Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

UEFA ende mund ta bojkotojë Botërorin, pavarësisht mbështetjes së FIFA-s për Infantinon

Infantino & Ceferin

Ekipet evropiane ende mund të bojkotojnë garat e FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës. UEFA thotë se mbrojtja e FIFA-s ndaj presidentit të saj, Gianni Infantino, “nuk ndryshon asgjë”.

Në një deklaratë, UEFA ka thënë se kushtet e saj nuk ishin përmbushur në reagim ndaj planit të Infantinos për të shitur aksionet e Kupës së Botës tek investitorët privatë, pavarësisht se plani u anulua. UEFA është përgjegjëse për futbollin në Evropë.

“Federatat anëtare të UEFA-s ishin shumë të qarta në lidhje me kushtet lidhur me mospjesëmarrjen e tyre në garat e FIFA-s”, ka thënë UEFA në deklaratë, shkruan BBC.

“Së pari, propozimet për të shitur garat kryesore duhej të tërhiqeshin dhe së dyti, duhet të jepen garanci se përpjekje të tilla për të shpërfytyruar lojën në këtë mënyrë nuk do të bëhen më kurrë. Këto kushte nuk janë përmbushur”, vlerëson UEFA.

UEFA ka thënë tashmë se ka humbur besimin tek Infantino, duke e quajtur propozimin e tij, të njohur si FFE, një “marrëveshje të shëmtuar, të fshehtë dhe të errët”.

Edhe UEFA, AFC dhe CONCACAF sulmojnë Infantinon për shitjen e aksioneve të Botërorit Futboll UEFA, AFC dhe CONCACAF sulmojnë Infantinon për shitjen e aksioneve të Botërorit

“UEFA e bëri shumë të qartë në deklaratën e së shtunës se ka humbur besimin te presidenca e Gianni Infantinos. Ky qëndrim mbetet. Njoftimi i djeshëm se disa njerëz të punësuar nga presidenti i FIFA-s, dhe karriera e të cilëve varet nga favorizimi i tij, pajtohen me të, nuk ndryshon asgjë”, shkruan UEFA në deklaratë.

Në UEFA vlerësojnë se deklarata e lëshuar nga FIFA tregon saktësisht pse Infantino duhet të japë dorëheqje. Në Konfederatën Evropiane konsiderojnë se Infantino po përpiqet të shmangë përgjegjësinë personale, duke ndarë fajin për planin e dështuar.