Futboll

Të veçantat e përfaqësueses së Komoreve, kundërshtares së Kosovës

Komoret

Tre ishuj fare të vegjël, që mezi shihen në hartë, në Afrikën Juglindore, e formojnë Unionin e Komoreve. Ky vend e shpalli pavarësinë nga Franca në vitin 1975, ndërsa ka popullsi prej 880 mijë banorëve dhe sipërfaqe prej 2235 kilometrash katrorë.

Komoret janë prej vendeve më të vogla në Afrikë. Dhe me përfaqësuesen e këtij vendi, Kosova do të luajë miqësore në futboll, më 9 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Miqësorja në letër duket e lehtë. Kosova është favorite. Por të përzgjedhurit e Franco Fodas pritet të sfidohen.

Federata e Futbollit e Kosovës të premten ka zyrtarizuar miqësoren me Komoret. Si ish-koloni e Francës, në Komore ndikimi francez është shumë i madh. Edhe në futboll, ndër të tjera.

Selektor i kësaj përfaqësueseje është kanadezi Stefano Cusin. Komoret nuk kanë ndonjë lojtar të njohur, por shumë prej futbollistëve të kësaj përfaqësueseje bëjnë karrierë në Francë. Ka lojtarë te skuadra si Lyon, Troyes, Marseille, Amiens e disa të tjera. Ka lojtarë edhe në Holandë, Arabi Saudite e disa vende të tjera. Por jo në klubet më të mira.

Në mars, Komoret i luajtën dy ndeshje kualifikuese për Botërorin 2026. Fillimisht pësuan 3:0 nga Mali e më pas fituan 1:0 ndaj Çadit. Kjo përfaqësuese është në garë për kualifikim në Botëror. Pas gjashtë xhirove është e dyta në grup me 12 pikë, tri më pak se Gana. Në këtë grup janë edhe Madagaskari, Mali, Republika Qendrore Afrikane dhe Çadi.

Përfaqësuesja e Komoreve është në ngritje të vazhdueshme. Së pari në Kupën Afrikane luajti në vitin 2021 dhe arriti në një të tetën e finales. Është kualifikuar edhe në Kupën Afrikane që në dhjetor të këtij viti dhe në janar të vitit të ardhshëm mbahet në Marok. E fitoi grupin kualifikues ku ishin Tunizia, Gambia dhe Madagaskari.

Ishte pritur që një miqësore mes Kosovës dhe Komoreve të luhej më 8 qershor të vitit 2021 në Turqi. Por lojtarët e përfaqësueses afrikane nuk kishin mundur të udhëtojnë për në Turqi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Dhe Kosova kishte luajtur miqësore me Guinenë në termin të njëjtë. Kishte pësuar 2:1.

Komoret ishin edhe temë politike në Kosovë. Ky shtet ka njohur Kosovën më 14 maj të viti 2009. Në vitin 2018 kishte pretendime nga Serbia dhe Rusia se ky vend ka tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës. Kjo më pas ishte hedhur poshtë nga autoritet e shtetit të Kosovës.

Gjasat janë të mëdha që selektori Franco Foda rastin në ndeshjen ndaj Komoreve, njëjtë si në atë ndaj Armenisë më 6 qershor, t’ua japë lojtarëve që kanë pasur pak hapësirë në përfaqësuese. Pritet që shumë emra të rinj ta fitojnë rastin në këto dy ndeshje. Ndërkohë, një pjesë e titullarëve as që pritet të grumbullohen për shkak të stinorit të gjatë me skuadrat e tyre.

Në ranglistën e FIFA-s, që është matëse për nivelin e përfaqësueseve, Kosova qëndron pak më mirë se Komoret. Kosova është e 97-ta, ndërsa përfaqësuesja e Komoreve e mban pozitën e 105-të.