Futboll

Te Shqipëria të kënaqur me lojën, por jo me rezultatin

Shqipëria

Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, është i dëshpëruar me rezultatin e ndeshjes kundër Serbisë. Por, ai është krenar me paraqitjen e ekipit.

Ndeshja Shqipëri – Serbi përfundoi baras 0:0 të shtunën mbrëma në Tiranë. Kjo përballje u takoi kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

“Nëse e shikojmë se si është zhvilluar loja, besoj i mërzitur pak por prapëseprapë besoj që ekipi dha gjithçka në fushë. Mund të jenë shumë krenarë për këtë paraqitje që kanë bërë. Të them të drejtën vetëm kështu mund të arrish diku, me këtë mentalitet, me këtë sakrificë, sepse kjo është rruga e duhur”, ka thënë Gjimshiti për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Shqipëria në ndeshjen ndaj përfaqësueses serbe të futbollit humbi penallti, të cilën e siguroi mbrojtësi i krahut të djathtë, Elseid Hysaj. Penalltinë e gjuajtur nga Rey Manaj e priti portieri i Serbisë

“Kemi luajtur vërtet një ndeshje shumë të bukur, mungoi vetëm goli që nuk erdhi. Por kur nuk e shënon golin me rëndësi është që edhe mos ta pësosh. Duhet të jemi pak të kënaqur për këtë rezultat, por mund të kishim bërë edhe më shumë”, thotë Hysaj.

Edhe sulmuesi Mirlind Daku ka thënë se Shqipërisë i mungoi vetëm goli ndaj serbëve.

“Gjithmonë e kemi dhënë maksimumin. Edhe në këtë ndeshje e kemi dhënë maksimumin. Normalisht që duhet të shihet edhe kundërshtari që është shumë i fortë, një kundërshtar fizik. I kemi pasur ato mundësitë tona, por Zoti dëshiroi që sot të mos dalim fitues. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të dalim fitues, pse jo edhe me tri pikë të tjera”, ka thënë Daku.

Daku në fushë u inkuadrua në vend të sulmuesit tjetër të Shqipërisë, Armando Broja.

Sulmuesi Broja po ashtu është i zhgënjyer me rezultatin përfundimtar të ndeshjes.

“Në njërën anë jemi shumë të mërzitur, sepse kemi pasur shumë raste për gola dhe ta fitojmë ndeshjen. Por, në anën tjetër, ishim shumë të kënaqur pasi bëmë futboll shumë të bukur. Kemi menduar të bëjmë futboll të bukur. Paraqitja ishte shumë e mirë por na ka munguar vetëm goli. Shpresoj që me këtë grup e këtë skuadër të arrijmë gjëra të mëdha. Normalisht në këto ndeshje mund të jetë vetëm një rast që mund ta ndryshojë lojën. Kemi pasur një penallti, por këto gjëra ndodhin në futboll. Mund të humbësh penalltinë, mirëpo ne kemi krijuar sërish shanse por vetëm goli na mungoi. Paraqitja ishte shumë e mirë dhe kemi luajtur futboll të mirë”, është shprehur Broja.

Shqipëria nga tri ndeshje ka fituar katër pikë. Anglia është e para në grupin K me nëntë pikë. Letonia nga dy ndeshje ka tri pikë, kurse Serbia, që zë vendin e katërt, ka një pikë nga një ndeshje. Andorra është pa pikë.