Te kampionia e Kosovës në futboll, Drita e Gjilanit, kanë synim të qartë për të martën mbrëma - ta ruajnë epërsinë 1:0 nga ndeshja e parë dhe ta sigurojnë kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja kthyese e raundit të parë kualifikues të Championsit, Differdange 03 – Drita, zhvillohet të martën në Differdange të Luksemburgut nga ora 20:00.
Kalimi në raundin e dytë kualifikues do të ishte historik për futbollin kosovar. Deri tash asnjë skuadër kosovare nuk është paraqitur në rrethin e dytë kualifikues të garës së parë të UEFA-s për nga rëndësia.
Për t’u arritur ky sukses, trajneri i gjilanasve, Zekirija Ramadani, pret nga lojtarët e tij ta tregojnë një paraqitje të madhe kundër ekipit nga Luksemburgu.
“Koha për t’u përgatitur ka qenë e njëjtë si për ne, ashtu edhe për kundërshtarin. Shpresoj t’i kemi shfrytëzuar maksimalisht këto ditë për ta rikuperuar ekipin nga lodhja dhe për t’i bërë përgatitjet e duhura për ndeshjen kthyese. Do ta shohim nesër rezultatin, por besoj fuqishëm që ekipi është gati për ta dhënë më të mirën në fushë”, ka thënë Ramadani për KOHËN, të hënën.
Një lajm i mirë për gjilanasit është kthimi i kapitenit Rron Broja. Broja mungoi në ndeshjen e parë, për shkak se ishte i suspenduar si pasojë e kartonëve të edicionit të kaluar. Mungesa e tij është vërejtur në lojën e gjilanasve.
Këtë e konfirmon edhe trajneri shkupjan. Ai ka thënë se Broja me përvojën dhe lidershipin e tij do të jetë ndihmë e madhe për ekipin.
“1:0 në favorin tonë është rezultat që të mban të mobilizuar dhe ta jep qetësinë e duhur. Ne këtë duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht. Kemi avantazh minimal, por do të përpiqemi të mos luajmë për ta mbrojtur këtë avantazh, por ta japim maksimumin që të shënojmë gol. Për t’u kualifikuar në raundin e dytë, na duhet të vrapojmë, të mendojmë dhe të realizojmë më shumë se kundërshtari. Me kthimin e kapitenit Broja, besoj që edhe futbollistët e tjerë do të jenë më të mirë se në ndeshjen e parë”, është shprehur Ramadani.
Me golin e sulmuesit Arb Manaj në minutën e 74-t, Drita fitoi 1:0 ndaj Differdanget të martën e kaluar në “Fadil Vokrri”. Te Drita besojnë shumë se rrugëtimi i tyre në Champions nuk do të ndalet të martën.
Skuadra që eliminohet, vazhdon në Ligën e Konferencës. Shkëndija e Tetovës apo New Saints FC, do të jenë kundërshtarët e mundshëm të Dritës në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, nëse eliminohet nga raundi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve.
Shkëndija e Tetovës mori rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Kampionia e Maqedonisë së Veriut barazoi pa gola në udhëtim me TNS-në e Uellsit. Me ekipin nga Uellsi, Shkëndija e luan të martën nga ora 20:00, në Shkup, ndeshjen kthyese.
Të martën luan edhe kampionia e Shqipërisë, Egnatia. Skuadra nga Rrogozhina e nisi kampanjën në kualifikimet e Championsit me fitore 1:0 ndaj Breidablikut të Islandës. Ndeshjen kthyese e ka në Breidablik.
Pos Dritës, në garat kualifikuese të UEFA-s janë edhe Prishtina, Malisheva dhe Ballkani.
Prishtina dhe Malisheva i humbën ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës, përkatësisht të Konferencës. Prishtina humbi në Tiraspol nga Sheriffi 4:0, kurse Malisheva në Prishtinë nga Vikingur Reykjavik me rezultat 1:0.
Ballkani e nis paraqitjen nga raundi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës.