Futboll

Tolaj i gatshëm për shpërthim: Fillimi i mbarë shumë i rëndësishëm

Bleart Tolaj

Bleart Tolaj

Me dy gola të shënuar, Bleart Tolaj ka udhëhequr Ballkanin drejt fitores 4:2 ndaj Florianas së Maltës. Ndeshja e së martës mbrëma në “Fadil Vokrri” ishte e para e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

25-vjeçari Tolaj është në edicionin e tretë te Ballkani i Suharekës. Me dygolëshin e së martës ka regjistruar fillimin më të mirë prej se është lojtar i Ballkanit.

Por lojtari i krahut ndihet gati për gjëra të mëdha. Dhe shpreson të vazhdojë me paraqitje të mira, gola e asistime.

“Fillimi është shumë i rëndësishëm. Këtë kampanjë e nisa shumë mirë dhe pse mos të jem shpërthimi i radhës te Ballkani, duke ditur që në vitet e fundit shumë lojtarë kanë shpërthyer sa ishin në skuadrën tonë. Edhe edicionin e kaluar kam pasur hapësirë të madhe dhe në aspektin individual mund të jem i kënaqur me paraqitjet. Natyrisht, rezultatet e skuadrës nuk ishin ato që i kemi synuar, por tani kemi filluar mirë dhe besojmë se do të kthehemi në rrugën e sukseseve”, ka thënë Tolaj të mërkurën për KOHËN.

Ballkani po paraqitet në gara evropiane si nënkampion i Kosovës. Mbeti nënkampion edicionin e kaluar pas tre titujve rresht.

Ballkani ka nisur garimin prej raundit të dytë kualifikues dhe kjo i mundësoi që të kishte fazë të gjatë përgatitore.

“Faza përgatitore ishte shumë e mirë. Pasi nuk kishim ndeshje në raundin e parë jemi përgatitur më gjatë dhe gradualisht. Tashmë trajneri Orges Shehi ka gjashtë muaj në skuadrën tonë. Po e kuptojmë më mirë filizofinë e tij të lojës dhe atë që ai e kërkon nga ne”, ka shtuar Tolaj.

Në edicionin e kaluar deçanasi i kishte 33 ndeshje në Superligë. Kontribuoi me shtatë gola dhe pesë asistime.

Te Ballkani është nga vera e vitit 2023. Më herët ishte te Prishtina e Malisheva, ndërsa në moshë fare të re u zhvillua te Hajduku i Splitit.

Ballkani dy edicione arriti në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Vjet nuk e arriti këtë sukses.

“Fitorja në ndeshjen e parë është shumë me rëndësi. Tani na mbetet ta konfirmojmë kualifikimin në ndeshjen e dytë. Natyrisht, jemi të kujdesshëm pasi asnjë ndeshje në Evropë nuk është e lehtë. Tashmë e dimë kundërshtarin potencial në raundin e tretë. Shpresojmë që fillimisht të arrijmë në plejof e më pas, pse jo, të provojmë sërish kualifikimin në grupe. Me rëndësi është që baza e ekipit është e njëjtë, ndërsa përforcimet janë cilësore dhe gradualisht po bëhen pjesë e rëndësishme e skuadrës. Pas ndeshjeve evropiane do të vazhdojmë edhe me ndeshje në Superligë, ku Ballkani sërish do të jetë skuadër pretendente”, ka theksuar Tolaj.

Ai ka luajtur për grupmoshat e reja të Kosovës, ndërsa për zhvillimin e tij personal e veçon kohën te Hajduku i Splitit.

Nga Hajduku ishte kthyer te Prishtina në Kosovë, në vitin 2021.

“Hajduku e ka njërën prej Akademive të futbollit më të mira në botë. Te Hajduku jam zhvilluar për tri vjet. Natyrisht, ishte periudhë edhe sfiduese, pasi isha i ri, 18-vjeçar. Por periudha në Split, te klubi shumë i madh dhe shumë i organizuar më ka kalitur, më ka bërë më të fortë. Ishte një lloj trampoline drejt karrierës së mëtejme në futboll. Nga ajo periudhë kam përfituar shumë, por natyrisht edhe nga përvoja në klubet e vendit”, ka thënë Tolaj.

Nëse vazhdon me paraqitje si ajo e së martës, Tolaj së shpejti do të jetë atraktiv për klube të vendeve tjera.

Ndeshje të mirë ndaj Florianas kishte edhe Sunday Adetunji, me dy gola e një asistim.