Futboll

Vokrri largohet nga Kosova U21, ftohet nga Shqipëria U21

vokrri

Mbrojtësi i krahut të djathtë që luan te Ballkani i Suharekës, Diar Vokrri, është larguar nga Kosova U21 për t’iu bashkuar Shqipërisë U21. Ai të shtunën ka qenë në listën e të ftuarve nga selektori Alban Bushi për dy miqësoret e këtij muaji. 

Ish-mbrojtësi i Llapit, 21-vjeçari Vokrri, ka pesë paraqitje me Kosovën U21, por ka vendosur që në të ardhmen t’i përfaqësojë “kuqezinjtë”. 

Vokrri ka luajtur në dy ndeshje me Kosovën U21 në ciklin kualifikues për Evropianin e vitit 2027, që organizohet në Shqipëri dhe Serbi. 

Për 90 minuta luajti në barazimin pa gola me Rumaninë, ndërsa nëntë minuta u aktivizua për ndeshjen e humbur në Prishtinë nga Spanja, 3:1. 

Shqipëria U21 do të luajë dy miqësore në këtë muaj, ndaj Moldavisë dhe Ukrainës, më 13 dhe 17 nëntor. 

Ndërkohë, Kosova U21 më 14 dhe 18 nëntor luan në udhëtim ndaj Qipros dhe Finlandës, në ndeshje kualifikuese të Grupit A të “Euro 2027”.

Tovërlani: Vokrri kishte përkrahjen e të gjithëve, tani çështje e mbyllur

1 muaj më parë / 8 nën 2025 14:50
Afrim Tovërlani

Përzgjedhësi i Kosovës U21 në futboll, Afrim Tovërlani, ka reaguar për vendimin e Diar Vokrrit.

Vokrri të shtunën u përfshi në listën e Shqipërisë U21.

Tovërlani ka theksuar se Diar Vokrri e ka pasur përkrahjen e madhe të të gjithëve në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Vokrri largohet pas pesë paraqitjeve me Kosovën U21.

21-vjeçari luan te Ballkani, skuadër të së cilës iu bashkua nga Llapi.

“Diari ka gëzuar mbështetjen e madhe nga ne. Kjo është temë e mbylluar për mua. Pyetni zyrtarët e FFK-së nëse po gënjej diçka. Për mua është e shenjtë fanella ‘Dardane’ apo – ‘Dardhane’”, ka deklaruar Tovërlani për KOHËN.

Kosova U21 më 14 nëntor luan ndaj Qipros, ndërsa ndaj Finlandës luan më 18 nëntor. Por pa Vokrrin në përbërje.

Si organizatore e Evropianit 2027, Shqipëria luan vetëm miqësore me U21.