Interi është i vendosur të vazhdojë me trajnerin Simone Inzaghi, nëse ai dëshiron të qëndrojë. Kështu ka thënë presidenti i klubit Giuseppe Marotta.
Sipas tij, humbja 5:0 në finale të Championsit nga PSG-ja nuk do të jetë faktor në vendimin që do të merret. Kontrata e Inzaghit përfundon pas një viti, ndërsa Marotta ka konfirmuar se bisedimet me trajnerin do të fillojnë ditëve të ardhshme.
Mediat italiane kanë shkruar se Inzaghi mund të largohet para Kupës së Botës për Klube që fillon më 14 qershor.
“Kjo humbje nuk do të ketë ndonjë ndikim. Inzaghi ka kontratë edhe për një vit dhe ne tashmë kemi vendosur të takohemi me të këtë javë”, ka thënë Marotta.
“Thuajse të gjitha meritat për këtë cikël pozitiv i takojnë profesionalizmit dhe aftësisë së tij. Nëse ai dëshiron të vazhdojë, ne jemi të lumtur. Ne do të takohemi me trajnerin, pasi ky klub nuk është mësuar të lejojë trajnerin të largohet në vitin e fundit të kontratës. Nuk ka ndonjë revolucion. Do të takohemi për të dëgjuar çka do të thotë ai. E përsëris, sa i takon anës sonë jemi krenarë dhe të nderuar që të vazhdojmë me të”, ka shtuar Marotta.