Verona është në kërkim të një qendërmbrojtësi dhe njëri prej opsioneve është Ardian Ismajli, shkruan mediumi “L’Arena” të premten.
Reprezentuesi i Shqipërisë aktualisht është futbollist i Empolit, që nuk arriti ta sigurojë mbijetesën në Serie A.
Empoli përfundoi në vendin e 18-të me 31 pikë, ndërsa Ismajli i luajti 29 ndeshje në Serie A dhe dy të tjera në Kupën e Italisë.
Por, 28-vjeçari vlerësohet për përvojën që e ka në elitën italiane të futbollit, pasi tashmë ka 120 paraqitje me Spezian dhe Empolin.
Kapiteni i Empolit po ashtu i ka zhvilluar 45 ndeshje me Shqipërinë, me të cilën i ka tri gola të realizuar.
Paga prej 900 mijë euro në vit e Ismajlit mund të jetë e përballueshme për Veronën, që në edicionin e ardhshëm do të luajë në Serie A pasi përfundoi në vendin e 14-të.
Në Itali kanë shkruar se për të siguruar shërbimet e Ismajlit, Verona duhet ta mposhtë konkurrencën e Beshiktashit. Ka edhe skuadra tjera në garë.