Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kryetari i FFK-së: Fishkëllimat ndaj Xhakës të panevojshme dhe të paarsyeshme

Agim Ademi - FFK

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka publikuar një shkrim të gjatë të mërkurën, një ditë pas ndeshjes që Kosova e luajti kundër Zvicrës në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja Kosovë – Zvicër përfundoi baras, 1:1. Përballja ndërmjet “Dardanëve” dhe helvetikëve ishte e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Zvicra siguroi direkt kualifikimin në Botërorin në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Kosova kualifikimin do ta kërkoj nëpërmjet plejofit. Ndeshjet e plejofit luhen në mars të vitit të ardhshëm. Shorti tërhiqet të enjten.

Kryetari Ademi ndër të tjera i ka quajtur të panevojshme dhe paarsyeshme fishkëllimat në drejtim të kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjithmonë kemi theksuar se individët si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë aset kombëtar dhe ambasadorët më të mirë të popullit tonë, ashtu si Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj e shumë të tjerë”, ka shkruar Ademi.

Ai ka vazhduar tutje shkrimin duke theksuar se Graniti “do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij”. “Ai kudo që të jetë është djali i Ragip Xhakës, një familje atdhetare që jeton e vepron në Prishtinë, prandaj ne i jemi gëzuar gjithmonë sukseseve dhe karrierës së tij të bujshme”, është shprehur Ademi.

Menjëherë pas ndeshjes Xhaka tha se fishkëllimat e shikuesve në e kishin befasuar dhe se ishte ndier keq.

Por kryetari Ademi ka insistuar se fishkëllimat nuk kanë ardhur nga tifo-grupi i Përfaqësuese së Kosovës “Dardanët”.

“Ne i gjykojmë fishkëllimat që ndodhën, edhe pse ato nuk erdhën nga e gjithë masa dhe as nga tifo-grupi 'Dardanët', por gjërat negative ndonjëherë janë të pashmangshme në stadiume. Ato kanë qenë të panevojshme dhe të paarsyeshme dhe i gjykojmë, sikurse i gjykojmë edhe deklaratat e atyre që vjellin vrer edhe kur Kosova shënon rezultate kulmore”, ka shkruar Ademi.

Shkrimin e tij të gjatë, Ademi e ka mbyllur me falënderimet për përkrahjen që shikuesit ia kanë dhënë dhe vazhdojnë t’ia japin lojtarëve të Kosovës.