Futboll

Tek Omonia vlerësojnë Dritën

Tek Omonia vlerësojnë Dritën

Trajneri i ekipit qipriot Omonia, Henning Berg, e ka cilësuar kundërshtar të fortë Dritën e Gjilanit.

Trajneri norvegjez në konferencën e mbajtur të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ka thënë se Drita ka treguar paraqitje të mira në garat evropiane, në veçanti kundër Copenhagenit, në kuadër të raundit të dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve. 

“Jemi të lumtur që jemi këtu në Ligën e Konferencës për të kërkuar kualifikimin tutje. Jemi përgatitur si zakonisht dhe do të përpiqemi të japim më të mirën tonë. Ambiciet janë të jemi konkurrues në Evropë dhe në kampionat. Mezi presim ndeshjen dhe e dimë që Drita është një ekip i mirë. Sidomos kundër Copenhagenit ata ishin mbresëlënës, si dhe në raundin tjetër ku mund të avanconin kundër FCSB-së”, ka thënë Berg. 

Omonia humbi nga Mainzi i Bundesligës ndeshjen e parë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.

Drita barazoi 1:1 në udhëtim me KuPS-in finlandez.

Lavde për Dritën thuri edhe braziliani, Ewandro Costa. 

“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu, u përgatitëm për këtë ndeshje. Jemi gati. E dimë që Drita është një ekip i mirë. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, por jemi gati. Mendoj se luajtëm një ndeshje të mirë kundër Mainz. Edhe ata patën një paraqitje të mirë. Humbëm 1:0, por krijuam raste. Sigurisht që nuk jemi të lumtur dhe e dimë që nesër duhet të fitojmë”, ka thënë mesfushori 29-vjeçar.