisht flet për lidhjet e forta dhe emocionale me Kosovën e shqiptarët.
Por të martën mbrëma u befasua për të keq. Reagimet lidhur me fishkëllimat ndaj Xhakës janë të shumta. Shumica janë negative.
Edhe mediat zvicerane i kanë kushtuar rëndësi të madhe fishkëllimave ndaj Xhakës. Nuk i kanë pritur ato. Arsye për fishkëllima ishte një deklaratë e tij lidhur me vendimin e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit që ta përfaqësojnë Kosovën.
Xhaka është shprehur i lumtur për suksesin e ri me Zvicrën. Ai do të paraqitet në një tjetër ngjarje të madhe si lider i pakontestueshëm i Zvicrës.
Breel Embolo, njëri prej lojtarëve kryesorë të Zvicrës, po ashtu është pyetur për fishkëllimat ndaj Xhakës.
“Graniti është djalosh i madh me shpatulla të gjera. Mund ta përballojë këtë”, ka thënë Embolo.
Xhaka e llogarit Kosovën shtëpi të tij. Dhe të fishkëllohesh në shtëpi nuk është e lehtë.
“Jam i befasuar, është gjëja e fundit që kam pritur, të jem i sinqertë. Sidomos këtu në shtëpi. Dhemb, të jem i sinqertë”, kishte thënë ai për televizionin zviceran, SRF, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes. Kishte shtuar se “çdo gjë është në rregull”.
Në fakt vetëm në rregull nuk ishte. Për fishkëllimat ndaj Xhakës në Prishtinë do të diskutohet gjatë.