Shefi i arbitrave të Premier Leagues, Howard Webb, ka pranuar se VAR-i as që e mori në konsideratë nëse Enzo Fernandez ndodhej në pozitë jashtë loje, gjatë golit shumë diskutabil të shënuar nga Erling Haaland në derbin e Manchesterit të dielën.
Manchester City fitoi 1:0 ndaj Manchester Unitedit, ndërsa goli i Haalandit ishte shënuar nga pozitë e parregullt.
Webb tha se ishte shumë i zhgënjyer nga gabimi i bërë prej gjyqtarit të VAR-it, Matt Donohue, dhe ndihmësi i tij, Blake Antrobus.
Sulmuesi i Cityt, Haaland, mendoi se kishte shënuar të vetmin gol të ndeshjes në “Old Trafford” në minutën e 60-të. Por fillimisht ai u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Pas rishikimit të VAR-it, u konstatua se Haaland ishte në pozitë të rregullt dhe goli u pranua.
Megjithatë u bë menjëherë e qartë se zyrtarët e VAR-it kishin bërë gabim duke mos identifikuar shkeljen e pozicionit jashtë loje nga ana e Fernandezit, i cili u hodh drejt topit në një pozicion qendror dhe pengoi kundërshtarët.
“Isha vërtet i zhgënjyer nga ky përfundim. Të gjithë jemi”, tha Webb. “Askush nuk e ndien këtë më shumë se vetë gjyqtarët. Ata krenohen shumë me punën e tyre dhe natyrisht që tani ndihen të lënduar, pasi nuk ia dolën siç duhet në këtë situatë”, ka shtuar udhëheqësi i arbitrave të Premier Leagues.
Dy arbitrat që gabuan, nuk do të delegohen në ndeshjet e fundjavës.
Një nga pyetjet që kanë bërë shumë tifozë është se si ekipi i VAR-it mund të arrinte në përfundim se Fernandez nuk kishte kryer shkelje për ofsajd.
Por Donohue dhe Antrobus nuk e shqyrtuan nëse Fernandez ishte në pozitë jashtë loje. Sipas Webbit, ata u fokusuan vetëm te Haalandi.
Teknologjia gjysmë-automatike e pozicionit jashtë loje i tregoi VAR-it se Haalandi ishte në pozitë të rregullt, me tri centimetra diferencë nga krosimi i Joshko Gvardiol.
Por më pas, arbitrat e VAR-it kontrolluan vetëm nëse kishte pasur ndonjë prekje të topit nga Fernandez, gjë që do të kishte krijuar fazë të re të pozicionit jashtë loje për lojtarin norvegjez.
Webb tha se VAR-i dështoi të vlerësonte se si Fernandez e gjeti veten në atë pozitë, ndaj nuk e mori parasysh shkeljen e mundshme të pozicionit jashtë loje.
“Ky gol duhej të ishte anuluar. Për fat të keq nuk ndodhi kështu. Ne do të shqyrtojmë rastin, do të reflektojmë dhe do të përpiqemi të nxjerrim mësime për të parandaluar përsëritjen e këtij lloji të pazakontë të gabimit”, ka thënë Webb, që ka vënë theksin te mungesa e ndihmës nga asistenti i VAR-it, Antrobus.